Në Kosovë më 5 mars ka nisur shënimi i manifestimit treditor të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), teksa krerët shtetërorë nderuan rezistencën e familjes Jashari nga Prekazi të komunës së Skenderajt, e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që mori fund në qershor të vitit 1999 me ndërhyrjen e NATO-s. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën mbi 50 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krerët shtetërorë nderuan lartë pjesëmarrësit dhe të rënët në luftën e fundit dhe Adem Jasharin, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së dhe familjes së tij.
Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz të Skenderajt, forcat serbe sulmuan shtëpitë e familjes Jashari, duke lënë të vrarë mbi 50 anëtarë të kësaj familjeje.
Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.
Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.
Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.
Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpalli pavarësinë e Kosovës.
Dhjetë vjet pas betejës së Prekazit, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë atë me mbështetjen e Rusisë.
Një qerek shekulli nga ngjarjet ne Prekaz, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Javën që shkoi kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç i thanë po një plani perëndimor për këtë çështje, që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.
I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë të dyja vendet për të diskutuar rrugët e zbatimit të planit para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
/Argumentum.al