Policia, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ndërmori mbrëmjen e së hënës një aksion në zyrat e Kadastrës së Tiranës.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se gjatë aksionit të ndërmarrë pas hetimeve të SPAK janë lëshuar 5 urdhër arreste.
Janë vënë në pranga për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike shtetasit Admir Buri, Gazmend Canaj dhe Neritan Bablusha, të tre banues në Tiranë.
Janë lënë në detyrim paraqitjeje shtetasit B.H, 59 vjeç dhe G.B, 58 vjeç, të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Ndërkohë, është pezulluar nga detyra Panol At-Nikolla, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK Tiranë Rurale 2, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Rreth dy javë më parë, nëntë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK për abuzime tenderin e uniformave të policisë, vlera e të cilit arrin në 25 milionë euro.
SPAK ushtroi kontrolle në banesa e zyra të personave të dyshuar për abuzime me prokurimet publike lidhur me tenderin e vitit 2020, në përfundim të të cilave u vendos arresti me burg për anëtarët e Njësisë së Prokurimit Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleviz Hasani. Në burg ndodhen dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.