Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shoqëruar sot nga prokurorët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i kanë paraqitur Veliajt masën e sigurisë.
Sipas medieve, ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës është caktuar masa “arrest me burg”. Erion Veliaj është dërguar në bllokun e Sigurisë “Mine Peza”, ndërkohë që pritet të shoqërohet në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, ndërsa pritet njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Masa për të është caktuar nga gjyqtari Erjon Bani.
Masa “arrest shtëpie” është caktuar edhe për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxën. Ndërsa në detyrim paraqitje janë vendosur Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, është paraqitur disa herë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Akuza e SPAK bazohet mbi kallëzimin e personit anonim, Nesti Angoni. Kallëzimi u dërgua me postë në SPAK. Nisur nga kjo u regjistrua dosja në hetim por nuk ishte regjistruar emri i kryebashkiakut si person nën hetim.
Në dhjetor 2024 Kryebashkiaku i Tiranës dëshmoi para agjentëve të BKH-së si person që kishte në lidhje me veprën penale të korrupsionit pasiv, ndërkohë që kishte nisur dhe hetim pasuror. Edhe familjarët e tij janë marrë në pyetje si persona që kanë dijeni.
Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa. Me vendim të GJKKO kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ tek ish-Blloku ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura nga prokurori Ols Dado, në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij. Ndërsa i është ushtruar kontroll dhe në banesën e vëllait të Erion Velisë.
/Argumentum.al