Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) i është drejtuar me një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke i kërkuar formularin e vetëdeklarimit të ish-presidentit dhe kryetarit Partia e Lirisë, Ilir Meta.
Në njoftimin zyrtar për mediet, SPAK sqaron se kërkesa është pjesë e hetimeve të nisura ndaj Metës pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.
“Lidhur me një kërkesë që SPAK i ka drejtuar KQZ, sqarojmë se ajo kërkesë është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit Halit Valteri. Hetimet vazhdojnë”, informoi SPAK.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, po kryen hetime në funksion të procedimit penal Nr.122, të vitit 2022. Për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal, kërkojmë kopje të formularit të vetëdeklarimit në zbatim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të dorëzuar nga ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, z.Ilir Metaj (Meta)”, thuhet në shkresën zyrtare të firmosur nga kreu i SPAK, Arben Kraja drejtuar KQZ-së.
Ish-presidenti Ilir Meta dhe kreu i Partisë së Lirisë ka reaguar lidhur me njoftimin e SPAK se ka nisur hetimet ndaj tij.
Reagimi i Ilir Metës
Meqënëse spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik ju lutem njihuni edhe me një kërkesë tjetër serioze për karagjozët më të mëdhenj të Ramaformës. Shtatori po vjen dhe Drejtësia e Popullit nuk do ndalet më!
Ramoviçin asgjë nuk e shpëton dot më!
/Argumentum.al