SPAK ka nxjerrë 4 urdhër-arreste për 4 zyrtarë të OSHEE-së, pasi akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzim me barazinë në tendera, duke favorizuar një kompani italiane dhe duke përfituar ryshfet 132 mijë euro. Katër zyrtarët favorizuan kompaninë italiane “Com Metodi” s.p.a me seli në Milano në Itali, dhe përfituan një ryshfet që shkon deri në 132 mijë euro. Tenderi i kundërshtuar u zhvillua në vitin 2016 dhe sipas akuzës ka qenë Albana Ferraj që ka arkëtuar shumën nëpërmjet një kompanie të tretë.
Aktualisht në pranga janë vënë ish drejtori i prokurimeve të OSHEE, Elis Bushati, Athinta Papa, Irma Derhiri, ndërsa Albana Ferraj, drejtoreshë e kabinetit pranë OSHEE është ende në kërkim. Albana Ferraj akuzohet për korrupsion pasiv, ku SPAK ka dhënë ndaj saj “Arrest me Burg”.
Ndaj Elis Bushatit është dhënë “arrest me burg” për shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera. Ndërsa ndaj Athinta Papa dhe Irma Derhiri, anëtare të komisionit të vlerësimit të ofertave, janë dhënë masa “arrest shtëpie” për shkelje të barazisë të pjesëmarrësve në tendera.
Pas arrestimit të zyrtarëve, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka sqaruar se ka vënë në dispozicion të SPAK materialet e kërkuara dhe se po bashkëpunojnë maksimalisht për të zbardhur hetimet.
“Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mbështet organet ligjzbatuese në kryerjen e detyrës së tyre për verifikimin e çdo dyshimi e pretendimi për abuzim apo shkelje ligjore nga çdo punonjës apo ish-punonjës i kompanisë.
Referuar rastit të publikuar ditën e sotme në media, OSHEE sqaron se ka vënë në dispozicion të plotë të SPAK të gjitha materialet e kërkuara dhe ka ofruar bashkëpunim maksimal për të zbardhur plotësisht këtë rast hetimi”, shkruan OSHEE./h.e