Ish-kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako është ndaluar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Kështu, raportohet në medie, ndërsa pritet edhe njoftimi zyrtar i SPAK.
Në medie raportohet se SPAK, ka lëshuar 10 urdhërarreste për ish-zyrtarë të bashkisë Durrës, mes tyre dhe Dako. Nga mediet bëhet me dije se për 7 prej tyre është firmosur masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për 3 prej tyre është dhënë masa e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë po sot, kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “duhet bërë durim edhe në luftën kundër korrupsionit, sepse kemi hyrë në një fazë komplet të re, ku për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin”.
Në fjalën e tij në turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, në Berat, Rama theksoi se “natyrisht që kjo nuk është e lehtë, këtu ka edhe gjëra që të bëjnë të ndihesh jo mirë, qoftë për arsye se s’ke si ndihesh mirë kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje, dhe pastaj është në krah avokatit dhe përballë prokurorit apo gjykatësit dhe me siguri diçka ka ndodhur”.
“Por, edhe kur shikon sesi mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë dhe gjëra që nuk shkojnë, të gjitha këto janë pjesë e një procesi, janë pjesë e një historie të re dhe rruga është e përpjetë, nuk është dishesë në këtë drejtim. Por kini parasysh që për herë të parë po ndodh kjo në historinë e popullit tonë. Kurrë s’ka ndodhur më parë. Për këtë ne duhet të jemi krenarë për PS dhe gjithë kontributin që japim”, tha Rama.
/Argumentum.al