Sot më 24 shkurt bëhen dy vite nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës! Dy vite më parë Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, agresion i cili kushtoi të paktën 400 mijë viktima në të dy frontet.
Shqipëria ka treguar që ka qëndruar krah Ukrainës dhe ka dënuar agresionin rus në Ukrainë. Mesazhe solidariteti në këtë 2-vjeçar vijnë krerët më të lartë të politikës në Shqipëri duke treguar edhe një herë mbështetjen politiko-diplomatike dhe jo vetëm ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh në 2-vjetorin e nisjes së agresionit rus në Ukrainë, luftë e cila vazhdon duke sjellë viktima dhe shkatërrime bashkë me rrezikun e përhapjes së konfliktit.
“Sot jemi dëshmitarë të qëndresës heroike të popullit ukrainas për liri, dinjitet dhe për mbrojtjen e vendit”, shprehet Presidenti Begaj i cili sjell në vëmendje pasojat e kësaj lufte.
Kreu i shtetit rikonfirmon qëndrimin e Shqipërisë krah Ukrainës dhe në mbrojtje të vlerave universale.
“Dy vjet nga agresioni i pa provokuar dhe i pa justifikuar ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Sot jemi dëshmitarë të qëndresës heroike të popullit ukrainas për liri, dinjitet dhe për mbrojtjen e vendit. Ukraina sot është ndërgjegjja jonë. Vlerat tona të përbashkëta dhe liria jonë janë në rrezik. Do të jemi gjithmonë në krah të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe në mbrojtje të vlerave universale”, u shpreh Begaj
Kryeministri Rama: Lufta e zgjedhur e Rusisë në Ukrainë është e paligjshme, e padrejtë dhe e pajustifikuar.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një video-mesazhi i është drejtuar popullit ukrainas me fjalë mbështetëse në dyvjetorin e pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
“Lufta e zgjedhur e Rusisë në Ukrainë është e paligjshme, e padrejtë dhe e pajustifikuar. Të ndihmosh Ukrainën për të mbrojtur veten është dhe duhet të mbetet. Angazhimi ynë kolektiv si një investim vendimtar për një botë të bazuar në të drejta, jo në fuqi, për një të ardhme të bazuar në bashkëpunim , jo agresioni, për një botë të bazuar në liri, jo në imponim. Duke bërë këtë luftë të bazuar në hartat e epokës së gurit, Vladimir Putin po pretendon të drejtën e Rusisë për të jetuar në të kaluarën. Përmes reagimit tonë të vendosur ndaj agresionit të Rusisë, ne pohojmë të drejtën tonë të jetojmë të lirë dhe të punojmë të gjithë së bashku drejt së ardhmes në të cilën besojmë”., theksoi ai ne kete mesazh per popullin ukrainas
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani: Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka theksuar sot mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj Ukrainës. Në dy vjetorin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Hasani shprehet se “pa provokim, pa justifikim, Ushtria Ruse nisi një pushtim kundër një kombi sovran dhe të pavarur në Evropë, diçka që kontinenti ynë nuk e kishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore”.
Ministri shton se “prej dy vitesh, ne kemi qenë dëshmitarë të tmerreve të këtij pushtimi: shkatërrim, plaçkitje, përdhunime, vrasje të civilëve të pafajshëm dhe rrëmbime të mijëra fëmijëve ukrainas. Mariupol dhe Bucha mbahen mend për barbarinë e shfaqur nga ushtria ruse kundër kombit të lirë dhe të pavarur ukrainas”.
Sipas tij, rezistenca e heroike e popullit ukrainas ka fituar admirimin e mbarë botës dhe ka mobilizuar solidaritet dhe mbështetje të pashoqe.
“Jam krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në mbështetje të Ukrainës, përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë. Jam, veçanërisht, krenar për rolin që Shqipëria ka luajtur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën dhe për të izoluar dhe dënuar Rusinë në luftën e saj të paligjshme. Ne kemi bërë të pamundurën për të mbështetur Ukrainën, sepse besojmë se Ukraina dhe populli i saj meritojnë të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen që mund të marrin në luftën e tyre të drejtë”, thekson kryediplomati shqiptar.
Ministri shton më tej se “ne kemi bërë maksimumin për të mbështetur Ukrainën dhe popullin e saj, edhe sepse kuptojmë se lufta e tyre është një luftë për sigurinë e Evropës dhe sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Çdo gjë tjetër, do të inkurajonte çdo diktator dhe komb mashtrues në botë që të ndjekë rrugën e Vladimir Putin, duke e zvogëluar kështu ligjin ndërkombëtar në ligjin e xhunglës”.
Hasani vë në dukje se “për ne, në Ballkanin Perëndimor, lufta në Ukrainë ka ringjallur kujtime dhe emocione të dhimbshme nga vitet 1990, kur rajoni ynë ishte shtëpia e luftës së fundit në Evropë. Por, lufta në Ukrainë ka ndikuar seriozisht edhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”.
Gjithashtu, ministri i Jashtëm sjell në vëmendje Samitin Ukrainë – Ballkani Perëndimor që mbahet më 28 shkurt, në Tiranë.
“Ky Samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si ne mund të punojmë së bashku dhe si mund të ofrojmë të gjithë mbështetjen që mundemi për Ukrainën, të vetëdijshëm se duke ndihmuar Ukrainën ne po kontribuojmë gjithashtu në sigurinë dhe stabilitetin e rajonin tonë dhe Evropës”, deklaron ministri Hasani.
Gjithashtu Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se, mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus është siguri për Evropën dhe gjithë botën.
Në një reagim me rastin e dy vjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Peleshi theksoi se, “pas dy vitesh luftë, populli i Ukrainës dhe Forcat e saj të Armatosura vazhdojnë të qëndrojnë të fortë!”.
“Mbështetja për Ukrainën kundër agresionit Rus është siguri për Evropën dhe gjithë botën. Shqipëria do të vijojë pa kushte të jetë përkrah aleatëve dhe partnerëve në ndihmë të popullit dhe qeverisë ukrainase”, nënvizoi Peleshi.
Ministri i Mbrojtjes u shpreh “vullnetplotë për të bërë gjithçka mundemi, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj për liri”.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj Lindita Nikolla: Shqipëria, e vendosur kundër agresionit dhe pro luftës së drejtë të Ukrainës
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dha sot një mesazh në dyvjetorin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Sot, dy vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria ka dënuar ashpërsisht shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, dhe ka mbështetur e mbështet fuqimisht luftën e imponuar dhe të drejtë të popullit të Ukrainës”, u shpreh Nikolla.
“Kuvendi, nëpërmjet Rezolutës së miratuar menjëherë pas këtij sulmi, ka mbështetur masat e ndërmarra nga qeveria, në bashkërendim me aleatët SHBA dhe BE, sanksionet ekonomike, veprimet diplomatike dhe ndihmën ushtarake e humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”, theksoi Nikolla.
“Si bashkëpenëmbajtëse me ShBA në KS të OKB për mbështetjen e Ukrainës, Shqipëria ka qenë e vendosur kundër agresionit dhe pro luftës së drejtë të Ukrainës. I tillë do të vijojë qëndrimi ynë deri në çlirimin e Ukrainës. Slava Ukraini!”, përfundoi mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Edhe Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sot në 2-vjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, ai theksoi se “është dita që të gjithë të jemi bashkë në një përgjigje ndaj antivlerave që vënë në rrezik sigurinë kolektive”.
“Dy vite më parë Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të një vendi të lirë dhe demokratik siç është Ukraina. Kjo tregon se paqja dhe demokracia mund të vihen nën sulm nga autokratë edhe në shekullin e XXI”, u shpreh Bardhi, në një reagim në rrjetet sociale. Ndërsa vlerësoi qëndresën heroike të qytetarëve të Ukrainës, Bardhi u solidarizua me çdo viktimë të sulmeve barbare ruse.
Manifestim në mbështetje të Ukrainës, Shkurov: Shqipëria, solidaritet dhe mbështetje për qytetarët tanë
Në Tiranë u mbajt sot një manifestim në solidaritet me Ukrainën 2 vite nga agresioni rus.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov në fjalën e tij në aktivitetin e organizuar në sheshin përpara Bashkisë së Tiranës shprehu falënderime te tij për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Ukrainës.
“Ju falënderoj për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Ne jemi sot këtu për të dënuar agresionin rus kundër Ukrainës”, tha ai.
“Asnjëherë nuk do ta harrojmë mëngjesin e 24 shkurtit 2022. Asnjëri prej njerëzve nuk mund ta besonte se Rusia mund të sulmonte, por ajo bëri pikërisht një akt agresioni. Këto 2 vite na kanë treguar se kush jemi dhe kush janë miqtë tanë”, theksoi Shkurov
Shkurov uroi edhe ukrainasit që jetojnë në Shqipëri dhe falenderoi qeverinë shqiptare për ndihmën dhe mbështetjen.
“Jam mirënjohës për qeverinë shqiptare që kanë zgjatur pikërisht rezidencën e tyre dhe mbrojtjen për këta qytetarë që ishin të detyruar të linin atdheun e tyre”.
“Falënderoj partnerët tanë të BE-së, NATO-s, Britanisë së Madhe, Gjermaninë, Francën, Spanjën, Italinë, Sllovakinë dhe shumë vende të tjera që kanë dhënë ndihmën e tyre të çmuar”.
Shkurov gjithashtu falënderoi Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, kryeministrin Edi Rama dhe Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla për solidaritetin që kanë treguar me popullin e Ukrainës.
“Veçanërisht për këto 2 vite mbështetje që kanë treguar gjithashtu edhe përsa i përket drejtimit që Shqipëria ka pasur në Këshillin e Sigurimit dhe për ndihmën financiare që qeveria shqiptare ka dhënë për Ukrainën”, tha ambasadori ukrainas.
Gjithashtu, Shkurov falënderoi edhe popullin shqiptar për ndihmën e madhe që kanë dhënë për popullin ukrainas.
Shkurov gjithashtu falënderoi bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun Erion Veliaj për ndihmën e vazhdueshme.
Ai falënderoi edhe anëtarët e qeverisë dhe të partive partive politike shqiptare dhe ambasadorët e të gjitha vendeve që ishin të pranishëm, për solidaritetin e treguar ndaj popullit të Ukrainës.
Shqiperia qe ne krye te heres ka qene dhe vijon te jete ne krah te Ukrianes. Gjatë mandatit dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria luajti një rol aktiv në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si një prej vendeve që ka mbështetur Ukrainën.
Shqipëria ishte krah Shteteve të bashkuara të Amerikës si bashkëpenëmbajtëse e çështjes së Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Gjithashtu me iniciativë të kryeministrit të Shqipërisë, Z.Edi Rama, më 28 Shkurt, Tirana do të jetë mikpritëse e një samiti për Ukrainën, ku padyshim fokusi do të vendoset tek lufta dhe mbështetja ndaj Ukrainës. Më 28 shkurt në Tiranë merr pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri.
Kujtojmë se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
Dy vjet më vonë, numri i viktimave nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës shkon në dhjetëra mijëra, ndërkohë që shumë jetë të tjera janë çrrënjosur dhe qytete të tëra janë rrënuar. Dëmet materiale të shkaktuara nga lufta, të cilën Moska e filloi më 24 shkurt 2022 si një “operacion special ushtarak”, vlerësohet në qindra miliarda dollarë.
Sipas një raporti të fundit nga Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC), rreth 14.6 milionë ukrainas vlerësohet të kenë nevojë për ndihmë humanitare që nga ky vit, duke përfshirë 3.7 milionë të zhvendosur brenda vendit.
Që nga 24 shkurt 2022, lufta ka marrë jetën e të paktën 10,582 civilëve, duke përfshirë 5,017 burra, 3,093 gra dhe 587 fëmijë, sipas shifrave të fundit të OKB-së të publikuara këtë javë. Numri i të plagosurve është të paktën 19,875, duke përfshirë 6,524 burra, 4,546 gra dhe 1,298 fëmijë, njoftoi Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa Lufta Rusi-Ukrainë do të hyjë në vitin e saj të tretë këtë të shtunë, pasigurite jane edhe me te medha. Me furnizimet me armatime në Ukrianë dhe me stërvitjen më të madhe të NATO-s në sfond, lind pyetja; A po shkohet drejt një lufte të pafund dhe më të gjerë?
/Argumentum.al