Ndërsa aleanca e NATO-s feston këtë vit 75-vjetorin e krijimit dhe Shqipëria është në prag të 15-vjetorit të anëtarësimit të saj në këtë aleance ushtarake, pikërisht në Shqipëri, u hap zyrtarisht të hënën (4 mars 2024) baza ajrore taktike e NATO-s, pasi e transformoi bazën prej dekadash në një qendër moderne për operacionet ajrore të ardhshme të NATO-s. E vendosur rreth 80 kilometra në jug të Tiranës, baza ajrore e Kuçovës do t’i shërbejë Shqipërisë dhe do të mbështesë logjistikën, operacionet ajrore, dhe stërvitjet e Aleancës. NATO financoi përmirësimin e bazës me rreth 50 milionë euro.
Ceremonia e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes nisi me performimin e himneve të NATO-s dhe të Shqipërisë nga orkestra Frymore e Forcave të Armatosura.
Në këtë aktivitet morën pjesë krerët më të lartë të shtetit dhe përfaqësues të Aleancës. Pjesë e ceremonisë ishin presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar të Shqipërisë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, përfaqësuesi ushtarak i Türkiyes në NATO, gjenerali Yüksel Kayhan, përfaqësues të NATO-s dhe vendeve anëtare të Aleancës, si dhe ambasadorë, përfshirë edhe ambasadorin turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.
Në nisje të ceremonisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi sot se ky është investimi më madhor i NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si një “bazë ajrore taktike dhe operacionale” për Aleancën në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
“Sot deklarojmë zyrtarisht hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Mbi këtë pistë, MIG-u i fundit ka fluturuar pothuaj 19 vjet më parë. Erdhi koha që në Kuçovë të ndihet jehona e avionëve të NATO-s, mbrojtësve të qiejve tanë, në dekadën më të rrezikshme të historisë moderne të rajonit dhe të mbarë Europës”, nënvizoi Peleshi.
Ministri shtoi se “ndjenja e krenarisë që sot provojmë është mëse e ligjshme, jo vetëm për rezultatin e dukshëm të një ekipi të jashtëzakonshëm ekspertësh dhe teknikësh që kanë punuar ditë e natë për ringritjen e kësaj baze, por edhe për faktin se një vend i vogël si Shqipëria ka nderin dhe privilegjin t’i ofrojë Aleancës këtë aset të vyer në skemën e saj të mbrojtjes kolektive”.
Ai u shpreh se “një ekip i jashtëzakonshëm ka punuar ditë e natë për ngritjen e kësaj baze”.
Ministri tha se Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për Forcat tona Ajrore, për të cilat vëmendja dhe investimi nuk do të rreshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullsisë sonë, por edhe të aleatëve tanë.
“Helikopterët ‘Black Hawk’ dhe dronët ‘Bayraktar’, të siguruar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Türkiyes, janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm, në një të ardhme të afërt dhe për këtë qëllim po punohet fort”, nënvizoi Peleshi.
Presidenti Begaj: NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve
Në fjalën e tij presidenti Begaj u shpreh se kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.
“Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, u shpreh Begaj.
Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen të gjithë aleatëve në NATO, veçanërisht partnerit strategjik, SHBA-së, për mbështetjen e paçmuar që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugëtimin euroatlantik.
“Detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë. Baza ajrore taktike e NATO-s, e ngritur në Kuçovë, ku historia takohet me modernen, simbolizon një urë ku e shkuara dhe e tashmja bashkohen për të siguruar një të ardhme të sigurt. Ky zhvillim nuk është vetëm një arritje ushtarake, është simbol i qartë i angazhimit tonë për të mbrojtur vendin, dhe parimet e vlerat demokratike që ne, si aleatë të NATO-s, ndajmë së bashku”, shtoi ai.
Sipas Presidentit, “Shqipëria dhe Kuçova nuk u zgjodhën rastësisht. Kjo dëshmon vlerësimin dhe besimin që aleatët kanë te Shqipëria, si një partnere e denjë dhe e përkushtuar. NATO nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për Aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës”.
Kryeministri Rama: Baza Ajrore Taktike e NATO-s, në Kuçovë forcon angazhimin e Shqipërisë për paqe dhe siguri në rajon
Kryeministri Rama u shpreh se baza është një tjetër element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili tha ai e “dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.
“Unë jam posaçërisht i lumtur sot që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë edhe plot miq, partnerë, aleatë, të cilët do të doja të falënderoja, në mënyrë të posaçme ministrin e Mbrojtjes së Italisë, i cili ka ardhur edhe me disa avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër, do doja të falënderoj miqtë dhe aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët për thuajse tre dekada e mbajtën gjallë frymën e kësaj baze, e cila sot është tërësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”, tha ne fjalen e tij Kryeministri Rama.
Rama theksoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës ajrore. “Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha Rama.
“Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano (Durrës), gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, u shpreh Rama.
Gjenerali Yüksel Kayhan: “Türkiye dhe Shqipëria si dy aleatë të NATO-s kanë bashkëpunim të ngushtë”
Përfaqësuesi ushtarak i Türkiyes në NATO, Gjenerali Yüksel Kayhan, theksoi se uron që Baza Ajrore e Kuçovës të jetë një ogur i mirë për Shqipërinë dhe Aleancën.
Kayhan tha se Shqipëria është zhvilluar në çdo fushë pothuajse në vitet e fundi dhe theksoi se mes Türkiyes dhe Shqipërisë ekziston një miqësi dhe vëllazëri e thellë historike për më shumë se 500 vjet.
“Türkiye dhe Shqipëria si dy aleatë të NATO-s kanë bashkëpunim të ngushtë për sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal. Forcimi i Türkiyes si një partner i rëndësishëm në aspektin ushtarak ka një rëndësi kritike për forcën dhe efikasitetin e Aleancës në rajon”, u shpreh Kayhan.
Komandanti i qendrës së operacioneve ajrore të kombinuara të NATO-s, gjeneral Juan Pablo Sanchez De Lara, u shpreh se Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s.
“Përurimi i Bazës Ajrore të Kuçovës dëshmon se aleanca jonë me një qasje 360 gradë është e angazhuar mjaft në rajon. Jam i sigurt që kjo bazë ajrore do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s do të përmirësojë ndërveprueshmërinë, rezistencën dhe bashkëveprimin në kuadër të Aleancës. Së bashku do të qëndrojmë gjithmonë krah njëri-tjetrit”, tha De Lara.
Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, në ceremoni tha se sot kremtojnë një moment domethënës. Crosetto theksoi se përurimi i bazës vjen në një moment ndryshimesh të thella dhe të shpejta në arenën ndërkombëtare dhe sipas tij përurimi është një pikënisje për bashkëpunime dhe nisma të përbashkëta në të ardhmen.
Gjatë ceremonisë u realizuan edhe ekspozime dhe fluturime të mjeteve ajrore si avionë, helikopterë dhe dronët turq “Bayraktar” TB2, dronë që tashmë janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Pas fjalimeve në ceremoni, dy avionë luftarakë të SHBA-së F-16 dhe dy avionë luftarakë F-35 nga Baza Ajrore Aviano në Itali fluturuan ndërsa dy Eurofighters u ulën.
Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s u zgjodh nga Aleanca për ndërtimin e një baze taktike ajrore në rajon dhe në janar të vitit 2022 filloi puna në terren për realizimin e projektit për modernizimin e Bazës Ajrore në Kuçovë, e cila ka shërbyer për disa dekada si bazë ajrore, për ta shndërruar atë në një bazë taktike të NATO-s.
Sipas autoriteteve shqiptare, nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Projekti në fjalë përfshinte punimet mbi infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, pistën, rrugët lidhëse, si dhe asetet e tjera ndihmëse.
Zyrtarët thanë se baza e re ajrore do të shërbejë si një qendër moderne e operacioneve, për trajnimin dhe pritjen e një sërë avionësh luftarakë.
Baza e Kuçoves, e cila do të përfaqësojë infrastrukturën për aktivitetet e NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe për operacionet mbështetëse në zonën më të gjerë të Mesdheut Lindor dhe rajonit të Detit të Zi.
Baza e Kuçovës synohet të përdoret, nëse është e nevojshme, për pritjen e avionëve luftarakë italianë dhe grekë që kanë për detyrë mbrojtjen e hapësirës ajrore shqiptare në kuadër të Sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të NATO-s.
Gjithashtu, forcat ajrore italiane dhe greke mbulojnë Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe të dy vendet, si dhe Shqipëria, duhet të kenë një bazë ku mund të zbarkojnë luftëtarët aleatë.
Kujtojmë se në stërvitjet e mëdha të NATO-s në 2021 dhe 2023 u kontrollua dislokimi i shpejtë i ushtrisë amerikane nga pjesa kontinentale e SHBA-së në Detin Mesdhe. Në këto aktivitete, një pozicion i veçantë iu dha Shqipërisë, ku amerikanët zbarkuan në portin e Durrësit dhe përdorte terrenin e Bizës për stërvitje luftarake. Në të ardhmen, për stërvitje të tilla, duket se Kuçova do të jetë baza kryesore për pritjen e forcave amerikane dhe aktiviteteve të tyre në Ballkan.
Kuçova dje dhe sot
Baza ajrore e qytetit të Kuçovës, që dikur mbante emrin Stalin për nder të diktatorit të Bashkimit Sovjetik, nisi të ndërtohej në fillim të viteve 1950 nga sovjetikët, të cilët ndihmuan në ngritjen e saj dhe trajnimin e pilotëve. Skuadrilja e parë me avionë luftarakë u krijua në vitin 1955, thuajse në të njëjtën kohë me krijimin e Paktit të Varshavës.
Në kohën kur baza u përfundua në vitin 1955, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Moskës po përmirësoheshin. Në fillim të viteve 1960, udhëheqja shqiptare, e zhgënjyer nga destalinizimi i BRSS, iu drejtua Kinës.
Megjithatë, gjatë rebelimit të vitit 1997, civilët hynë në bazë dhe vodhën gjithçka që mund të hiqej, duke bërë që kjo bazë të degradohej. Por tashmë, Baza e Kuçovës pas këtij investimi nga NATO është kthyer në një bazë moderne me dy pista 2.853 dhe 2.500 metra të gjata.
Baza e Kuçovës është projekti më i madh i NATO-s në Shqipëri në dekadën e fundit. Puna e rinovimit filloi me një ceremoni themelimi në 2019 dhe përfshin përmirësime dhe rinovime në kullën e kontrollit, pistat, hangarët dhe objektet e magazinimit. Punimet u financuan nga Programi i Investimeve në Siguri i NATO-s (NSIP) i cili mbulon projektet kryesore të ndërtimit të mbrojtjes në vendet aleate.
/Argumentum.al