Këshilltari i Shtetit dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi zhvilloi të premten një vizitë në Shqipëri në kuadër të një turi rajonal, ku u takua me Presidentin Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama ndërsa zhvilloi bisedime zyrtare me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme, ministrat gjatë takimit në Tiranë shkëmbyen mendime për situatën e marrëdhënieve dypalëshe, duke theksuar vullnetin e ndërsjellë për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike. Pjesë e bisedës ishte edhe shkëmbimi i mendimeve për bashkëpunimin mes dy vendeve në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Shqipëria do të jetë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023. “Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e ndërsjellë për të zhvilluar konsultime dhe për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira për bashkëpunim dhe mirëkuptim”, thuhet në deklaratë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, dhe Këshilltari i Shtetit dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Wang Yi, shkëmbyen mendime mbi situatën e marrëdhënieve dypalëshe ku u theksua vullneti reciprok për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomike, tregtare, kulturore, por edhe diplomatike e politike.
Një vend të veçantë zuri në këtë bisedë edhe shkëmbimi i mendimeve mbi bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit ku Shqipëria do të ulet për një mandat dy vjeçar gjatë viteve 2022 – 2023. Të dy ministrat konfirmuan vullnetin e dyanshëm për të zhvilluar konsultime e për të bërë përpjekje të sinqerta për të gjetur hapësira bashkëpunimi e mirëkuptimi.
“Shqipëria ndjek sot një politikë të jashtme të bazuar tek parime e vlera që frymëzohen nga eksperienca jonë historike. Ne kemi vullnetin e plotë për të bashkëpunuar ngushtë me Republikën Popullore Kineze për të gjithë ato çështje ku ndajmë qëndrime e interesa të përbashkëta, duke njohur e vlerësuar rolin dhe peshën e Kinës në arenën globale,’ u shpreh Ministrja Xhaçka.
Bisedimet u përqendruan tek bashkëpunimi dypalësh dhe mundësitë për zhvillimin e tij të mëtejshëm në fushat me interes të ndërsjelltë, me fokus bashkëpunimin ekonomik e kulturor, luftën kundër pandemisë dhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, si dhe bashkëpunimin në kuadër të nismave rajonale [Kinë-CEEC]. Dy ministrat mbështetën heqjen e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të vizitojnë Kinën, për të cilën Ministri Yi vlerësoi se vendi i tij do të respektojë parimin e reciprocitetit.
Vizita e Ministrit Wang Yi është e para e një krydiplomati të Republikës Popullore të Kinës që prej vitit 2011
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim miqësor me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang Yi.
Presidenti Meta vlerësoi miqësinë tradicionale dhe marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve, si dhe shprehu dëshirën për t’i forcuar edhe më tej ato në të ardhmen.
“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, – nënvizoi Kreu i Shteti gjatë takimit.
Presidenti Meta, duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e siguroi Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës, Sh.T.Z. Wang Yi për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u takua të premten në Tiranë me këshilltarin e Shtetit dhe ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi.
Rama i kërkoi Wang Yi-së t’i përcjellë përshëndetjet e tij të sinqerta dhe urimet më të mira udhëheqjes kineze. Ai tha se miqësia midis Shqipërisë e Kinës ka një histori të veçantë dhe ndikim të gjerë e të thellë. Shqipëria dikur luajti një rol aktiv në rivendosjen e statusit të ligjshëm të Kinës në Kombet e Bashkuara, dhe ajo është ende shumë krenare për këtë. Pala shqiptare e respekton Kinën, admiron arritjet e zhvillimit të Kinës dhe vlerëson rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Kinës në arenën ndërkombëtare. Pala shqiptare do t’i përmbahet me vendosmëri politikës së “Një Kine” dhe shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme, duke shtuar gjallërinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Wang Yi i përcolli Ramës urimet e përzemërta të udhëheqësve kinezë. Ai tha se miqësia tradicionale mes Kinës e Shqipërisë është e rrënjosur thellë në zemrat e popullit, jo vetëm si një kujtim historik që ia vlen të ruhet, por edhe një themel i thellë për zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Kombi kinez thekson dashurinë e traditën dhe kujton mënyrën se nga erdhi, pavarësisht sa larg shkon. “Ne do të kujtojmë gjithmonë mbështetjen e drejtë të Shqipërisë dhe miqësinë e thellë mes dy popujve. Pavarësisht se sa të mëdha janë arritjet tona, ne do të vazhdojmë të nxjerrim përvojë dhe mençuri nga logjika e zhvillimit historik, të këmbëngulim për barazinë midis vendeve të mëdha e të vogla dhe të këmbëngulim në mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë. Pavarësisht nga vështirësitë dhe pengesat që do të hasim, ne do të mbrojmë me vendosmëri dinjitetin kombëtar dhe të drejtat dhe interesat e ligjshme, do të mbrojmë me vendosmëri drejtësinë e barazinë ndërkombëtare dhe do të kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha politikat e forcës dhe praktikat e ngacmimit,” u shpreh kreu i diplomacisë kineze. Ai theksoi se Kina është e gatshme të punojë me Shqipërinë për t’u kujdesur për interesat thelbësorë të njëri-tjetrit, për të promovuar miqësinë tradicionale, për të rritur besimin e ndërsjellë politik, për të thelluar bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë në fusha të ndryshme, si ekonomia, tregtia e investimet, infrastruktura dhe shkëmbimet kulturore, për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet Kinë-Shqipëri në epokën e re historike.
Wang Yi shtoi më tej se Kina mbështet efektin lëvizës të “motorit të dyfishtë” të bashkëpunimit Kinë-Evropë Qendrore e Lindore dhe bashkëpunimit Kinë-Evropë për t’i ndihmuar vendet e Evropës Qendrore e Lindore të arrijnë një zhvillim më të madh. Kryeministri Rama u shpreh se pala shqiptare mbështet në mënyrë aktive bashkëpunimin Kinë-Evropë Qendrore e Lindore dhe është e gatshme të bashkëpunojë për ta shndërruar potencialin e bashkëpunimit në rezultate bashkëpunimi. Ai mirëpriti më shumë kompani kineze të investojnë në Shqipëri.
Vizita e ministrit të Jashtëm kinez është e para në Shqipëri e një kryediplomati të Republikës Popullore të Kinës që nga viti 2011.