Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka zhvilluar këtë të martë në Shqipëri viziten e parë zyrtare në Tiranë, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Vizita e delegacionit të nivelit të lartë nga Azerbajxhani, ku Presidenti Aliyev shoqërohet ndër të tjera dhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar, shënon një pikë të rëndësishme të marrëdhënies dypalëshe Shqipëri-Azerbajxhan.
“Shqipëria synon të shtojë bashkëpunimin me Azerbajxhanin në sektorët jetikë si energjia, infrastruktura dhe turizmi, si dhe të kthehet në një vend përfitues të transmetimit të gazit”.
Kjo u theksua sot në takimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, gjatë vizitës së parë të një presidenti azer në Shqipëri.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj u shpreh se, “kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një President nga Azerbajxhani”.
“Vizitat e niveleve të larta janë shprehje e qartë e vullnetit dypalësh për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë”, tha Begaj.
“Shpreha vlerësimet më të mira për dialogun e shkëlqyer politik dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe kam bindjen se kjo vizitë e juaja, – zoti President – do t’i japë një shtysë të fuqishme bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët”, theksoi Begaj.
Begaj nënvizoi se, “viti i ardhshëm shënon edhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja. Pranverën e vitit të ardhshëm presim që të zhvillohet Java e Azerbajxhanit në vendin tonë, si një mundësi e mirë për të njohur më mirë dhe më nga afër kulturat e njëri-tjetrit”.
Gjithashtu, shtoi Begaj, “diskutuam mbi propozimin e palës azere për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike”.
“Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit. Biseduam për nevojën e mbajtjes së Komisionit të Përbashkët Ekonomik në vitin 2023, si instrumenti më i mirë politiko-teknik për të vendosur piketat konkrete të bashkëpunimit dhe programuar vazhdimësinë për vitet e ardhshme”, tha Begaj.
Kreu i Shtetit nënvizoi se, “Shqipëria synon një bashkëpunim më të ngushtë, veçanërisht në sektorë jetikë, si energjia dhe infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe prodhimtaria. Infrastruktura energjetike dhe ajo e gazit po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për të gjitha vendet. Gazsjellësi Adriatiko-Jonian IAP, – përmes TAP-it, – lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Kroacinë e Bosnjën, duke e kthyer vendin tonë në një shpërndarës dhe diversifikues rajonal të gazit; me rëndësi gjeostrategjike në planin rajonal dhe evropian”.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë. Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit”, theksoi Begaj.
“Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030. Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzore dhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do të shfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, u shpreh Begaj.
“Turizmi përbën një sektor të rëndësishëm të ekonomive të dy vendeve tona dhe një fushë me interes të përbashkët. Azerbajxhani ka përvojë të konsiderueshme, nga e cila ne mund të përfitojmë. I konfirmova Presidentit se ne mirëpresim investimet dhe kompanitë nga Azerbajxhani për zhvillimin e sektorit të turizmit në vendin tonë”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se, “për të intensifikuar shkëmbimet në fushën e turizmit mes dy vendeve, folëm edhe për mundësitë e heqjes së vizave për qytetarët tanë”.
“Ndamë mendimin se kultura mbetet gjithmonë mënyra më e natyrshme për të afruar dy popuj. Bashkëpunimi në fushën e kulturës ka qenë mjaft i ngushtë, i konkretizuar me marrëveshje të nënshkruara dhe zbatuara nga dy palët. Vetëm në kuadër të projektit të TAP-t, vendi jonë ka arritur të zbulojë rreth 44, 000 artefakte të rralla”, tha Begaj.
Begaj i shprehu falënderimet presidentit Aliyev për kujdesin që TAP-i ka treguar në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore, gjatë punimeve të projektit, por edhe për ndihmën e qeverisë së Azerbajxhanit në zbutjen e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 2019.
“Biseduam për situatën e sigurisë në rajonin tonë, në Kaukazin Jugor dhe për pasojat e gjithanshme të luftës në Ukrainë. I konfirmova Presidentit Aliyev se politika e jashtme e Shqipërisë mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit Jugor, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes diplomacisë dhe dialogut, me ndërmjetësimin e aktorëve të pranuar ndërkombëtarë, si BE, OKB, OSBE”, deklaroi Begaj.
“Tirana ka qenë gjithmonë mbështetëse ndaj integritetit territorial të Azerbajxhanit dhe në favor të zbatimit të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me kënaqësi ndamë qëndrimin tonë të përbashkët për luftën në Ukrainë se ne mbështesim integritetin territorial të Ukrainës dhe se vetëm zgjidhja paqësore dhe respektimi i ligjeve ndërkombëtare janë rruga e vetme për paqen afatgjatë. Me Presidentin biseduam për bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona në organizma të rëndësishëm kombëtarë: OKB, OSBE, KiE (Këshilli i Evropës)”, tha Begaj.
“Vlerësojmë mbështetjen e Azerbajxhanit për kandidaturën e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, bashkëpunimin e treguar gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, apo dhe mbështetjen tonë për kandidaturën e Azerbajxhanit për EXPO 2025. Vlerësuam se mbështetja e kandidaturave reciproke duhet të vijojë më tej edhe në të ardhmen”, u shpreh Begaj.
“Përsa i përket rajonit tonë, i shpreha Presidentit mik Aliyev qëndrimin se Kosova është tejet e rëndësishme për Shqipërinë. Stabiliteti dhe përparimi demokratik i Kosovës është i rëndësishëm jo vetëm për ne, por për qëndrueshmërinë dhe përparimin e gjithë rajonit tonë. Ne inkurajojmë qeverinë e Azerbajxhanit që të mbështesë dhe mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizma të ndryshëm ndërkombëtarë, si në Këshillin e Evropës apo njohjen e dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të Kosovës”, tha Begaj.
“Jo më pak i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërparlamentar. Krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit duhet të ndiqet nga hapa të tjerë, që krijojnë mundësitë për intensifikim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve tona”, përfundoi Begaj.
“Për herë të parë në vendin tuaj të bukur, ndihem shumë i lumtur që gjendem këtu. Jam besimplotë që kjo vizitë do t’i japë një shtysë të fortë marrëdhënies mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Sot kemi diskutuar shumë çështje së bashku dhe kemi shprehur besimin tonë se kjo hap mundësi shumë të mira për zhvillime në të ardhmen. Sa i takon marrëdhënieve tona politike, presidentët shqiptarë në vitet e mëparshme e kanë vizituar shpesh Azerbajxhanin. Këtë vit ne patëm ish-Presidentin tuaj që vizitoi Azerbajxhanin dhe në Prill, Rama ishte miku ynë. Vizita ime dëshmon se dialogu politik ka horizonte shumë të mira dhe një dinamikë shumë të mirë. Në këto kontekste të afërta ne shfaqim dëshirat, interesat e përbashkëta dhe në të njëjtën kohë shpresoj që edhe të diskutojmë shumë çështje. Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në organizatat ndërkombëtare po forcon lidhjet tona, marrëdhëniet tona, dhe ju e thatë, Shqipëria është mbështetëse e integritetit territorial të Azerbajxhanit. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje”, u shpreh Aliyev.
Të dy krerët e shteteve përmendën gazsjellësin TAP, ndërsa theksuan se mund të ketë bashkëpunim mes kompanive të Azerbajxhanit dhe të Shqipërisë edhe në fusha të tjera të ekonomisë.
Një ndër çështjet e diskutuara mes presidentëve ishte edhe ajo e energjisë dhe gazit. Aliyev u shpreh se Azerbajxhani është gati të ndihmojë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.
“Në të njëjtën kohë lidhur me infrastrukturën e gazit, vendi ynë kërkon ta ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide. Deri më tani nuk ka pasur një infrastrukturë të mirëzhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Sot kjo çështje dhe çështje të tjera që lidhen me energjinë do të diskutohen sërish e sërish”, u shpreh Presidenti i Azerbajxhanit.
“Sigurisht ndaj pikëpamjen tuaj sa i takon fushave ekonomike dhe të industrisë për të pasur takimin e parë të grupit të përbashkët sepse ka shumë çështje për të diskutuar. Kemi folur për bashkëpunimin tonë në fushën e gazit, si për arritjet që kemi përftuar po kështu edhe për punën që shtrihet përpara nesh. Megjithatë mendoj që ka mundësi shumë të mira edhe në fusha të tjera dhe ndërveprimi midis kompanive shqiptare dhe azerbajxhanase, në turizëm, bujqësi në teknologjitë moderne e di që të gjitha këto fusha janë përparësi për të dy ne, kësisoj në këto fusha jam besimplotë që do të bëjmë hapa përpara vendimtare. Sa i takon furnizimit me gaz, Azerbajxhani dhe Shqipëria janë anëtarë të projektit TAP dhe gjithashtu edhe në zbatimin e Korridorit Jugor të gazit, vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses. Nën drejtimin tonë ka patur takim të këshillit të 1 mijë përfaqësuesve të gazit, ndërkohë që Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha takimet e këtij këshilli.
“Vizita ime dëshmon se dialogu politik ka horizonte shumë të mira dhe një dinamikë shumë të mirë. Në këto kontekste të afërta, ne shfaqim dëshirat, interesat e përbashkëta dhe në të njëjtën kohë shpresoj që të diskutojmë shumë çështje”, tha Aliyev.
“Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në organizatat ndërkombëtare forcon lidhjet tona, marrëdhëniet tona dhe ju e thatë që Shqipëria është mbështetëse e integritetit territorial të Azerbajxhanit. Dhe kjo mbështetje ka qenë gjithmonë e ndërsjellët. Dhe ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje, qoftë në fazën e pushtimit, e po kështu edhe gjatë fazës së luftës në Nagorki Karabak dhe gjithë mbështetjen që ju na e keni treguar ne, e vlerësojmë shumë”, tha ai.
Aliyev shtoi se, “për njerëzit tanë, për vendin tonë, një çështje e rëndësishme është edhe mbështetja e vendit tuaj për ne. Sigurisht kjo është shumë e rëndësishme për ne dhe e edhe njëherë jam vërtetë mirënjohës për këtë mbështetje”.
“Sigurisht, ndaj pikëpamjen tuaj sa i takon fushave ekonomike dhe të industrisë për të pasur takimin e parë të grupit të përbashkët sepse ka shumë çështje për të diskutuar. Kemi folur për bashkëpunimin tonë në fushën e gazit. Si për arritjet që kemi përftuar, po kështu edhe për punën që shtrihet përpara nesh”, u shpreh Aliyev.
Megjithatë, theksoi ai, “mendoj që ka mundësi shumë të mira edhe në fusha të tjera dhe ndërveprimi midis kompanive shqiptare dhe azere në turizëm, në bujqësi, në teknologjitë moderne. E di që të gjitha këto fusha janë përparësi për të dy ne, për vendin tuja dhe tonin. Kësisoj në këto fusha jam besimplotë që do të bëjmë hapa përpara vendimtare”.
Sa i takon furnizimit me gaz, Aliyev u shpreh se, “Shqipëria dhe Azerbajxhani janë anëtarë të projektit TAP dhe gjithashtu edhe në zbatimin e korridorit jugor të gazit, vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses”.
“Aktualisht gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjetike të Evropës. Në korrik patëm komisionin midis BE-së dhe Azerbajxhanit. nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin strategjik dhe deri në 2027-ën, mbështetur në këtë memorandum, kemi planin të dyfishojmë vëllimin e furnizimeve me gaz për Evropën. Sigurisht ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë dhe kjo do t’i japë mbështetje dhe kontribut shtesë sigurisë energjetike të Evropës”, theksoi presidenti i Azerbajxhanit.
“Depozitat tona të energjisë dhe gazit janë shumë të pasura dhe aktualisht TAP dhe TANAP të dy gazsjellësit mund të diskutohen për të rritur kapacitetet e tyre me 2 herë, pra dy fish. Sapo kemi përuruar këtë projekt gjatë dy viteve të fundit. Por mendoj që të dyja këto, pra të dy këta gazsjellës që janë pjesë përbërëse e korridorit të gazit, mund të dyfishohen dhe mund të diskutohet duke qenë se ka një nevojë për këtë gjë. Kësisoj zyrtarët e BE-së po na njohin e po na vlerësojnë si një partner i besueshëm”, tha ai.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi. Në të njëjtën kohë, lidhur me infrastrukturën e gazit vendi ynë kërkon ta ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide, deri më tani, nuk ka pasur një infrastrukturë të mirë zhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Sot kjo çështje dhe çështje të tjera që lidhen me energjinë do të diskutohen sërish e sërish”, u shpreh Aliyev.
Ai theksoi se, “Azerbajxhani ka një platformë bashkëpunimi mjaft të ngushtë me NATO-n. Në Afganistan kemi marrë pjesë në operacionet e kryesuara nga NATO për vite të tëra. Dhe mes vendeve jo anëtare të NATO-s, ishim të parët që u bëmë pjesë e misioneve paqeruajtëse dhe ishim nga të fundit vende që u larguam nga Afganistani”.
“Kjo nënkupton se ne i dimë përgjegjësitë tona dhe Shqipëria si anëtare e NATO-s, gjithmonë na ka ofruar një mbështetje të madhe për marrëdhënien tonë me NATO-n. kështu që jam mirënjohës për mbështetjen e vendit”, u shpreh ai.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev në fund të fjalës ftoi për një vizitë në Azerbajxhan Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.
/Argumentum.al