Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar zhvilloji vizitën e tij të parë në Shqipëri, në një kohë aspak të qetë për Partinë Demokratike.
Kjo vizitë përkon me Ditën Ndërkombëtare kundër korrupsionit. Më heret Ambasada e SHBA-se informoi se Escobar do të diskutojë mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Takimi i parë i vizitës së tij zyrtare ishte me kreun e PD-së. Në orën 11: 53 minuta zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar mbërriti në selinë e PD-së për tu takuar me kryetarin Lulzim Basha.
Pas takimit me kryetarin e PD-së Basha, zyrtari i lartë i SHBA-së Escobar në një prononcim për mediet tha se, “jam i kënaqur që ndodhem në Tiranë. Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe më kanë rezervuar një mikpritje shumë të ngrohtë”.
“Isha gjithashtu i lumtur që pata mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s dhe integrimit evropian, si dhe luftën kundër korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë edhe sanksionet. Por, për ta kthyer këtë në realitet, do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare”, tha Escobar.
Po ashtu, Escobar shtoi se, “do të pres me kënaqësi që të zhvilloj bisedime të tjera këtë pasdite dhe gjithashtu dhe pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD. Dhe gjithashtu pres me kënaqësi që unë ta takojë Bashën në Uashington sapo të ketë mundësi”.
Pas takimit, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i SHBA dhe është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë.
“Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpres sot në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër Korrupsionit, përfaqësuesin e Lartë të shteteve të Bashkuara të Amerikës, Escobar. Lufta kundër korrupsionit është përcaktuar si një interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është edhe më shumë interes kombëtar i Shqipërisë. Është ajo për të cilën Partia Demokratike, ka luftuar dhe është përpjekur më shumë se gjithçka tjetër në këto 8 vite. Që nga iniciativat tona për dekriminalizimin e politikës, tek miratimi i ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi sipas përcaktimeve të Venecias, me insistimin e Partisë Demokratike, tek ligji për SPAK-un dhe BKH-në, po kështu të miratuara me iniciativën dhe ndryshimet Kushtetuese dhe ligjore të Partisë Demokratike dhe mbështetjen amerikane, tek iniciativa jonë për vetingun e politikanëve për të pastruar politikën nga krimi i organizuar, të gjitha këto dëshmojnë se Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit, që është kyçi për zgjidhjen e gjithë problemeve që ka Shqipëria sot. Nga demokracia e plagosur rëndë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, tek sundimi i ligjit dhe dhënia fund të pandëshkueshmërisë dhe siç e kemi parë tashmë me një hap të shpallur, siç është ai i sanksioneve siç edhe ai ndaj individëve dhe kompanive që mbështesin politikanët e korruptuar në Kosovë, edhe sa i përket pra midis politikanëve të korruptuar, oligarkëve dhe krimit të organizuar”, u shpreh Basha në një prononcim për mediet.
Basha shtoi se “prioritetet e Partisë Demokratike kanë qenë këto, betejat e Partisë Demokratike kanë qenë këto dhe është kënaqësi e jashtëzakonshme që të shohim një rikthim të fuqishëm si prioritet të parë dhe kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkan dhe në Shqipëri, të një beteje që e kemi luftuar për vite me radhë”.
I pyetur nga gazetarët nëse diskutuan për shpalljen e ish-kryeministrit Berisha non grata” në SHBA, Basha u shpreh se “pa diskutim që çështja e pandëshkueshmërisë, sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit, ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit”.
Lidhur me vizitën e tij në Uashington, kreu i PD-së tha se “është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe pa diksutim po planifikoj një vizitë në Uashington në mënyrë që të shtyjmë përpara jo vetëm objektivat politike të Partisë Demokratike, por atë që është sot axhenda e çdo familje shqiptare, dalja nga kjo gjendje pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen përpara të Shqipërisë me reformat politike, me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe me procesin e integrimit europian të Shqipërisë që garancitë janë spirancat e mirëqenies ekonomike dhe punësimit. Dy objektivave kryesore të shqiptarëve, dy objektivave kryesore të Partisë Demokratike”.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar ka vijuar takimet e tij të parashikuara në axhendë me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka takuar sot Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.
Përmes një postimi në rrjetet sociale ajo shpreh mirënjohje për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Takim i shkëlqyer me Zv.Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar. Mirënjohje për mbështetjen e SHBA për Shqipërinë dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria është e përkushtuar për stabilitetin dhe integrimin euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor dhe mirëpret bashkëpunimin me miqtë dhe partnerët për agjendën e rajonit”, shkruan Xhaçka
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, e ka përmbyllur ditën e tij vizitore në Tiranë me takimin e fundit të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama.
Takimi ka zgjatur një orë, por deri ne momentin e prgatitjes se ketij materiali, ende nuk është zbardhur ky takim
Megjithate vetë ambasada amerikane në Tiranë ka bëre një përshkrim të shkurtet të takimeve të zyrtarit Amerikan në Tiranë.
“Ambasada shkruan se Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi më 9 dhjetor Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e saj të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe rikonfirmoi mbështetjen e fortë të SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ai vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Escobar mirëpriti forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, bashkëpunimin tonë në fushën e mbrojtjes si aleatë të NATO-s dhe krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime. Escobar mirëpriti gjithashtu punën e përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë për integrimin rajonal dhe global – veçanërisht kur të dyja vendet do të shërbejmë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në 2022″.