Lufta tregtare e SHBA-Kinë përbën rrezikun më të madh për stabilitetin global dhe mesa duket stabilizimi fiskal është i nevojshëm për t’iu përgjigjur goditjeve ekonomike në Europë.
Kështu u shpreh më herët ditën e sotme drejtori i Zyrës së FMN-së, David Lipton. “Natyrisht, kjo nuk është çështje vetëm për Europën. Shtetet e Bashkuara gjithashtu duhet të venë në rregull anën e tyre fiskale. Tensionet tregtare SHBA-Kinë përbëjnë rrezikun më të madh për stabilitetin global”-tha Lipton gjatë një konference në Lisbonë.
Mosmarrëveshja tregtare, e cila filloi rreth tetë muaj më parë, ka ndikuar në rrjedhën e miliarda dollarëve të mallrave midis ekonomive më të mëdha në botë. Lipton tha se besonte se kapaciteti i stabilizimit fiskal duhet të jetë në qendër të reduktimit të rrezikut në Europë, duke e përshkruar atë si vendimtar për t’ju “përgjigjur goditjeve makroekonomike dhe për të përmirësuar kombinimin e politikës fiskale-monetare”.
“Në mungesën e saj, eurozona do të mbetet e mbingarkuar nga politika monetare për stabilizim dhe shumë prej barrës së reagimit ndaj krizës do të rëndojë mbi vendet individuale, me aftësinë e tyre për të reaguar në varësi të hapësirës fiskale të secilit vend.” Lipton tha se planifikimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian po ngjallte pasiguri në Europë dhe më gjerë. Sa i përket ngadalësimit ekonomik të Europës, Lipton tha se çdo shtet anëtar i BE duhet të “forcojë mbrojtjen e tyre përpara një rënie të mundshme”.
“Një recesion serioz mund të jetë shumë i dëmshëm për këto vende, sepse ata do të tregojnë që janë të keq përgatitur” -tha ai. “Dobësitë e tyre mund të paraqesin një pengesë serioze për qëllimin e Europës për konvergjencën e standardeve të jetesës, produktivitetit dhe mirëqenies kombëtare”.