Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier i është drejtuar me një thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të bashkëpunuar në luftë kundër pandemisë Corona.
Nëse pas pandemisë nuk duam të jetojmë në një botë, në të cilën zë më shumë vend parimi „secili është kundër tjetrit dhe secili për vete”, atëherë kemi nevojë për racionalizmin e mençur të shoqërive dhe qeverive tona. Steinmeier iu drejtua me një fjalim në formë videoje të dielën pjesëmarrësve me rastin e hapjes së Konferencës për Shëndetin „World Health Summit”. Një pandemi që vihet nën kontroll në vend, por jo jashtë kufijve, vazhdon të kushtojë jetë njerëzish dhe mirëqenie.
Jo nacionalizëm me vaksinat
Pandemia duhet të luftohet në frymën e bashkëpunimit e jo në “frymën e nacionalizmit vaksinor”. Në të gjithë botën shtete të ndryshme, edhe Gjermania, kanë lidhur kontrata me prodhuesit bioteknologjikë për miliona doza vaksine që para daljes së saj. „Ne të gjithë e dimë, që qeveritë në radhë të parë kanë detyrimin për popullsinë e tyre”, tha Steinmeier. Por tek e vërteta bën pjesë edhe një tjetër, që sigurimi i hershëm i vaksinës që bëjnë disa shkon në dëm të të tjerëve. Steinmeier bëri thirrje, që të mbështetet iniciativa ndërkombëtare e vaksinimit, Covax. Kjo iniciativë e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë angazhohet për një shpërndarje të drejtë të mjeteve edhe në vendet e varfra.
Si rrallë në historinë e njerëzimit kanë dal në pah tani në kohën e pandemisë nga njëra anë frytet jetëshpëtuese dhe të mirëqenies të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nga ana tjetër pasojat e pazemërta të një politike „secili për vete”, tha Steinmeier. „Nëse ne dështojmë këtu, si mundemi të ruajmë shpresën, që do të fitojmë edhe luftën kundër ndryshimit kompleks të klimës?”
Samiti disaditor „World Health Summit” ishte parashikuar të zhvillohej nga e diela me pjesëmarrjen e 2000 organizatave e ekspertëve në Berlin. Për shkak të pandemisë edhe ky samit u kthye në një konferencë online. Pjesëmarrësit diskutojnë vetëm me video me njëri-tjetrin./dw