NATO dhe Bashkimi Evropian po punojnë ngushtë për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore, deklaroi kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për situatën në veri të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë për ‘’depërshkallëzim të situatës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga Bashkimit Evropian’’.
Sipas tij, ‘’ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, dhe stabilitetin në rajon’’.
“Është e rëndësishme që tensionet në Kosovë të ulen dhe kjo është detyrë dhe përgjegjësi e të dyja palëve dhe prandaj NATO mirëpret përpjekjet në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja për uljen e tensioneve. Mendoj se situata në Kosovë dhe gjithashtu prania e NATO-s, tregon se si NATO dhe Bashkimi Evropian punojnë ngushtë së bashku në gjetjen e një rruge përpara për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore’’, theksoi ai.
‘’NATO ka prezencën apo paqeruajtësit në Kosovë në forcat e KFOR-it. Ne kemi mandatin e OKB-së dhe natyrisht i qëndrojmë besnik mandatit të OKB-së. Ne kemi rritur gjithashtu praninë tonë të trupave të KFOR-it në Kosovë si reflektim i tensioneve të rritura që kemi parë gjatë javëve të fundit, dhe ajo që NATO bën në Kosovë është e paanshme’’, shtoi ai.
‘’I ftojmë të dyja palët që të angazhohen në mirëbesim në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në Kosovë”, apelon Stoltenberg.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian pritet të zhvillojnë takime në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri.
Lidhur me këtë, Stoltenberg, u bë këtë thirrje palëve për kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE.
Ai ka thënë se ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon.
Kujtojmë që forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.
Me qëllim të shtensionimit të situatës, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pritet të zhvillojë takime sot në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.