Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me ceremoni zyrtare ka pritur sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Shkup, raporton Anadolu.
Kjo është vizita e parë e shefit të NATO-s në Maqedoninë e Veriut pasi vendi u bë anëtar i plotfuqishëm i aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg iu drejtua Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Shkup të martën (21 nëntor 2023), duke shënuar fjalimin e parë të tillë që nga anëtarësimi i vendit në NATO.
Në fjalimin e tij, Stoltenberg tha se Ballkani Perëndimor është thelbësor për sigurinë e Evropës. Ai falënderoi Maqedoninë e Veriut për përkushtimin e saj për sigurinë e Aleancës, duke përfshirë mbështetjen e vlefshme për misionin paqeruajtës të NATO-s KFOR në Kosovë. Sekretari i Përgjithshëm përshëndeti ndihmën e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën: “Këtu, në këtë Asamble, ju jeni të bashkuar në denoncimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.
Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2020, pas marrëveshjes së Prespës, për të cilën Stoltenberg tha se “kontribuoi në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe një të ardhme më të ndritshme për popullin e Maqedonisë së Veriut”. Sekretari i Përgjithshëm shtoi se Maqedonia e Veriut është shembull i një shoqërie të suksesshme multietnike: “Ju i demonstroni rajonit dhe mbarë botës se është e mundur që grupet e ndryshme etnike dhe fetare të jetojnë së bashku në paqe”, tha ai.
Duke folur më herët pas një takimi me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Sekretari i Përgjithshëm tha: “NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut dhe Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO. Aleanca garanton sigurinë tuaj. Ju jeni të mbuluar nga policia ajrore e NATO-s. Avionë luftarakë nga Greqia dhe Italia patrullojnë qiellin tuaj për t’ju mbajtur të sigurt. Ky është solidariteti i NATO-s në veprim.”
Stoltenberg paralajmëroi gjithashtu se shtetet autoritare po kërkojnë të minojnë lirinë dhe mënyrën tonë të jetesës, duke përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor. Ai tha: “Përgjigja jonë duhet të jetë të punojmë edhe më ngushtë së bashku në NATO. Nëpërmjet pranisë sonë ushtarake dhe bashkëpunimit tonë me aleatët dhe partnerët, ne jemi një forcë e fortë për stabilitet në rajon.”
Gjatë qëndrimit në Shkup, z. Stoltenberg po takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski dhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.
/Argumentum.al