Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përsëriti të premten thirrjen për Rusinë, që Moska të ulë tensionet për Ukrainën, të respektojë sovranitetin e Ukrainës dhe t’i kthehet diplomacisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj rajonale.
Zoti Stoltenberg i bëri komentet në Paris, ndërsa zhvilloi takime me Ministrin e Jashtëm të Francës Jean-Yves Le Drian dhe Ministren e Forcave të Armatosura, Florence Parly.
Prej disa javësh Rusia ka shtuar trupat dhe artilerinë e rëndë ushtarake në kufirin e saj me Ukrainën. Raportet e agjencive amerikane të zbulimit lënë të kuptohet se Rusia kishte plane për të dërguar më shumë se 100,000 trupa në kufi, në përgatitje të një sulmi të mundshëm në fillim të vitit të ardhshëm. Rusia i mohon njoftimet.
Shtimi i trupave ruse në kufi me Ukrainën ishte temë e një takimi ministror të Natos javën e shkuar dhe një video-konference të martën mes Presidentit Joe Biden dhe homologut rus Vladimir Putin.
Duke folur në Paris, shefi i NATO-s tha se e kishte mirëpritur dialogun midis dy presidentëve, duke theksuar se kriza kërkon një zgjidhje politike dhe diplomatike.
Ministri i Jashtëm francez, Le Drian, përsëriti se çdo sulm ndaj integritetit të Ukrainës do të kishte “pasoja strategjike masive” për Rusinë, që do të thotë sanksione të reja ekonomike.
Sekretari Stoltenberg komentoi gjithashtu një fjalim të mbajtur të enjten nga Presidenti Emmanuel Macron, përpara se Franca të marrë presidencën gjashtëmujore të radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm.
Në atë fjalim, Presidenti Macron foli për një “Evropë sovrane” të fortë dhe bëri thirrje për forcimin e aftësive mbrojtëse të bllokut.
Shefi i NATO-s tha se mbështet përpjekjet e reja për të përmirësuar mbrojtjen evropiane, por ai paralajmëroi se rajoni kishte nevojë për aftësi më të mira që mund të përdoren si nga NATO-ja ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, dhe jo “struktura të reja që rrezikojnë të dublojnë atë që kemi tashmë”./Voa