Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Jens Stoltenberg, deklaroi se protokolli për hyrjen e Maqedonisë në NATO do të nënshkruhet për një kohë të shpejtë, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
“Do të nënshkruhet protokolli për pranim në NATO dhe këtë mund ta bëjmë shumë shpejt. Për ratifikim do të duhet më shumë kohë, gjithçka varet nga 29-të parlamentet”, tha Stoltenberg për Politiko Evropa.
Mundet që tashmë gjatë kësaj jave, ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s do të nënshkruajnë protokoll. Disa vende anëtare si Sllovenia tashmë morën dritën jeshile për këtë, siç deklaroi ambasadori slloven Jelko Kacin.
“Sapo të nënshkruhet protokolli për pranim, Shkupi do të ulet në tavolinë”, tha Stoltenberg.
Kjo nënkupton që Maqedonia do të marrë pjesë si vend vëzhgues në të gjitha formatet kryesore në takimet e Aleancës, por anëtare e plotëfuqishme do të bëhet vetëm nëse të gjitha 29 parlamentet do ta ratifikojnë protokollin e pranimit.
“Herën e kaluar na duhej rreth një viti”, deklaroi shefi i Aleancës duke e komentuar anëtarësimin e Malit të Zi në vitin 2017.
Siç njoftoi MIA të premten, Kacin ka parashikim të fuqishëm, flamuri i Maqedonisë do të mund të valvitet para selisë së Aleancës në Bruksel deri në fund të këtij vitit, më së voni në fillim të vitit 2020.