Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se “Turqia është një aleate e vlefshme dhe ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas një takimi të zhvilluar me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë, Stoltenberg përgëzoi SHBA-të për vrasjen e kreut të DEASH-it, Abu Bakr al-Baghdadi dhe shprehu idenë e tij se “Kjo është një pikë shumë e rëndësishme në luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit”.
Lidhur me deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron se “NATO ka pësuar vdekje të trurit” Stoltenberg theksoi se “Në të vërtetë NATO është më e fuqishme dhe më e shpejtë se çka qenë për shumë vite më parë”.
Stoltenberg tha se nevojitet një zgjidhje politike në lidhje me krizën në veri të Sirisë. “Duhet ta pranojmë se Turqia është vendi që është përballur më shumë me sulmet terroriste dhe se ajo është aleatja jonë që strehon 3.6 milionë refugjatë sirianë. Po ka shumë ide lidhur me praninë e Turqinë në veri të Sirisë, por në të njëjtën kohë Turqia është një aleate e vlefshme dhe ka një rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit”, shtoi Stoltenberg.
“Mirëpresim bisedimet mes Turqisë dhe SHBA-ve”
Pasi ka bërë të ditur se blerja e sistemit rus S-400 nga Turqia ka krijuar shumë debate, Stoltenberg tha se “Mirëpresim bisedimet mes Turqisë dhe SHBA-ve të cilat vazhdojnë për sistemet e mbrojtjes, përshirë edhe sistemet Patriot”.
Në anën tjetër Stoltenberg në një postim në llogarinë e tij në Twitter ka bërë të ditur se në takim kanë diskutuar çështjen e përgatitjeve për takimin që krerët e qeverive dhe vendeve anëtare të NATO-s do të zhvillojnë në dhjetor në Londër.
“Mesazhi i presidentit Trump për shpenzimet e mbrojtjes pati një ndikim të vërtetë, duke shtuar 100 miliardë dollarë nga Evropa dhe Kanadaja. Kjo e bën më të fuqishme NATO-n”, shkroi Stoltenberg duke postuar edhe një fotografi të shkrepur gjatë takimit në zyrën ovale.