70 vjet më parë Strasburgu, pika emblematike e konfrontimit dhe pajtimit historik franko – gjerman u bë selia e Këshillit të Evropës( KiE) të sapokrijuar, në ADN-në e të cilit janë të drejtat dhe lirive themelore të njeriut, si themeli i shtetit të së drejtës. Për garantimin e tyre moral dhe ligjor u ngrit Gykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mbi bazën e Konventës me të njëjtin emër. Qysh atëhere, por sidomos pas shembjes së Murit të Berlinit dhe ribashkimit evropian, mbrojtja, respektimi dhe zhvillimi i tyre ka qenë në krye të axhendës dhe për diplomacinë ndërkombëtare.
Së bashku me OSBE-në, BE-në dhe komunitetin ndërkombëtar me SHBA-të në krye KiE ka ushtruar trysni efektivee por jo vetëm mbi çdo vend në këto fusha me ndjeshmëri të madhe publike; ato u bënë kushti themelor i domosdoshëm për integrimin ndërkombëtar dhe antarësimin në BE, NATO, përfitimin e ndihmave dhe mbështetjes së gjithanshme për reforma demokratike. Madje, genocidi i pashembullt në Ruandë më 1994, ku u masakruan 800.000 të pafajshëm nën hundën e trupave të OKB-së, e më vonë në Srebrenicë e Kosovë bëri që ish Sekretari i saj i Përgjithshëm Kofi Annan të shpallte tezën e « ndërhyrjes demokratike në punët e brendshme » të një shteti kur shkelen këto parime dhe vlera demokratike. Siç pohonte nga fundi i viteve 90 Robin Cook, ish ministër i jashtëm laburist britanik « Politika e jashtme duhet të ketë dimension etik dhe ne duhet të mbështetim kërkesat e popujve të tjerë për të drejtat e tyre demokratike për të cilat ne këmbëngulim»
Mirëpo këto 10 vitet e fundit, vëmendja e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare për dimensionin e lartpërmendur etik dhe moral është zbehur ndjeshëm; theksi i saj po vihet më tepër te pragmatizmi, dmth te interesat afat-gjatë politike, ekonomike, të sigurisë, duke lënë « prapa liste » vlerat demokratike. Kjo bie në sy dhe në zgjedhjet e tanishme evropiane, ku vështirë të gjesh një forcë politike që e ka në programin e vet këtë temë, se për përparësi nuk bëhet fjalë.
Ndërmjet aktorëve/faktorëve kryesorë me ndikim në këtë kthesë negative janë: euforia e parakohshme e Perëndimit pas ngjarjeveve të vitit 1989/1990, kur politikani/filozofi i shquar amerikan Francis Fukuyama pohonte se « ky është fundi i historisë së komunizmit dhe fitorja e epokës së liberalizmit dhe demokracisë ». Në fakt, shumë raporte zyrtare ndërkombëtare tregojnë se « treni » dhe trendi i fitores së demokracisë ka ndaluar, madje po bën hapa prapa.
Gjithashtu, krijimi i botës njëpolare me SHBA-në dhe fuqizimi i BE-në krijuan një « inflacion » iluzionesh dhe jashtë realitetit në terren. Më vonë, krizat e njëpasnjëshme politike, ekonomike dhe financiare tronditën rëndë dhe vetë vendet antare të BE-së, bashkë me përshkallëzimin e populizmit, ekstremizmit dhe euroskepticizmit që kulmuan me fitoren absurde të Brexit.
Për pasojë, sigurinë dhe begatinë e dikurshme social-ekonomike, si themeli i garantimit praktik të të drejtave/lirive themelore të njeriut po e zëvendësojnë përditë e më shumë varfëria, papunësia, pabarazitë sociale, uria dhe mjerimi, të cilat janë« shtruar këmbëkryq » dhe në vendet më të zhvilluara. Kështu, nga 111 milionë të varfër në Evropë, 14 milionë prejtyre janë vetëm në Britaninë e Madhe!
Ndërkohë, siç pohon Robert Kagan, intelektual i shquar amerikan « sot autoritarizmi është bërë sfida më e madhe e botës demokratike; në skenën gjeopolitike kanë ridalë fuqishëm kombe të mëdha, sidomos Kina dhe Rusia; veç të tjerash ato kanë propozuar anti-liberalizmin dhe modelin Euro-Aziatik si model alternativ qeverisjeje ndaj hegjemonisë së lëkundur liberale, duke sfiduar hapur edhe vlerat demokratike perendimore ». Bashkë me disa vende më të vogla ish lindore ato po synojnë instalimin e intrumentave të reja të kontrollit social, duke forcuar sundimin autoritarist nëpërmjet minimit « nga brenda » të shoqërive liberale evropiane ».
Mirëpo, begatia ekonomike, shmangia e krizave financiare, siguria e brendshme dhe rajonale, si kushte bazë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nuk mund të garantohen pa rritur ndjeshëm shkëmbimet ekonomike dhe investimet e huaja, sidomos me vendet e lartpërmendura. Ndaj, në përgjithësi, thirjet dhe qortimet e BE-së apo dhe raportet e tyre vjetore për të drejtat e njeriut po kthehen në një refren/ritual, më tepër « për të qenë brenda » me shoqërinë civile.
Më konkretisht, njihet tashmë projekti gjigand kinez “ Një brez, një rrugë” ku do të përshihen rreth 100 shtete me mbi 4,5 miliard banorë, që japin rreth 65 për qind të GDP-së botërore. Në këto kushte, problemi madhor edhe për BE-në nuk është me trysnia për të drejtat e njeriut në Kinë, por si të përballojnë këtë ekspansion të paparë kinez dhe çfarë qëndrimi të mbajnë në raport me SHBA-të dhe Rusinë. Ndryshe, BE-ja rrezikohet që në një të ardhme të afërt të shtypet si sanduiç midis tyre!
Pesë vjet më parë, Rusia aneksoi ushtarakisht Krimenë dhe Ukrainën Lindore, duke sfiduar hapur të drejtën ndërkombëtare. Sërish asgjë nuk mund të bëhet lidhur me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të vlerave demokratike në Rusi, kur në Ukrainë vriten çdo ditë njerëz. Madje, në Deklaratën e shtypit me Parlamentin Evropian pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë më 4 Prill, përfaqësuesit e ODIHR u detyruan të hiqnin termin « agresioni rus « duke e zbutur atë ndjeshëm me « konflikti në Ukrainën Lindore» çka u bë shkak për përplasje ndërmjet tyre!
Këtë tendencë negative e tregoi më qartë « Forumi i Arktikut « i mbajtur më 9 Prill në Saint Petersburg me ftesë të Rusisë. Pas një mungese të gjatë, aty u përfaqësuan dhe Norvegjia, Danimarka dhe Suedia, krahas Islandës dhe Finlandës, të cilat janë lidere botërore në fushën e të drejtave të njeriut. Vetë Kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg pranoi se në takimin e vitit 2014 me Kryeministrin Medvedev e kishte tepëruar me trysninë e saj për shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rusia; aq sa Medvedev i kishte lënë të kuptonte se kjo ishte « too much » Mungesa e tyre protestë për disa vite në atë forum nuk kishte dhënë asnjë rezultat për përmirësimin e shtetit të së drejtës. Ndërkohë, gjendja dhe sfidat në Detin e Veriut janë tepër alarmante me problematikën e tyre ulëritëse për ato vende dhe nuk mund të zgjidhen pa dialog me Rusinë. Sepse bëhet fjalë për aspekte jetike si ndryshimet klimatike, menazhimi i mbetjeve bërthamore, peshkimi, ndotja nga thasët plastikë, nxjerra e qymyrit nga Rusia deri te siguria prej saj, sidomos për Finlandën dhe Suedinë.
Në vitin 2014 edhe Këshilli i Evropës i hoqi Rusisë të drejtën e votës në Asamblenë Parlamentare pas aneksimit të Krimesë. Mirëpo, rezultati i vetëm i këtij sanksioni ishte ndërprerja e financimeve prej Rusisë prej 60 milion euro në vit, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për projektet e tij pikërisht për financimin e programeve për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut! Si përfundim, disa ditë më parë Strasburgu u « dorzua » me të drejtë përballë Realpolitikës ruse, e cila mbeti antare me peshë e KiE-së.
E njëjta situatë paraqitet me Turqinë, ndaj të cilës dihet se vërejtjet dhe kritikat nga ana e BE-së për vlerat demokratike kanë qenë të vazhdueshme duke pezulluar dhe aderimin e saj në BE. Por, pak ndryshime janë bërë nga ky kushtëzim, ndërsa shqetësimet sa vijnë e shtohen. Mirëpo, nga pikpamja e realpolitikës, veë të tjerash, Turqia ishte shpëtimtare për politikat evropiane të azilit dhe emigracionit me Marrëveshjen me BE-në për parandalimin e flukseve gjigande migratore nga Lindja e Mesme dhe strehimin e 4 milionë azilkërkuesve. Kësisoj, presioni lidhur me vlerat demokratike nuk mund të jetë efektiv, sepse pala turke do të thoshte « zgjidhni e merrni, po të dyja jo!
Veç sa sipër, këto fuqi të mëdha janë sidoqoftë dhe përcaktuese të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në botë nga rreziqe të mëdha, duke përfshirë dhe ato atomike; ndaj, vlerat demokratike « janë të dënuara » të kalojnë në plan të dytë.
Jo pa probleme paraqitet gjendja dhe në SHBA, kampione e vlerave demokratike, ku më 13 Maj, Presidenti Trump priti Kryeministrin hungarez Viktor Orban, vetëm 10 ditë përpara zgjedhjeve europiane, megjithë kundërshtimet nga të dyja krahët politikë. I thuri lëvdata dhe e « ngriti në qiell » Orbanin, por nuk i tha një fjalë të vetme e jo më « t’i tërhiqte sadopak veshin » për vlerat demokratike! Edhe pse me të drejtë Komisioni Evropian ka filluar procedurat e ndëshkimit ligjor të Hungarisë pas hapave të saj për çmontimin e shtetit të së drejtës në emër të « demokracisë joliberale »!
Theksimi i dukshëm i primatit të realpolitikës mbi vlerat demokratike të Strasburgut ka filluar të shfaqet dhe në qëndrimet e komunitetit ndërkombëtar në rajonin/vendin tonë, duke anuar ndjeshëm nga stabiliteti dhe siguria. Nisur nga problemet e brendshme por dhe nga nevojat e realpolitikës së jashtme, ekziston rreziku që të drejtat dhe liritë themelore të vazhdojnë të bien më tej në fund të tabelës së hierarkisë sonë tematike.
Ndaj, krahas zbatimit me pragmatizëm të një realpolitike efektive, mbrojtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i parimeve/vlerave themelore demokratike mbetet sfidë madhore për shtetin, politikën, median, organizatat jo- qeveritare dhe gjithë shoqërinë shqiptare.
© Argumentum