Marjana Doda
Pas muajsh shkëmbimesh diplomatike gjithnjë në rritje, dhe një shkrirje të tensioneve midis Koresë së Jugut dhe Japonisë, Presidenti Joe Biden priti kryeministrin japonez Fumio Kishida dhe presidentin e Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol në “Camp David” për një samit trepalësh më 18 gusht.
Liderët janë takuar më parë në forume më të mëdha shumëpalëshe, si samiti i NATO-s, por dhe takime të tjera bilateriale në Uashington, por takimi i Camp David shënon samitin e parë të pavarur në nivel udhëheqës midis tre vendeve.
Nëpërmjet këtij samiti administrata e Biden po hap një faqe të re të thellimit të angazhimit për marrëdhëniet trepalëshe, në përputhje me fokusin e Strategjisë Indo-Paqësorit të SHBA-së për të ndihmuar aleatët e SHBA-së në rajon të forcojnë lidhjet e tyre, por mbi te gjitha për të shpalosur planet e tyre për forcimin e lidhjeve ushtarake, ndërkohë që propagandonin qëllimisht retorikën për të ashtuquajturin “kërcënim kinez”.
Në një deklaratë të lëshuar pas përfundimit të samitit, të tre liderët njoftuan një “angazhim të ri për t’u konsultuar”, një linjë telefonike trepalëshe, një angazhim për të kryer stërvitje vjetore ushtarake dhe shkëmbim të inteligjencës dhe një samit të ri vjetor trepalësh.
CFP
“Një epokë e re bashkëpunimi” – kështu e ka përshkruar presidenti amerikan Joe Biden takimin e tij me liderët e Koresë së Jugut dhe Japonisë në Camp David në Maryland.
Do të ishte vërtetë historike nëse do ishte folur më shumë për ekonominë, ndryshimet klimatike, etj., përkundrazi, në këtë takim trilaterial u theksua mbrojtja, siguria, duke sjellë frymë përçarëse dhe pasigurie në rajon.
Administrata e Biden pretendon se SHBA-të përballen me një “dekadë vendimtare” në rivalitetin e saj për të mposhtur Kinën. Kjo pasqyron ndjenjën e urgjencës së Uashingtonit për të frenuar Kinën, e tenton të formojë një bllok për të kryer një rrethim më intensiv të Kinës, duke rritur efikasitetin dhe fleksibilitetin e veprimeve të saj.
Në veçanti, administrata e Biden ka rritur përpjekjet e saj për të joshur administratën Yoon Suk-yeol në Korenë e Jugut, për shembull, duke i ngritur marrëdhëniet SHBA-ROK në një “aleancë strategjike gjithëpërfshirëse globale” dhe duke inkurajuar Japoninë dhe Korenë e Jugut që të pajtojnë tensionet.
Bashkëpunimi i sigurisë SHBA-Japoni-ROK ka qenë në rritje. Stërvitjet ushtarake trepalëshe, të cilat ishin ndërprerë prej vitesh, kanë rifilluar, duke mbuluar skenarë luftarakë të botës reale, si operacionet anti-nëndetëse, mbrojtja nga raketat dhe operacionet amfibe. Ndërsa këto veprime duket se synojnë “kërcënimin e raketave bërthamore” të DPRK-së, fokusi i tyre në Kinë është gjithnjë e më i dukshëm.
Për më tepër, Uashingtoni, Tokio dhe Seuli kanë forcuar komunikimin për çështjen e sigurisë ekonomike, duke lënë të kuptohet për një përpjekje të koordinuar për t’u shkëputur nga Pekini. Riformësimi i zinxhirëve të furnizimit dhe ulja e varësisë ekonomike nga Kina, veçanërisht në fusha si gjysmëpërçuesit dhe mineralet thelbësore, janë ndër synimet strategjike të SHBA-së. SHBA kërkon të përdorë mekanizmat e koordinimit të politikave ekonomike dhe të sigurisë nën kuadrin SHBA-Japoni-ROK dhe të përdorë Kuadrin Ekonomik Indo-Paqësor (IPEF) për të dobësuar ndikimin e Kinës në zinxhirin e furnizimit Azi-Paqësor dhe për të gërryer lidhjet ekonomike midis Kinës dhe aleatëve të SHBA-së.
CFP
Një shqetësim më i madh është vendosmëria në rritje e mekanizmit trepalësh në lidhje me çështjen e Tajvanit. SHBA-ja luan kartën e Tajvanit për të nxitur blloqe të ndryshme anti-Kinë, duke përfshirë aleancën SHBA-Japoni-ROK, aleancën SHBA-Japoni-Filipine dhe aleancën SHBA-Japoni-Australi. Uashingtoni shpreson të bashkojë këto blloqe për të rritur presionin e sigurisë ushtarake mbi Kinën në rajonin Azi-Paqësor.
Por përpos kësaj, në këndvështrimin tim kjo aleancë e re i shërben vetëm SHBA-së për të forcuar marrëdhëniet dhe rolin e saj në Azi-Paqësor.
Çfarë do të thotë kjo për Kinën, Rusinë dhe Korenë e Veriut?
A do duhet që këto shtete të kërcënuara nga ky samit, të bëhen bashkë si një bllok duke shënjestruar bashkëpunimin trilaterial të dakordësuar në Camp David?
A nuk po provokohen blloqe të reja ndasish?
“Asnjë vend nuk duhet të kërkojë sigurinë e tij në kurriz të interesave të sigurisë së vendeve të tjera dhe paqes dhe stabilitetit rajonal”, duke shtuar rajonin Azi-Paqësor nuk duhet “të kthehet në një terren mundjeje për konkurrencë gjeopolitike”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze Wang Wenbin kur u pyet për takimin trepalësh.
Kina ka paraqitur përfaqësime solemne me palët përkatëse lidhur me “njollosjen dhe sulmin” e liderëve amerikanë, japonezë dhe koreano-jugorë ndaj Kinës në Camp David, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.
Udhëheqësit nga të tre vendet sulmuan Kinën për çështjen e Tajvanit dhe çështjen e Detit të Kinës Jugore në takimin e Camp David, duke ndërhyrë rëndë në punët e brendshme të Kinës, duke krijuar një pykë midis Kinës dhe vendeve fqinje dhe duke shkelur seriozisht normat bazë të ndërkombëtare marrëdhëniet, tha Wang Wenbin në një konferencë të përditshme.
Wang i kërkoi palës amerikane të ndalojë së njollosuri imazhin e Kinës dhe të dëmtojë interesat e Kinës, dhe të ndalojë krijimin e ndarjes dhe konfrontimit që minojnë paqen dhe stabilitetin rajonal.
CFP
Kush është në shënjestër nga samiti trepalësh i sigurisë në Camp David?
Shtetet e Bashkuara dhe dy nga aleatët e tyre më të afërt në Azi njoftuan të premten (18 gusht) angazhime të rinovuara përballë Kinës. Një lëvizje që provokon tensione në marrëdhëniet tashmë delikate midis SHBA-së dhe Kinës.
Samiti i Presidentit Joe Biden me kryeministrin japonez Fumio Kishida dhe presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, në Camp David kishte për qëllim të shërbente si një shfaqje force përballë Koresë se Veriut dhe Kinës.
Por ka një gabim gjeopolitik dhe diplomatik, kur Kinën dhe Korenë e Veriut i përfshinë si një bllok i vetëm.
Kina është një superfuqi ekonomike, dhe rritja e saj përkthehet në kërcënim për Perëndimin, kur në fakt do duhej të ishte e kundërta. Bashkëpunimi mes Perëndimit dhe Kinës do të ishte prioritet jo vetëm për paqen dhe garantimin e sigurisë në Azi-Paqësor por dhe për qëndrueshmërinë ekonomike globale.
Megjithatë SHBA-të kanë në targetin e tyre pikërisht Kinën, e cila akuzohet si mbështetëse e Koresë së Veriut.
Në fakt Kina nuk ka qëndruar indiferente ndaj popullit të Koresë së Veriut gjatë Pandemisë Covid-19 e po ashtu gjatë vitit të kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping i ka dërguar një letër udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në të cilën ai theksoi se Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë me Phenianin për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin rajonal dhe global.
Në fakt ky është një angazhim i fortë i Kinës përballë Koresë së Veriut që i zgjat dorën për bashkëpunim, por asesi Kina nuk është përgjegjëse për veprimet ushtarake të Phenianit.
Por sërish, nëse manovrat ushtarake, testimet e raketave me rreze të gjatë veprimi përbëjnë shqetësim e kërcënim për Korenë e Jugut, Japoninë apo edhe për vetë SHBA-të, a nuk duhet të kishim një bashkëpunim me Kinën si një vend që ka ura komunikimi me Korenë e Veriut për të shtensionuar situatën në rajonin Azi-Paqësor?
Besoj angazhimi i Kinës dhe disponibiliteti i saj nuk ka munguar në asnjë rast.
Por SHBA-të, sikundër u pa edhe në këtë samit trepalësh, më shumë se sa shqetësimin për Korenë e Veriut, e kishin për rritjen e ekonomike të Kinës dhe rolin e saj gjithnjë në rritje në arenën globale(!)
Kjo është thjesht egoizëm dhe pabesi.
Them pabesi, pasi gjatë muajt qershor-korrik kemi parë një intensifikim të vizitave zyrtare të nivelit të lartë nga Uashingtoni, të cilat janë përshëndetur dhe mirëpritur duke theksuar se çdo kanal komunikimi është me rëndësi jo vetëm për marrëdhëniet dy palëshe të të dy vendeve por për mbarë rajonin edhe më gjerë.
Gjithashtu duket se SHBA harron shpejt ose i shkel premtimet e zotimet e saj kur bëhet fjalë për Kinën. Kujtojmë angazhimin e “Pesë Jo-ve” të bërë nga udhëheqja amerikane (d.m.th. të mos kërkojë një “luftë të re të ftohtë”; jo të përpiqet të ndryshojë sistemin e Kinës; rigjallërimi i aleancave të saj nuk është kundër Kinës; të mos mbështesë “pavarësinë e Tajvanit”; të mos kërkojë konflikt me Kinën) dhe të mos shkojë më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme siç jo vetëm SHBA dhe Kina, në fakt, i gjithë komuniteti global nuk mund të përballojë një përplasje ushtarake të SHBA-së dhe Kinës, e cila nuk do të çonte në asgjë përveç shkatërrimit të njerëzimit dhe shkatërrimit të botës.
Joe Biden si “makineri lufte”
Krijimi i një aleance SHBA-Japoni-Kore e Jugut për të konsoliduar më tej hegjemoninë e SHBA-së në Azinë Lindore ka qenë prej kohësh një aspiratë amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë bashkuar në mënyrë aktive vendet rajonale në të ashtuquajturën “strategjia Indo-Paqësore” e Uashingtonit, duke reklamuar “kuadrin ekonomik Indo-Paqësor”.
Ndërsa pasi Joe Biden fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ka një intensifikim në krijimin e aleancave të reja në përmbushjen e kësaj strategjie që në thelb rrezikon të ringjallë luftën e ftohtë.
Në vitin 2021 pas dy dekadash lufte të pandërprera në Lindjen e Mesme dhe Azinë Qendrore, administrata Biden ka zbuluar rishikimin e saj të parë gjithëpërfshirës të dislokimit të forcave amerikane në nivel global – dhe parashikon një gjurmë ushtarake praktikisht të pandryshuar, me një angazhim të mprehtë ndaj Rusisë dhe Kinës sipas stilit të luftës së ftohtë.
Administrata zgjodhi të publikojë vetëm detaje të pakta të Rishikimit të Qëndrimit Global të saj më 29 nëntor të 2021, por në përmbledhjen e saj të paklasifikuar dhe në vërejtjet e zyrtarëve të Pentagonit, Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë se gjurma ushtarake e SHBA do të mbetet kryesisht e pandryshuar.
Përmbledhja e paklasifikuar portretizonte zgjerimin e vazhdueshëm të aseteve ushtarake të SHBA-së në Indo-Paqësorin – termi gjeografik i përdorur nga Pentagoni për të përshkruar një pjesë të madhe të hemisferës lindore që rrethon Kinën – si të nevojshme për të “frenuar agresionin e mundshëm ushtarak kinez dhe kërcënimet nga Koreja e Veriut”. Ndërsa Pentagoni ka ofruar pak specifika në lidhje me planet e ardhshme të Presidentit Joe Biden, rishikimi tregon një strategji në zhvillim për të zgjeruar më tej aftësitë ushtarake pranë Kinës, duke përfshirë shfrytëzimin e partneriteteve ekzistuese. “Në Australi, do të shihni dislokime të reja të avionëve luftarakë dhe bombardues. Ju do të shihni trajnimin e forcave tokësore dhe rritjen e bashkëpunimit logjistik, “tha Mara Karlin, ushtruese e detyrës së nënsekretares së mbrojtjes për politikën, në një konferencë me gazetarët. “Pra, ne po bëjmë shumë që shpresojmë të realizohen në vitet e ardhshme.”
Dhe kjo strategji e Uashingtonit po zbatohet hap pas hapi.
CFP
Në fillim u nis si Dialogu Katërpalësh i Sigurisë (Quad) së bashku me Australinë, Indinë dhe Japoninë; më pas, AUKUS. E themeluar në vitin 2021, pakti AUKUS synon të jetë një partneritet strategjik midis Australisë, Mbretërisë së Bashkuar (MB) dhe Shteteve të Bashkuara për të forcuar aftësitë e tyre parandaluese dhe mbrojtëse aleate në Indo-Paqësorin. Pakti u pa gjerësisht si një përgjigje ndaj statusit të Kinës si një supërfuqi gjithnjë e më e fortë në zhvillim.
Dhe tani, një samit SHBA-Japoni-Kore e Jugut në të cilin synimet paralele të sigurisë të dy aleatëve të Azisë Verilindore janë bashkuar me ato të Shteteve të Bashkuara si bllok kundër Kinës.
Ambicia perëndimore për shtrirjen e NATO-s në Azi-Paqësor ringjall Luftën e Ftohtë
NATO ka rritur bashkëpunimin me partnerët e saj në rajonin Indo-Paqësor në vitet e fundit, duke përfshirë pjesëmarrjen e parë ndonjëherë të krerëve të shteteve dhe qeverive të këtyre partnerëve në një samit të NATO-s, në Samitin e Madridit 2022. Në korrik 2023, liderët e partnerëve të NATO-s në Indo-Paqësor morën pjesë në samitin e dytë të NATO-s, në Vilnius.
Për të dytin vit radhazi, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat nuk janë anëtare të NATO-s, u ftuan të marrin pjesë në samitin vjetor. Kryeministri japonez Fumio Kishida u largua me një të ashtuquajtur “program partneriteti” me NATO-n, një marrëveshje prej pesë faqesh që synon të forcojë bashkëpunimin e mbrojtjes midis Japonisë dhe aleancës, deri në kryerjen e stërvitjeve të përbashkëta. Në komunikatën e përbashkët të NATO-s thuhej në mënyrë të paqartë se Kina është një kërcënim potencial që duhet marrë seriozisht.
Misioni i ri i NATO-s në Azi-Paqësor është i jashtëzakonshëm për disa arsye. Kur aleanca u formua në vitin 1949 në mes të kërcënimit të pasluftës të paraqitur nga Bashkimi Sovjetik, ajo kishte një qëllim të qartë: të mbronte Evropën Perëndimore nga kërcënimi i ekspansionizmit sovjetik. Pasi Bashkimi Sovjetik u shemb në dhjetor 1991, NATO humbi arsyen e saj të ekzistencës. Zgjerimi në Evropën Qendrore dhe Lindore nuk ishte më një pengesë dhe aleanca pothuajse është dyfishuar në madhësi nga kulmi i saj i Luftës së Ftohtë. Me kundërshtarin e saj gjeopolitik të vdekur dhe të varrosur, NATO-ja shikonte gjithnjë e më shumë jashtë Evropës, në vende si Libia, Afganistani dhe Iraku, për të ruajtur rëndësinë, deri sa u shfaq lufta në Ukrainë.
Biden theksoi se samiti nuk kishte të bënte me Kinën, dhe nuk do ketë një mini NATO në Azi, por faktet tregojnë të kundërtën.
Aleanca e NATO-s duket se ecën në një linjë me strategjinë e Biden për Indo-Paqësorin.
Një artikull me titullin “Relations with partners in the Indo-Pacific region” publikuar në faqen zyrtare të NATO-s një ditë para samitit trilaterial në “Camp David” ravijizon “projektin” e bashkëpunimit NATO- Azi-Paqësor.
“NATO po forcon dialogun dhe bashkëpunimin me partnerët e saj në rajonin Indo-Paqësor – Australi, Japoni, Republikën e Koresë dhe Zelandën e Re. Në mjedisin e sotëm kompleks të sigurisë, marrëdhëniet me partnerë me të njëjtin mendim anembanë globit janë gjithnjë e më të rëndësishme për të adresuar çështjet ndërsektoriale të sigurisë dhe sfidat globale. Indo-Paqësori është i rëndësishëm për Aleancën, duke pasur parasysh se zhvillimet në atë rajon mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë euroatlantike”, thuhet ndër të tjera në këtë publikim.
Ky dialog i vazhdueshëm siguron që NATO dhe partnerët e saj mund të rrisin ndërgjegjësimin e tyre të ndërsjellë të situatës për zhvillimet e sigurisë në rajonet Euro-Atlantike dhe Indo-Paqësorit, duke përfshirë luftën e Rusisë kundër Ukrainës, ndryshimin në balancën globale të fuqisë dhe ngritjen e Kinës, dhe situatën e sigurisë në Gadishullin Korean. Partnerët në Indo-Paqësorin kontribuojnë gjithashtu me perspektiva unike në diskutimet e politikave të NATO-s mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë, të tilla si mbrojtja kibernetike, implikimet e sigurisë të ndryshimeve klimatike, siguria detare dhe kontrolli i armëve”, justifikohet kështu dialogu dhe angazhimi politik i zgjeruar i NATO-s në Azi.
Megjithatë, mosmarrëveshjet rreth nismës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për të hapur një zyrë të NATO-s në Tokio, janë të njohura. Ndërsa Stoltenberg e sheh zyrën si një mënyrë për t’i bërë më të qëndrueshme marrëdhëniet e NATO-s me Japoninë, presidenti francez Emmanuel Macron e sheh projektin si krejtësisht të panevojshëm.
Por tashmë me samitin në Camp David shohim një rakoordim të NATO-s me presidentin amerikan, ndonëse duket se Biden vijon planin e tij i vetëm…
Ky bashkëpunim i Uashingtonit me Japoninë dhe Korenë e Jugut, i ndërtuar mbi minimin e sigurisë strategjike të kombeve të tjera, nuk mund t’i mbajë të dy vendet të sigurta. Në vend të kësaj, ajo do të përshkallëzojë rreziqet e sigurisë në rajon; Në fund të fundit, Japonia dhe Koreja e Jugut do të bëhen “kurban” dhe kjo nuk është hera e parë.
Vallë a i harroi Japonia bombat bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki?
Gjatë luftës së Dytë Botërore ajo u bë kurban i demonstrimit të fuqisë amerikane, ndërsa sot në emër të (pa)sigurisë rrezikon të bëhet kurban në Azi-Paqësor.
Shtytja agresive e Shteteve të Bashkuara për të ashtuquajturën “strategji Indo-Paqësore” po çmonton arkitekturën e krijuar mirë të bashkëpunimit rajonal dhe po minon përparimin e fituar me vështirësi drejt zhvillimit paqësor të kultivuar nga vendet në rajon për dekada të tëra.
Në sfondin e krizës së vazhdueshme në Ukrainë, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Azi-Paqësor është vendimtare për botën. Mentaliteti dhe praktikat e Luftës së Ftohtë nuk do të çojnë në siguri të qëndrueshme, por vetëm do të rrisin mundësinë e konfliktit. Komunikimi dhe bashkëpunimi autentik midis kombeve duhet të fokusohet në rritjen e prosperitetit rajonal dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit mbarë botëror./CRI