Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë televizive se “ne jemi sot më të mbrojtur se kurrë sepse jemi aleatë të SHBA dhe jemi anëtarë të NATO-s”.
Duke folur mbi iranianët e vendosur në Shqipëri, Rama tha “kur ne mund të jemi të vlefshëm duke marrë përsipër një barrë të caktuar, një operacion të caktuar si ky, ne nuk kemi asnjë mundësi ta refuzojmë”.
“Aleancat e natyrës strategjike nuk janë menu që ty të pëlqen të marrësh pjatën e parë, por jo të dytën. Ti ke detyrimet e tua por edhe momentet kur mund ta bësh veten të vlefshme për aleatët. Ne u kemi thënë aleatëve tanë se ne ofrojmë shtëpinë tonë për këta njerëz që janë në rrezik jete, ata duhet të garantojnë jetesën e tyre dhe aleatët tanë strategjikë amerikanë duhet të garantojnë sigurinë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “sot është shumë e qartë se ne e kemi bërë tonën, ata e kanë mbajtur veten, kurse aleatët tanë kanë një borxh për të larë me ne”.
“Ata janë të vetëdijshëm. Ne jemi duke diskutuar mbi këtë borxh në raport me detyrat që kemi ndarë”, tha ai.
Po ashtu, Rama theksoi se “ne e kemi të qartë se nuk kemi kapacitete që të garantojmë sigurinë jo vetëm të jetës së tyre, por sigurinë në vazhdimësi”.
“Ne nuk i kemi marrë ata këtu se ne vetë kemi, apo kemi pasur platformë lufte për të rrëzuar regjimin atje”, shtoi ai.
Rama tha se “ne nuk jemi ende sot në lartësinë e një mbrojtjeje të asaj natyre që të përballojë aktorë që janë në nivelin e lartë”.