Realpolitik “ Flash” No. 61
2 – 16 JANAR 2023
EKSKLUZIVISHT PER ARGUMENTUM
Shkurt dhe Shqip mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike me vetëm 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik
Dr. Jorgji KOTE
1. Suedi/Spanjë, sfida pa sensacione pritet të jetë Presidenca e radhës e BE-së nga Suedia për gjysmën e parë dhe Spanja për gjysmën e dytë të vitit 2023. Themi kështu, sepse siç e përmendëm dhe në rubrikën e kaluar, Presidenca Çeke i realizoi të gjitha objektivat e saj, që shtrihen dhe në vitin 2023, përfshirë në veçanti Ballkanin Perendimor. Kësisoj, Suedisë dhe më vonë Spanjës, nuk i mbetet ndonjë kulminacion tjetër apo arritje sensacionale; veç zbatimit dhe vijimit të punës së bërë deri tani nga gjithë BE-ja. Natyrisht agresioni rus në Ukrainë me pasojat e tij në të gjitha fushat do të vazhdojë të jetë në qendër të vëmendjes, krahas masave të tjera të gjithanshme politike dhe ekonomike për shmangien e pasojave të saj të mëdha. Po, highlight politik dhe diplomatik pritet të jetë Samiti II i Komunitetit Politik Europian ( KPE) në Moldavi, ca më tepër për të bërë specifikimet e rastit lidhur me karakterin dhe objektivat e tij që mbeten ende të paqarta. Po ashtu, në Ballkanin Perendimor “topi” tanimë do të luhet në portën e vendeve të tij. Shqipëria dhe Shkupi do të vijojnë me fazën e skanimit, në pritje të fillimit të vërtetë të negociatave, shpresojmë më 1 Janar 2024; Shkupi duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, me qëllim që të hiqet përfundimisht vetoja bullgare mbi të; me Kosovën do të pritet liberalizimi i vizave me formalitetet teknike të rastit, sepse vendimi politik është marrë, ndërsa Bosnia me procedurat përkatëse si vend kandidat për në BE me plot “ detyra shtëpie”. Problem shqetësues mbetet Dialogu Prishtinë – Beograd, por ai i kapërcën kufijtë e Presidencës suedeze dhe spanjolle të BE-së.
Ja pse, ndryshe nga presidencat franceze dhe çeke, ato suedeze dhe spanjolle do të jenë rutinore dhe pa ndonjë aspekt të veçantë, natyrisht nëse nuk del ndonjë e papritur tjetër gjatë vitit.
2.“3 Kunguj nën një sqetull” do të mundohet të mbajë Maqedonia e Veriut këtë vit; ajo kryeson Nismën e Kartës së Adriatikut me 5 vende, tre prej të cilave janë në NATO, OSBE-në në një periudhë plot sfida dhe ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që të zbatohet Marrëveshja me Sofjen për t’i hapur rrugën çeljes së negociatave. Shumë e vështirë për lidershipin politik në Shkup, nisur dhe nga gjendja e vështirë politike brenda vendit, përballë kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Më të vështira politikisht janë ndryshimet kushtetuese, sepse Karta e Adriatikut dhe OSBE-ja realisht janë më shumë formalitete diplomatike, pâ ndonjë ndikim dhe interes publik.
Sepse OSBE-ja nuk është më ajo e 20 viteve më parë, pesha dhe roli i saj ka rënë ndjeshëm; krijimi i Komunitetit të ri Politik Europian mund të shihet dhe si një përpjekje për zëvendësimin e OSBE-së, tani që Rusia e “ka shkelur atë me të dyja këmbët”. Nuk thonë kot “ nuk mbahen dy kunguj nën një sqetull” e jo më tre, sa ka tani Maqedonia e Veriut!
3.“Ec e ja, po dialog s’ka”! Kështu mund të thuhet për odisenë e dialogut politik Prishtinë – Beograd; zhurmë, fjalë, ec e jake pa fund nga Brukseli, Uashingtoni, Berlini, Parisi drejt Beogradit dhe Prishtinës, me thirje për dialog por dialog s’ka! Ka vetëm monologë, veç njeri e veç tjetri. Me premtimin që në Mars të bëhet Marrëveshja përfundimtare. Çfarë wishfuil thinking ose “ dëshirore”! Kur jo vetëm gjuha që përdoret në Beograd, por sidomos gjendja në terrenin konkret flet vetëm për mosmarrëveshje, kërcënime, presione… Serbia vazhdon të përdorë gjuhë të drunjtë, me asnjë shenjë distancimi nga e kaluara kriminale, asnjë afrim drejt njohjes së Kosovës por me zell drejt çnjohjeve! Vuçiç prapë deklaroi sapo takoi Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Zotin Chollet se 500 herë do ta them se nuk e njohim Kosovën!
Dhe prapë SHBA dhe BE vazhdojnë ta mbajnë “ ta përkëdhelin dhe mbajnë me hatër” Beogradin, në emër të stabilitetit. Nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të themi “ Inshallah” për këtë dialog vendimtar!
4.Kroacia në Schengen! Më 1 Janar, Hapësira “Schengen” u zgjerua me hyrjen e Kroacisë në këtë zonë të madhe të lirisë. Sukses vërtet i madh historik politik, eonomik dhe diplomatik i Kroacisë; ajo është bërë vërtet pikë reference dhe për integrimin tonë në BE. Në fakt, gjithmonë ajo ka qenë në pararojë. I mbaroi në një kohë rekord negociatat, brenda 4 viteve më 2008; u vonua vetëm për shkak të bllokadës slovene për pesë vit rresht. Sivjet bën 10 vjet që është antarësuar në BE. Sukses i bujshëm në këtë jubile! Ndërsa ne mburremi se BE-ja bëri një Samit në Tiranë, 13 vite mbas kërkesës sonë për antarësim, Kroacia ka bërë plot samite të tilla, shumë më herët, ama pa bujë e pa zhurmë!
5.Trampizmi “ plagoset” në Uashington dhe në Brazil! Vërtet, pas humbjes së Senatit dhe dështimit të “ valës së kuqe” në Kongres, ku fitoi fare ngushtë, Trump dhe republikanët pësuan një shuplakë tjetër politike javën e kaluar në Kongres. Vetëm mbas 15 raundeve me debate të ashpra u zgjodh Kryetari i ri i Kongresit, republikani Kevin Mc Carthy. Ama pas shumë lëshimeve ndaj kundërshtarëve të tij, çka i dobëson pozitat e tij dhe të republikanëve në vendimarrje. Dështimin tjetër jashtë vendit, Trumpi e pësoi në Brazil, ku “ vëllai” i vet politik Bolsonaro humbi përballë socialistit Lula. Ky i fundit erdhi për herë të tretë në pushtet, si për të vërtetuar thënien “ E treta, e vërteta”! Një javë pas inaugurimit të Lulas, mijra mbështetës të Bolsonaros mësynë dhe plaçkitën mjediset e parlamentit brazilian dhe institucioneve të tjera të larta. Një imitim i keq i 6 Janarit 2021 në Capitol Hill në Uashington, duke dhënë një imazh të keq për demokracinë braziliane, mu në zemër të saj! Me të drejtë u dënua nga të gjitha anët politike nga SHBA-të dhe Europa, por jo Trumpi. Brenda vendit, vetëm 20 për qind e mbështetin këtë rebelim ndaj një qeverie të ligjshme e të zgjedhur demokratikisht. Këto janë humbje të dhimbëshme për Trump dhe trampizmin në përgjithësi, ogur jo i mirë për kandidaturën e tij për zgjedhjet e ardhëshme presidenciale 2024. Gjithsesi, ka vend dhe kohë për të nxjerrë mësimet e duhura, sepse gjithçka do të varet nga ecuria e demokratëve në SHBA dhe e Lulas në Brazil gjatë dy viteve të ardhëshme.
© 2023 Argumentum