Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, ka nënshkruar dokumentin e aplikimit të vendit të saj për anëtarësim në NATO.
Në transmetimin drejtpërdrejtë nga Ministria e Jashtme, Linde nënshkroi dokumentin e aplikimit për anëtarësim, duke theksuar se ka bërë më të mirën për Suedinë.
Ajo shtoi se për shkurt kohë bashkë me Finlandën do t’i dorëzojnë NATO-s dokumentin e aplikimit.
Kryeministrja e vendit, Magdalena Andersson, dje kishte njoftuar se si rezultat i bisedimeve të zhvilluara në kuvend, qeveria e Suedisë ka vendosur që të aplikojë në NATO.
Ndersa Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad në një konferencë për mediat, tha se ka folur me kryeministrin Rama dhe ministren Xhacka, të cilët e kanë mbështetur Suedinë për këtë proces. Aplikimi do të dorëzohet në ditët në vijim së bashku me Finlandën.
“Ne do të jemi një anëtar i besueshëm në të cilën vendet e tjera mund të mbështeten dhe ndihmohen. Ky ndryshim në politikën tonë të jashtme është më i madhi. Së bashku me fqinjën tonë, Finlandën do të ecim në adresimin në NATO. Ambaadori i Suedisë do të dorëzojë aplikimin në ditët në vijim. Ne po presim për Finlandën që të bëjmë aplikimin njëherësh. Duhet të presin ratifikimin nga strukturat e NATO-s. Dje u takova me kryeministrin Edi Rama dhe kam qenë në kontakt me ministren e jashtme Olta Xhackën, të dy më kanë garantuar mbështetjen e tyre në këtë proces. Kjo është ditë historike jo vetëm për Suedinë, por edhe NATO-n”, tha Hastad.
Ambasadorja Hastad tha se janë të përgatitur dhe presin sulme kibernetike e disinformim nga Rusia për të destabilizuar Suedinë.
“Anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte një rol parandalues në konfliktet në Europën Veriore. Edhe nga publiku ka një mbështetje të gjerë. Mënyra më e mirë për Suedinë që të garantojë siguri kombëtare është të anëtarësohet në NATO. Edhe ne e kemi bluar këtë çështje. Ne, nëse diçka e tillë ndodh, Suedia është e përgatitur. Ne presim sulme kibernetike ose dezinformimi për destabilizimin e Suedisë”, tha Hastad.
Ambasadorja suedeze theksoi se, “kjo është një ditë historike, jo vetëm për Suedinë, por edhe për NATO-n. Është e rëndësishme që të garantojmë, që ne do të jemi një vend i besueshëm në të cilin mund të mbështeten dhe në të cilën mund të ndihmohen vendet e tjera të NATO-s”.
E pyetur nëse Suedia do të mbështesë Shqipërinë për anëtarësimin në BE, tashmë që Shqipëria po e mbështet Suedinë për anëtarësimin në NATO, Hastad tha se, “Suedia prej më shumë 20 vitesh po e mbështet Shqipërinë në procesin e anëtarësimit të saj, po e ndihmojmë në Bruksel dhe në organet e BE. Gjithashtu po e ndihmojmë me fonde. Ju bëjmë me dije se çdo vit në Shqipëri, nga qeveria e Suedisë, alokohen 15 milionë euro, për të ndihmuar Shqipërinë në procesin e saj të negociatave. Kjo është një ndihmë substanciale dhe në të mirë të të gjithë shoqërisë shqiptare”.
/Argumentum.al