Pesë persona mbetën të plagosur nga një sulm me thikë në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë. Policia ndërhyri në kohë duke arrestuar autorin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 kur Rudolf Nikolli, 34 vjeç, ka sulmuar me thikë brenda mjediseve të xhamisë së rrugës së Kavajës pesë besimtarë. Në dalje nga xhamia Nikolli ka kërcënuar dhe kalimtarë të rastit.
Sulmi ndodhi teksa besimtarë të shumtë po kryenin ritet fetare në xhami. Të plagosurit janë dërguar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Imami i xhamisë ‘Dine Hoxha’ Ahmed Kalaja në rrugën e Kavajës ka reaguar pas sulmit me thikë në këtë vend kulti, ngjarje e ndodhur gjatë muajit të Shenjtë të Ramazanit.
Me anë të një videoje në Facebook, Kalaja ka treguar se një person me thikë ka sulmuar punonjësit e xhamisë dhe besimtarët që po faleshin aty.
Imami Kalaja shprehet se shpreson të mos jetë sulm terrorist në këtë muaj të Madhërueshëm të Ramazanit.
Ndersa Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu u bën thirrje organeve të drejtësisë të zbardhin sa më parë sulmin që u regjistrua mesditën e sotme në xhaminë “Dine Hoxha”, në rrugën e Kavajës, Tiranë.
Në një postim në “Facebook”, Spahiu shkruan se i lutet Zotit për shërimin e 5 të plagosurve nga 34-vjeçari Rudolf Nikolli, teksa kërkon nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të ngjarjes së rëndë.
Postimi i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu:
U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë Dine Hoxha.
Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një përson i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami.
Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën.
I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë.
Përsoni është në duart e forcave të rendit.
Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani.