Autoritetet afgane thanë se një sulm vetëvrasës në një dasmë në Kabul gjatë natës së kaluar, la pas vetes 63 të vrarë dhe 183 të plagosur.
Viktimat janë kryesisht pjesëtarë të pakicës shiite, Hazara.
Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme afgane, Nasrat Rahimi, konfirmoi pasojat e sulmit në një deklaratë të lëshuar herët të dielën, duke theksuar se në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë.
Askush nuk pretendoi përgjegjësinë për masakrën që ishte një nga sulmet më të rënda kundër civilëve afganë në vitet e fundit.
Talibanët mohuan të jenë përfshirë dhe e dënuan sulmin. Një zëdhënës i grupit kryengritës tha se “sulmet e tilla barbare e të qëllimshme ndaj civilëve, përfshirë gratë dhe fëmijët, janë të ndaluara dhe të pajustifikueshme”.
Pothuajse të gjitha sulmet e fundit në qytet dhe posaçërisht kundër komunitetit hazara, janë marrë përsipër nga dega afgane e grupit militant Shteti Islamik.
Civilët vazhdojnë të mbajnë barrën e konfliktit në Afganistan, ku sipas Kombeve të Bashkuara më shumë se 1 mijë e 500 u vranë ose u plagosën vetëm në muajin korrik.
Dhuna ndodhi në një periudhë kur bisedimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Talibanëve janë afër arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 18 vjeçare.