Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës, nder to dhe fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev.
Lajmin e dha Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cila dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale.

“Një seri sulmesh ajrore të Federatës Ruse tronditën Kievin të premten në mëngjes, duke shkaktuar dëme të shumta në disa zona në kryeqytetin e Ukrainës. Si pasojë e këtyre sulmeve, u dëmtuan pjesërisht fasada e jashtme dhe disa hapësira brenda godinës së ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe ambasadave të pesë vendeve të tjera, duke vënë në rrezik jetën e personelit diplomatik. Raportohet vetëm për dëme materiale”, bën të ditur Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënon pa asnjë mëdyshje këto sulme brutale. Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare. Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht”, thekson MEPJ.
Sulmet me raketa që goditën kryeqytetin ukrainas, Kiev, mëngjesin e së premtes, kanë dëmtuar edhe ndërtesën ku ndodhet ambasada e Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e këtij vendi njoftoi se personeli diplomatik i pranishëm në ambasadë, nuk është lënduar. Në reagimin e saj, ministria dënoi ashpër sulmet me raketa të kryera nga ushtria ruse.
“Shërbimet kompetente kanë kryer kontrollin fillestar të dëmtimeve në vend dhe tashmë po punohet për riparimin e tyre”, njoftuan të premten nga ministria.
Sipas raportimeve, mësohet se në shënjestër ka qenë një ndërtesë pranë ambasadës maqedonase, e përdorur nga shërbimet e sigurisë ushtarake të Ukrainës.
/Argumentum.al