Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka patur sot një takim dy orësh me ministren Etilda Gjonaj.
Takimi vjen në një kohë kur ministrja Gjonaj është akuzuar ashpër madje kallëzuar në SPAK nga presidenti Meta.
Një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha mediave se ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka nxitur ministren Gjonaj të vazhdonte të njëjtin kurs të reformës në drejtësi.
Ju kujtojmë se më 24 shkurt, presidenti i Republikës, Ilir Meta dorëzoi në SPAK, ashtu siç kishte deklaruar ditë më parë (21 shkurt, ku kërkoi dorëheqjen e saj) një kallëzim penal ndaj ministres së Drejtësisë dhe 2 funksionarëve të lartë të ministres, me akuzën se kishin shkelur kushtetutën.
“Partnerët janë njohur me shkeljet nga Ministria e Drejtësisë. Në këtë tentativë për grusht shteti, bazuar në provat që u bënë publike dje rezulton të jetë e përfshirë drejtpërdrejt Etilda Gjonaj dhe institucione në varësi të saj, duke përvetësuar një kompetencë që kushtetuta ia jep presidentit.
Gjonaj ka shkelur ligjin për organizimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare. Gjonaj urdhëroi botimin në Fletoren Zyrare të akteve të KED-së, por nuk ka të drejtë të dërgojë për botim këto akte.
Sipas kushtetutës, vendimet e KED-së nuk botohen në fletoren zyrtare por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Asnjë diplomat nuk e ka ditur që në Ministrinë e drejtësisë, një grup kriminal ka kryer këto veprime.
Ajo, bashkë me zyrtarë të lartë ka kryer disa vepra penale Do të dorëzojmë kallëzim penal në SPAK ndaj Gjonaj dhe disa zyrtarëve. Gjonaj e ka humbur tërësisht besimin e presidentit”, u shpreh Meta./h.e