Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi sot deklaratën e zëdhënses s e Ministrisë së Jashtme ruse e cila mohon bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
Në një reagim MEPJ theksoi se, “Shqipëria dënon përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv”.
MEPJ publikoi edhe një video me pamjet nga bombardimi i Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv.
“Pamjet e shembjes flasin vetë. Ky shkatërrim i ambienteve si dhe i dokumenteve në arkiva është një shkelje flagrante e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore. Dezinformimi dhe lajmet e rreme për këtë sulm janë të papranueshme!”, theksoi MEPJ në reagim.
Më heret Rusia ka hedhur poshtë akuzat për bombardimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv nga forcat ruse.
Përmes një një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova hodhi poshtë akuzat e Ministrise së Jashtme të Shqiperisë, e cila tha se në 6 mars u sulmua konsullata e nderit të Shqiperisë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dënoi sulmet që pretendohet se janë të kryera nga forcat ruse më 6 mars, si pasojë e të cilave u dëmtuan ambientet e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkov. Ne refuzojmë me vendosmëri akuza të tilla. Që nga fillimi i operacionit special në Ukrainë kemi deklaruar se Forcat e Armatosura të Rusisë nuk qëllojnë objektet e infrastrukturës civile, synojnë të përjashtojnë humbjen e jetëve në mesin e popullatës civile. Ne kërkojmë informimin e vërtetë të publikut“, u shpreh Maria Zakharova.
Ishte ministria e Jashtme për Evropën e Shqipërisë ajo që e dha lajmin e sulmit të konsullatës tonë në Kharkiv. Në lidhje me ngjarjen reagoi edhe ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, përmes një mesazhi në Twitter, duke dënuar sulmin.
“Shqipëria dënon ashpër agresionin rus që çoi në shkatërrimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, thuhej në reagimin e ministrisë, e cila ka publikuar edhe fotot.
/Argumentum.al