Ministria e Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi në Gazë bëri të ditur sot se numri i viktimave në Rafah, si pasojë e një sulmi izraelit të dielën, ka arritur në 45, gjysma e të cilëve gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite njoftoi se goditi një bazë ku strehoheshin pjesëtarë të lartë të grupit militant.
ESulmi u dënua nga udhëheqësit botërorë, të cilët kërkuan zbatimin e urdhrit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që Izraeli t’i japë fund sulmit në Rafah.
Shtetet e Bashkuara reaguan të hënën për sulmin, duke nxitur Izraelin që të marrë masa për t’i mbrojtur civilët, pas “pamjeve të tmerrshme” nga sulmi ushtarak në Rafah.
“Izraeli gëzon të drejtën t’i kundërvihet Hamasit dhe ne e kuptojmë që ky sulm ka vrarë dy terroristë të lartë të Hamasit që janë përgjegjës për sulmet kundër civilëve izraelitë”, tha një zëdhënës i Këshillit për Sigurinë Kombëtare. “Por, siç kemi theksuar, Izraeli duhet të marrë të gjitha masat që të mbrojë civilët”.
“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me ushtrinë izraelite dhe partnerët tanë në terren për të vlerësuar se çfarë ka ndodhur”, deklaroi zëdhënësi amerikan.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pranoi “gabimin tragjik” që ishte bërë pasi nga sulmi izraelit u dogj një kamp me tenda ku strehoheshin palestinezët e zhvendosur dhe u vranë dhjetëra persona.
“Megjithë përpjekjet tona për të mos dëmtuar civilët e pafajshëm, mbrëmë ndodhi një gabim tragjik”, deklaroi ai. “Po e hetojmë incidentin dhe do të dalim me një përfundim”.
Dëshmitari okular Mohammed Abuassa, i cili vrapoi drejt vendngjarjes, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ekipet e shpëtimit i “nxorën njerëzit në gjendje të papërballueshme”.
“Nxorëm fëmijë që ishin bërë copë-copë. Nxorëm të rinj e të moshuar. Zjarri në kamp ishte i paimagjinueshëm”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, nga 45 të vdekurit, të paktën 12 ishin gra, tetë fëmijë dhe tre të moshuar. Tre trupa ishin djegur pa mundësi identifikimi.
Familjarë e dhjetëra palestinezëve të vrarë në një sulm ajror izraelit, që goditi tendat dhe vendbanimet e përkohshme të të zhvendosurve, varrosën sot të afërmit e tyre.
“Mjaft kemi vuajtur. Nuk po mundemi t’i identifikojmë të dashurit tanë. Nuk po mund t’i identifikojmë”, thotë një grua ndërsa vajtonte pranë kufomave.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze lagjja e goditur gjatë natës ishte shënuar si “zonë humanitare” nga Izraeli dhe nuk ishte në mesin e lagjeve nga ku Izraeli ka urdhëruar banorët të evakuoheshin.
Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan dëmin e madh të shkaktuar nga sulmi.
Ushtria izraelite konfirmoi sulmin dhe tha se kishte goditur një bazë të Hamasit, duke vrarë dy militantë të lartë të grupit, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste.
Ushtria izraelite tha se po hetonte njoftimet për viktimat civile si pasojë e sulmit ndërkohë që, sipas agjencisë Reuters, tanket izraelite vazhduan të bombardojnë pjesët qendrore dhe lindore të qytetit.
Ky sulm në Rafah erdhi disa orë pasi Hamasi hodhi një mori raketash me rreze të gjatë veprimi nga Gaza, të cilat aktivizuan sirenat deri në Tel Aviv. Ky ishte sulmi i parë i Hamasit që nga janari, dëshmi se grupi militant vazhdon të operojë pavarësisht ofensivës masive tokësore dhe ajrore tetë mujore të Izraelit në Gazë.
Sulmi i së dielës nxiti reagimin e udhëheqësve botërorë.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ishte “tejet i zemëruar” me sulmet e fundit të Izraelit, duke shtuar se “këto operacione duhet të ndërpriten. Nuk ka zona të sigurta në Rafah për civilët palestinezë,” shkruante ai në rrjetin social X.
Ministrja e Jashtme gjermane Analena Baerbock dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme Josep Borrell thanë se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë duhet të respektohet.
Gjatë fundjavës, protestat në Izrael vazhduan kundër qeverisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu. Disa nga protestuesit akuzojnë zotin Netanyahu se nuk ka bërë mjaftueshëm për lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi dhe disa të tjerë po bëjnë thirrje për përfundimin e luftës në Gazë.
Tensionet e brendshme po u shtohen edhe ato ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale Karim Khan për të lëshuar urdhër-arrest ndaj zotit Netanyahu dhe disa udhëheqësve të tjerë izraelitë dhe krerëve të Hamasit.
“E drejta e Izraelit për t’u mbrojtur, megjithatë, nuk e përjashton atë nga detyrimet për të respektuar ligjin ndërkombëtar. Shkaktimi i qëllimtë i vdekjes, urisë, lëndimit dhe vuajtjes së popullatës civile – përfshirë të shumë grave dhe fëmijëve – janë mjete kriminale për të arritur qëllime ushtarake dhe politike,” deklaroi ai.
Zoti Netanyahu i ka quajtur komentet e kryeprokurorit Khan si “politikisht të motivuara” dhe se “po i hedhin benzinë zjarrit të antisemitizmit” që po përhapet nëpër botë, sikurse tha ai.
Këtë javë, Irlanda, Norvegjia dhe Spanja pritet ta njohin edhe zyrtarisht shtetin palestinez, hap i cili edhe pse simbolik, është quajtur nga zoti Netanyahu “shpërblim për terrorizimim, që sipas tij “nuk do të sjellë paqe dhe nuk do ta ndalojë Izraelin ta shkatërrojë Hamasin”.
Tensionet rajonale po ashtu janë shtuar.
Në këto pamje filmike që Zëri i Amerikës nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur, grupi militant Hezbollah, që mbështetet nga Irani, pretendojnë se kanë kryer një mori sulmesh ndaj Izraelit përgjatë kufirit me Libanin.
Përmes një deklarate, Hezbollahu, i shpallur grup terrorist nga Perëndimi, tha se sulmet ndaj Izraelit u bënë “në përkrahje të palestinezëve në Rripin e Gazës dhe rezistencës së tyre.”
Në një zhvillim tjetër, ushtria egjiptiane njoftoi se një ushtar i saj ishte qëlluar për vdekje gjatë një shkëmbimi zjarri në rajonin e Rafahut, pa dhënë detaje tjera. Izraeli njoftoi se ishte në kontakt me autoritetet e Egjiptit dhe se dy palët po hetonin ngjarjen./VOA