Parlamenti i Shqipërisë njoftoi të martën se kishte pësuar një sulm kibernetik, gjatë të cilit hakerët ishin përpjekur të ndërhynin tek të dhënat dhe t’i fshinin ato, duke ndalur kështu përkohësisht punën e këtij institucioni.
Deklarata njofton se sulmi kibernetik i së hënës nuk arriti të prekë të dhënat e sistemit dhe se ekspertët po punonin për të zbuluar pasojat e mundshme të sulmit, ndërsa shërbimet do të rifuteshin në funksionim më vonë.
Mediat raportuan se ishte sulmuar edhe një kompani e telefonisë celulare dhe një kompani ajrore nga sulmet kibernetike të së hënës të bëra nga një grup hakerësh iranianë, të mbiquajtur “Drejtësi për Atdheun”, informacion që nuk u arrit të konfirmohej në mënyrë të pavarur.
Shqipëria pësoi një tjetër sulm kibernetik në korrik 2022, për të cilin qeveria dhe kompanitë shumëkombëshe të teknologjisë fajësuan Ministrinë e Jashtme iraniane. Sulmi mendohej se ndodhi si kundërpërgjigje ndaj strehimit në Shqipëri të grupit opozitar iranian Mujahedeen-e-Khalq (MEK) dhe shkaktoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin dy muaj më vonë.
Ministria e Jashtme e Iranit mohoi që Teherani të ketë orkestruar sulmin ndaj faqeve në internet të qeverisë shqiptare dhe vuri në dukje se Irani ka pësuar sulme kibernetike nga grupi MEK.
Në qershor, autoritetet shqiptare bën kontroll në kampin e anëtarëve në azil të grupit MEK, për të sekuestruar paisjet kompjuterike që mendohej se kishin lidhje me aktivitete të ndaluara politike.
Që nga viti 2013, gati 2500 azilantë iranianë strehohen në Shqipëri, ku nuk duhet të angazhohen në aktivitete politike dhe duhen të zbatojnë ligjet e vendit.
Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe Bashkimi Evropian mbështetën Shqipërinë, vendin aleat në NATO, gjatë kësaj mosmarrëveshjeje.