Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sistemet e pikave kufitare që u goditën nga një sulm kibernetik të premten, janë rikthyer në punë qysh prej mëngjesit të sotëm.
Përmes një postimi në “Twitter”, Rama tha se nga sulmi nuk u arrit asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm.Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm.
“Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm”, tha Rama.
/Argumentum.al