Sulmet e dyshuara ndaj dy anijeve cisternë në Gjirin e Omanit kanë shtuar tensionet mes SHBA dhe Iranit. Për ministrin e Jashtëm amerikan, Pompeo është e qartë, se kush fshihet pas sulmeve.
Qeveria e Uashingtonit akuzon udhëheqjen në Teheran për incidentet me dy anije transporti në Gjirin e Omanit. Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo tha në Uashington, se vlerësimi i qeverisë së SHBA, është se Republika Islamike e Iranit është përgjegjëse për sulmet që u zhvilluan në Gjirin e Omanit. Bëhet fjalë për „një shkallëzim të papranueshëm të tensioneve nga ana e Iranit”, deklaroi Pompeo. Sipas tij, vlerësimi amerikan bazohet në informacione të shërbimeve sekrete dhe tek armët e përdorura, që ngjasojnë me sulmet e zhvilluara kohët e fundit.
Të enjten (13.06) ishin të prekur nga këto sulme një anije cisternë e një firme gjermane si edhe një tjetër e një firme norvegjeze. Dy anijet cisternë u dëmtuan, por ekuipazhi arriti të evakuohej. Në afërsi të vendngjarjes ndodhet Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare që lidh rajonet e pasura me naftë të gjirit, me detin e hapur. Përmes kësaj ngushtice kryhet në një masë të madhe transporti i naftës me anije cisternë. Pompeo tha, se Irani ka interes të detyrojë SHBA të heqë sanksionet, por qeveria amerikane i vazhdon përpjekjet diplomatike dhe ekonomike „për ta sjellë Iranin në kohën e duhur në tryezën e negociatave”.
Mike Pompeo
Priten sulme të tjera
SHBA, sipas qarqeve qeveritare, llogarir me sulme të tjera ndaj anijeve cisternë në gji. „Ne nuk besojmë, se ka mbaruar”, u tha të enjten në Uashington. SHBA po konsultohet me aleatët për një sërë mundësish për të mbrojtur transportin e anijeve cisternë në Gjirin e Omanit, thuhet më tej.
Irani e kundërshtoi menjëherë pretendimin amerikan, se është përgjegjës përgjegjës për incidentet në Gjirin e Omanit. „Irani i hedh poshtë kategorikisht pretendimet e pabazuara amerikane lidhur me incidentet me anijet cisternë më 13 qershor dhe i dënon ato ashpërsisht.”, bëri të ditur përfaqësia diplomatike e Iranit në Kombet e Bashkuara.
Në një seancë të posaçme të Këshillit të Sigurimit, SHBA nuk ofruan prova për përgjegjësinë e pretenduar të Iranit.” Nuk kemi diskutuar asnjë lloj prove”, tha ambasadori kuvajtian, Mansur al-Otaibi pas seancës, vend që mban kryesinë e radhës këtë muaj. Ai kërkoi një hetim të pavarur dhe të imtësishëm. Por ushtria amerikane ndërkohë ka publikuar një video, e cila rëndon gardat iraniane të revolucionit. Ajo tregon, se si një anije e gardave i afrohet anijes cisternë.
Reagime të shqetësuara
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres paralajmëroi nga shkallëzimi i situatës. „E ndjek me shqetësim të thellë incidentin në Ngushticën e Hormuzit. E dënoj me ashpërsi çdo lloj sulmi ndaj anijeve civile”, tha Guterres që theksoi, se ajo që nuk mund të dojë bota është një konfrontim i madh në rajonin e gjirit. „Duhet të përcaktohet, se kush është përgjegjës për incidentet.” Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas i quajti sulme të tilla si jashtëzakonisht shqetësuese. Sulmet ndaj anijeve të transportit nuk janë vetëm kërcënim për rrugët e hapura tregtare. „Në situatën aktuale ato janë një kërcënim për paqen.” BE bëri thirrje të enjten për vetëpërmbajtje./dw