Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës. Në një postim në Twitter kryeministri deklaron se dënon agresionin e ashpër të Rusisë dhe shprehet se Shqipëria bashkohet me NATO-n dhe BE-në.
“Ne bashkohemi me NATO dhe aleatët e BE në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas”, shkruan Rama në një postim në Facebook.
Presidenti Vladimir Putin autorizoi një operacion ushtarak kundër Ukrainës të enjten në mëngjes për të eliminuar atë që ai e quajti një kërcënim serioz, duke thënë se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte fqinjin jugor të Rusisë.
Në një fjalim herët në mëngjes në televizionin shtetëror, Putin tha se nuk i kishte mbetur zgjidhje tjetër veçse të niste operacionin.
“Kam vendosur të kryej një operacion ushtarak. Qëllimi i tij është të mbrojë njerëzit që janë nënshtruar bullizmit dhe gjenocidit për tetë vitet e fundit. Për këtë ne do të përpiqemi për çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës”, u shpreh Putin.
Autoritetet në Kiev e kanë cilësuar këtë veprim shpallje lufte.