Bashkimi Evropian pret që autoritetet në Serbi të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, në kohën e duhur, për të siguruar përgjegjësi të plotë për të gjithë ata persona që janë përgjegjës për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës, ka thënë zëdhënësi i BE-së Peter Stano në një përgjigje me shkrim lidhur me përvjetorin e sulmit ku humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku.
Stano nënvizoi se ka qenë kërkesë e vazhdueshme e Brukselit, që nga dita e parë, që Serbia të bashkëpunojë me autoritete Kosovare, siç u shpreh, “për ato raste ku të dyshuarit ndodhen në Kosovë”.
“BE-ja ka shprehur vazhdimisht pritjen e saj që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të kapur dhe sjellë menjëherë para drejtësisë autorët e akteve të dhunshme nga protestuesit serbë të Kosovës kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave më 29 maj 2023. dhe sulmi i dhunshëm i 24 shtatorit 2023 në veri të Kosovës”, ka nënvizuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka përkujtuar një vjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Në një postim në platformën ‘X’, ambasadori Hovenier, bëri të ditur se i është bashkuar qeverisë së Kosovës dhe homologëve të tij diplomatikë për të nderuar e kujtuar rënien e policit Afrim Bunjaku, në krye të detyrës, në Banjskë të Zveçanit.
“Shtetet e Bashkuara përsërisin thirrjen e tyre, dhe është pritshmëria jonë, që autorët dhe të gjithë ata që u përfshinë në atë krim të tmerrshëm të mbahen plotësisht përgjegjës”, ka shkruar ambasadori Hovenier.
Edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka reaguar duke theksuar se nuk do të harrohet sakrifica e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke shtuar se autori i sulmit, Milan Radoiçiq, e ka pranuar përgjegjësinë por është ende i lirë në Serbi.
Ambasada ka shkruar në Facebook të martën se mosmbajtja përgjegjësi e këtij rasti, pavarësisht pranimit të fajit “minon paqen në rajon dhe dërgon mesazh të rrezikshëm”.
“Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime”, thuhet në shkrimin e ambasadës.
Reagimi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë
Një vit më parë, gjatë sulmit të tmerrshëm në Banjskë, polici i Kosovës Afrim Bunjaku humbi jetën. Sakrifica e tij nuk do të harrohet, por fakti mbetet: Milan Radoiçiq, autori i supozuar pas këtij krimi, pavarësisht se ka pranuar përgjegjësinë, është ende i lirë në Serbi.
Dështimi për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit, pavarësisht pranimeve të qarta të fajit, minon paqen në rajon dhe dërgon një mesazh të rrezikshëm. Drejtësia duhet të vendoset. Nuk ka më vonesa apo justifikime.
Kujtojmë se një vit më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një grup i armatosur i prirë nga ish-politikani Millan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës. Nga ajo kohë deri më sot kanë ndodhur shumë zhvillime: Radoiçiq pranoi organizimin dhe pjesëmarrjen në sulm, ai u hetua në Beograd dhe në Prishtinë ku ndaj tij dhe 44 personave tjerë u ngrit aktakuzë për veprimtari terroriste
/Argumentum.al