Një tjetër sulm me thikë ka tronditi një ditë më parë Francën. 3 persona mbetën të vdekur, ndërsa disa të tjerë u plagosën. Presidenti Emmanuel Macron e cilësoi sulm terrorist, ndërsa lajmëroi shtimin e trupave të sigurisë përqark vendit.
Agresori mendohet se është një person rreth 25-vjecar, i cili, sipas kryebashkiakut të Nicës ka thërritur disa herë “Allah Akbar” në momentin e sulmit.
Ish-myftiu i Tiranës Ylli Gurra tha për Euronews Albania se ngjarjet e fundit po konfirmojnë edhe një herë se religjioni ka problematika të brendshme.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë po evidentohet se fetë kanë shumë vend për korrigjim, vetëpërmbajtje, më mirë lexim të atyre që përcjellin librat e shenjtë.
“Nuk mund të justifikohet me asgjë vrasja në emër të besimit dhe sidomos në këtë mënyrë makabre me prerje kokash njësoj si në mesjetë.
Në rastin e Francës bëhet fjalë për shumë komunitete që nuk kanë mundur të integrohen. Ka një lloj getoizimi, ku jetojnë këta qytetarë të ardhur kryesisht nga Maroku, Algjeria çka e thellon hendekun e kësaj pjese me shoqërinë franceze”, tha ish-myftiu.
Ai bëri thirrje që klerikët jo vetëm në Francë, por edhe në vendet të tjera të BE klerikët duhet të jenë realitet shoqëror që t’i paraprijnë këtyre ngjarjeve të rënda.
“Çdo shoqëri duhet të mësohet të bashkëjetojë. Në Francë nuk duhet lënë pas dore sqarimi publik nga përfaqësuesit nga klerikët e feve. Pjesa fetare, priftërinjtë, klerikët myslimanë duhet të jenë më me këmbë në tokë, afër njerëzve që vijnë nga vende të tjera në vendet e BE.
Nëse nuk ndodh kjo ngjarje të tilla do të vijojnë. Klerikët në ato vende duhet të jenë realitet shoqëror që t’i paraprijnë këtyre ngjarjeve. Më rastin e mësuesit që u vra, s’mund të imagjinohet nga një xhami që të bëjë thirrje për hakmarrje.
Ato duhet të shërbejnë në këto kohë si objekte parësore që duhet të përçojnë fuqishëm se duhet të jetojmë bashkë duke respektuar besimin e tjetrit”, u shpreh ish-myftiu./euronewsalbania