Policia e Kosovës ka konfirmuar se ndaj postës në Zveçan, në veri të Kosovës, është kryer një sulm me granatë dore i cili ka shkaktuar dëme.
Në një deklaratë me shkrim nga Policia e Kosovës u konfirmua se mbrëmë janë hedhur dy granata dore në Postën e Kosovës në Zveçan.
Në deklaratën e policisë informohet se njëra granatë ka shpërthyer gjatë ngjarjes dhe tjetra është shkatërruar në mënyrë të kontrolluar nga ekipet policore të mbërritura në vendngjarje.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se nga incidenti nuk ka të vdekur apo të lënduar, por vetëm janë shkaktuar dëme materiale në postë.
Policia e Kosovës e dënoi ashpër aktin dhe bëri thirrje për bashkëpunim me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të shpërthimit.
Kryeministri Kurti reagon pas sulmit në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmi me granata dore në pikën e Postës së Kosovës, në Zveçan, është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës, transmeton Anadolu.
Kurti nëpërmjet reagimit në rrjete sociale e ka dënuar sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të postës duke shprehur vendosmëri për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues.
“Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, tha Kurti.
Ai theksoi se në këtë situatë brengosëse mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Milan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë dhe “po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.
Kurti tha se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i Kosovës.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, shkroi Kurti.
Sipas tij, institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë dhe shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë.
Kujtojmë se përmes një operacioni të kryer nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe të cilat operonin në rajonet ku jetojnë kryesisht serbët në veri të Kosovës. Në vend të degëve në fjalë në ditët e fundit filluan të ofrojnë shërbim degët e Postës së Kosovës.
/Argumentum.al