Gramoz Ruçi jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PS. Gjatë fjalës në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS ai deklaron fundin e maratonës së tij politike prej 3 dekadash.
Më tej Ruçi sqaron se në shtator nuk do të pranojë as mandatin e deputetit që e fitoi në Fier më 25 prill.
Ai tha se çdo fillim e ka një mbarin, por garantoi se sa të jetë gjallë do të ngelet një socialist.
‘’Dua të bëj një komunikim me ju. Kur unë nisa, rrugëtimin tim të kësaj maratone të gjatë prej 3 dekadash politike, 30-vjeçarët që janë në këtë Kongres s’kishin lindur akoma. Kur nisa këtë rrugëtim 5-vjeçarët e 91-shit sot janë 35 vjeç. Kur unë nisa këtë rrugëtim, 10-vjeçarët janë 40 vjeç dhe janë me shumicë këtu. Kur unë nisa udhëtimin tim adoleshentët 15-vjeçarë janë 45 dhe janë bërthama e PS.
“Nuk jam këtu për të mbajtur ndonjë fjalim, as të flas për historikun 30-vjeçar të PS-së, por dola për të marrë fjalën dhe për të thënë ashtu sikurse kolegët e mi që unë kam pasur fatin të bashkëpunoj 30 vite, më përshkruan emocionet e tyre nëpërmjet këtij dokumentari. Për efekt komunikimi 30-vjetorin do ta ndaja në dy periudha. Periudhën e parë ’91-2005 dhe periudhën e dytë 2005-2021. Nuk po them asnjë impresion për ato tre ditë e tre netë sesi u themelua, dhe si u programua, ideua dhe sesi u miratua familja jonë politike. Ajo që do të thoja, menjëherë sapo u krijuam dhe gjatë kësaj periudhe të parë ’91-2005 ne u identifikuam si forca politike e sistemit që lamë pas. E dyta, megjithëse siç thoshte Dritëroi ynë i madh, që i gjithë spektri politik shqiptar doli nga mitra e PPSH-së, ne u anatemuam si vetë PP, po nuk mjaftonte kaq. Të ishe socialiste nuk ishte e modës”, vijoi Ruçi.
“Flitej për liri fjale, por vetëm liri fjale nuk kishte. Flitej për shtet ligjor por vetëm ligj për socialistët s’kishte, kishte vetëm ‘Maliq’. Flitej në atë kohë për ekonomi tregu, por vetëm ekonomi tregu nuk kishte, flitej për shtet të së drejtës, po vetëm të drejta për socialistët nuk kishte. Rrahje, persekutime, barbarizma, ndëshkime, arrestime e cila arriti dhe në burgosjen e liderit tonë të asaj kohe, Fatos Nanos. Prandaj kanë qenë ditë dhe vite tepër të vështira. Unë meqë jam ende aktiv në jetën politike të PS-së, do të përshëndesja 15 anëtarët e parë të kryesisë së PS-së, tre nënkryetarët e parë Servet Pëllumbin, Ismail Lleshin, dhe Spiro Deden. Do të përshëndesja sigurisht shumë figura të spikatura akademike të cila në katërvjeçarin e parë janë marrë me programin e PS-së, Shkëlqim Cani, Ermelinda Meksi, Sabit Brokaj, Anastas Angjeli, Maqo Lakrori etj.”, tha ai.
Ruçi përshendeti grupin e parë të deputetëve të PS-së, dhe ish-kryeministrin Fatos Nano.
“I dashur Fatos! Ne jemi krenarë për ty për shumë gjëra, pasi shumëkush nga ne dhe kundërshtarët e tu i thotë vetes politikan, por askush as nga ne as nga kundërshtarët e tu nuk thotë dot se ti Fatos Nano nuk je politikan. Ne e kemi për nder që ke qenë kryetar për 14 vite, pasi kushdo nga ne dhe kundërshtarët e tu i thotë vetes intelektual, po askush as nga ne, as nga kundërshtarët nuk thotë dot që ti Fatos Nano nuk je intelektual”, tha Ruçi.
Ai kujtoi sesi në ’97, PS mori pushtetin. “Por çfarë e do, kishte rënë shteti dhe brenda dy mandatesh ne ngritëm shtetin, vumë në binarë ekonominë e tregut, shtetin e së drejtës, shtetin ligjor. Pranuam PS në Internacionalen Socialiste, e mbi të gjitha përballuam luftën e Kosovës që sot gëzon statusin Republika e Kosovës”, kujtoi Ruçi.
“Për herë të parë dhe në mënyrë tejet të civilizuar në 2005 u pranua humbja dhe u dha dorëheqja e Fatos Nanos. Këtë e bën vetëm një lidership dhe një parti e civilizuar dhe e emancipuar”, tha ai, duke i kujtuar Nanos, se “katër vite burg i bëre për të vetmin faj, se ishe kryetar i PS-së”.
Duke iu referuar periudhës së dytë 2005-2021, Ruçi iu drejtua Kryeministrit Edi Rama.
“I dashur Edi! Të kujtohet 2003-i, kur shprehe ambicien dhe dëshirën për t’u bërë kryetari ynë? Shumë dyer degësh të PS-së t’u mbyllën, shumë delegatë dhe anëtarë të Këshillit Drejtues nuk hidhnin firmën për mbështetjen e kandidaturës. Megjithatë ti qëndrove stoik. Që të bëhesh lider i një familje politike nuk mjafton vetëm ambicia jote dhe dëshira jote, por duhet patjetër edhe dëshira dhe dashuria e atyre që ti pate ambicie për t’u bërë kryetar i tyre. Ndaj erdhi fare natyrshëm në 2005-ën. Dhe ja ku jemi sot, jemi kaq krenar si asnjë parti e majtë në të gjithë Europën Lindore me tre mandate rresht fitimtar”, u shpreh Ruçi.
“Pa u mbajtur gjatë për të gjitha arritjet, deri te vendimi i djeshëm, që për herë të parë Shqipëria jo vetëm nuk është importuese sigurie, po eksportuese e saj dhe ulemi në Këshillin e Sigurimit me 5 më të mëdhenjtë e botës. Ne jemi krenarë për të gjitha këto, po baza e këtij suksesi është sigurisht kjo familje e madhe politike, kjo familje e madhe politike që në këtë periudhë të dytë jo vetëm nuk u vyshk, jo vetë që s’u rrudh, por u rrit, u shtua, u emancipua. Sot jemi jo pak, por 112 mijë anëtarë”, tha Ruçi.
“Dhe kur themi u emancipua, sjell 3 tregues. 1 shoqe kishim në 1991 në kryesinë e parë të PS-së, 35 % e kryesisë së sotme janë shoqe. Një shoqe kemi pasur në grupin e parë socialist, 37 % e grupit të PS-së janë shoqe. 2 shoqe kemi pasur në ’97 në kabinetin qeveritar, 53 % e kabinetit qeveritar janë shoqe. Organizata e OKB-së e ka renditur Shqipërinë në 10 vendet më të mira të botës për sa i përket barazisë gjinore dhe ky është një sukses tjetër. Baza e sukseseve tona janë tre: fryma, organizimi dhe lidershipi. Kur flasim për liderin baza e suksesit ka qenë me Edi Ramën, sepse ai ka ndier për socialistët dhe ne ndiejmë për lidershipin”, tha ai.
“Kur flasim për organizimin kjo përsosmëri e jona i bën të tërbuar kundërshtarët tanë që sulmojnë me aq patos të ashtuquajturit patronazhues. Kur flasim për lider, ne jemi me fat se kemi lider vizionar. Jemi me fat se kemi lider me ambicie, tërë energji, tepër këmbëngulës, tepër të vendosur, tepër të përkushtuar dhe gjithmonë i maturuar. Prandaj tre mesazhe do të kisha: ta ruajmë këtë frymë, ta ruajmë dhe forcojmë, konsolidojmë këtë organizim si forcë e familje politike dhe të mbështesim pa kursim lidershipin e Edi Ramës”, tha Ruçi.
/argumentum.al