Posti i Presidentit të shtetit ka dalë të jetë “mollë sherri” mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Dy partitë nuk po munden të kurorëzojnë marrëveshjen për koalicion, pasi nuk po arrijnë të merren vesh se kujt duhet t’i takojë Presidenti dhe cili duhet të jetë emri që do ta pasojë Hashim Thaçin në vitin 2021. Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka përmendur tre emra, Fatmir Sejdiun, Veton Surroin dhe Vjosa Dobrunën, si të përshtatshëm për pozitën e Shefit të Shtetit për të dy partitë. Analistët politikë propozimin e emrave të përveçëm në publik po e shohin si të dëmshëm për ndërtimin e një koalicioni mes VV-së dhe LDK-së e rrjedhimisht edhe kompromisin për Presidentin.
Një nga zgjidhjet që është përmendur për ta tejkaluar ngërçin nëpër të cilin po kalojnë teksa po flasin për koalicionin është edhe mundësia që dy partitë të pajtohen për një President konsensual.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ditë më parë ka përmendur Fatmir Sejdiun si kompromis të mirë për President duke thënë se është me eksperiencë, i pavarur dhe i cili më nuk identifikohet si njeri partiak.
Bosch po ashtu ka shkruar se edhe publicisti Veton Surroi dhe Vjosa Dobruna ish-ambasadore e Kosovës në Holandë janë kandidatë të shkëlqyeshëm për këtë post pasi të dy kanë eksperiencë vendore dhe ndërkombëtare.
Por, analisti politik, Astrit Gashi u shpreh se përmendja në publik e emrave të mundshëm për President, sipas dëshirave, nuk do ta zgjidh këtë çështje, e aq më pak kur emrat e propozuar nuk janë të partive që po pretendojnë të ndërtojnë një koalicion.
Gashi për Express tha se propozimin e emrave të mundshëm për postin e Shefit të shtetit i sheh si kurth ndaj marrëveshjes VV-LDK.
“Këto propozime i shoh më shumë si kurth ndaj marrëveshjes sesa propozime për me e ndihmu ndërtimin e marrëveshjes, po mendoj që janë joefektive dhe nuk kryjnë punë me hy tash secili me jep propozime qoftë edhe prej personave që kanë pasur ndikim me një pozitë në Kosovë”, u shpreh Gashi.
Ai tutje tha se Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë gjasa teorike që të merren vesh për njërin nga tre emrat e propozuar nga ish-ambasadori Bosch.
“Sa i përket tre emrave të propozuara nga ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, dy partitë VV dhe LDK nuk kanë gjasa teorike me u pajtu për ndonjërin nga tre emrat e propozuar nga ai”, u shpreh Gashi.
Një emër tjetër që u lakua si kandidat i mundshëm është edhe Akademik Rexhep Qosja, për të cilin u tha se është i preferuar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndaj kësaj reaguan dje zyrtarë të kësaj partie duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka propozuar Qosjen dhe nuk mbështet asnjë emër të caktuar për President.
Nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti mbrëmë në emisionin Pressing të T7 deklaroi se nëse Presidenti nuk i takon LDK-së atëherë ata do të shkojnë në opozitë.
“Nëse nuk marrim postin e presidentit, shkojmë në opozitë”, ka thënë Hoti.
Dy liderët e partive Kurti dhe Mustafa takimin e fundit e kanë pasur më 14 dhjetor në përpjekjen për arritjen e marrëveshjes por pa ndonjë rezultat konkret.
LDK-ja sot ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm që do të marrin si parti lidhur me koalicionin me VV-në.
Presidenti aktual Thaçi ka caktuar seancën konstituive më 26 dhjetor kurse sot Kryesia e Kuvendit është pajtuar që seanca ku do të konstituohet legjislatura e shtatë të fillojë në ora 15:00.
VV dhe LDK kanë edhe pak ditë kohë që të finalizojnë marrëveshjen për koalicion dhe bashkëqeverisje në mandatin e ardhshëm./GazetaExpress/