Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të mërkurën në Bërdo të Sllovenisë, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se takimi do të zhvillohet në prezencë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Ky takim do të mbahet teksa në Bërdo të Sllovenisë po zhvillohet samiti mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Në prag të nisjes së samitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë kaluar më shumë se tre vjet që Komisioni Evropian ka rekomenduar për të dytën herë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë. Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, ka thënë ai në prag të nisjes së samitit që do të mbahet në Bërdo.