Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti sot në një takim Zëvendësekretarin e Përgjithshëm të Fondacionit Konrad Adenauer, Dr. Gerhard Wahlers, i cili shoqërohej nga drejtori i këtij fondacioni në Tiranë, Dr. Thomas Kunze.
Presidenti Begaj i përcolli zotit Wahlers mirënjohjen për ndihmën që Fondacioni Konrad Adenauer ka dhënë për Shqipërinë ndër vite, për kontributin për një shoqëri të drejtë, promovimin dhe ruajtjen e demokracisë, sistemin e drejtësisë, për nismat e edukimit politik, si dhe kodin elektoral.
Gjermania, në vlerësimin e Presidentit Begaj, mbetet mbështetëse e madhe e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është prioritet strategjik i Shqipërisë, por mendoj se zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi strategjike edhe për vetë Unionin”, – u shpreh Presidenti i Republikës.
Kreu i Shtetit vlerësoi se kujdesi i veçantë që Fondacioni Konrad Adenauer tregon ndaj kujtesës historike të Shqipërisë, nisur edhe nga eksperienca gjermane, është një shembull shumë i drejtë për të mos lejuar përsëritjen e gabimeve të së shkuarës.Presidenti i Republikës vlerësoi përkrahjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit, si dhe rolin proaktiv në mbrojtjen dhe mbështetjen e perspektivës së Shqipërisë në BE nga Gjermania, me të cilën Shqipëria ka raporte të shkëlqyera politike dhe ekonomike.
/Argumentum.al