Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi të premten një takim me Kreun e Grupit të “Rithemelimit”, Sali Berisha. Takimi vjen një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi në garën elektorale të 24 shtatorit për kreun e Bashkisë së Kukësit, PD e drejtuar nga Lulzim Basha.
Meta, në fund të takimit, duke u ndalur për mediet, bëri me dije se në qendër të vëmendjes ishte bashkërendimi i aksionit opozitar. Meta u shpreh se detyra e opozitës është të bashkërendojë të gjitha forcat e saj për rivendosjen e shtetit të së drejtës.
“Diskutuam për të bashkërenduar një axhendë sa më aktive, opozitare, sa më gjithëpërfshirëse. Në këto kushte kaq degraduese në të cilat ndodhet situata me shtetin e së drejtës, me demokracinë. Në këto rrethana, ku skandalet e qeverisë dhe të korrupsionit të saj skizofrenike mbivendosen njëri mbi tjetrin. Dhe ndërkohë, kur problemet ekonomike, sociale veçse rëndohen dhe që vazhdon të shprehet në fenomenin e largimit, apo të shpopullimit”, tha Meta.
“Është detyra e opozitës të bashkojë të gjitha energjitë e saj dhe jo vetëm të saj, por të të gjithë shoqërisë në rivendosjen e shtetit të së drejtës, të demokracisë dhe të llogaridhënies. Padyshim që kjo axhendë përfshin angazhimin parlamentar dhe përshëndes çdo përpjekje për të unifikuar të gjithë potencialin e opozitës në këtë drejtim. Në pushtetin vendor, ku opozita ka përfaqësimin e saj në të gjithë vendin edhe kudo në kontakt me të gjitha grupet e interesit që ndihen të kërcënuar dhe të përjashtuar nga kjo keqqeverisje”, vijoi Meta.
I pyetur nëse do të jetë në tryezën e ardhshme opozitare, Meta u shpreh se, “ne jemi kudo ku kërkohet angazhimi dhe kontributi ynë. Dhe dega e Partisë së Lirisë atje, ka qenë dhe mbetet shumë aktive. Deputetët tanë, edhe kur nuk ka parlament, janë çdo ditë në vijën e parë të ballafaqimit me këtë regjim dhe kanë qenë gjithmonë”, vijoi ai.
Lidhur me protestat, ai tha se rëndësi ka që opozita të bashkërendojë axhendën e saj.
“Asnjë diskutim që do të ketë dhe data të tilla, për protesta, por kjo nuk është kjo më e rëndësishmja. E rëndësishmja është që kemi një program për të bashkërenduar axhendën e opozitës në këtë drejtim. Nuk jam këtu për t’u marr me procedurat teknike, opozita duhet të ngrihet në lartësinë e momentit për t’i dhënë përgjigje të gjithave këtyre sfidave që kanë sjellë një situatë kaq të rënduar”, tha Meta.
I pyetur, nëse do të ishte dakord nëse Sali Berisha do nxirrte Gazment Bardhit si pretendent për kryeministër në zgjedhjet e 2025, Meta tha se kërkon vetëm të respektohet çdo parim demokratik. “Nuk jemi këtu për t’u marrë me këto çështje, jemi të angazhuar për të respektuar çdo parim demokratik”, nënvizoi Meta.