Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në Stamboll u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi Erdoğan-Zaev u mbajt në Pallatin Vahdetin në rrethin Cengelkoy dhe ishte i mbyllur për mediat.
Në pritje morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, shefi i Komunikimeve të Presidencës, Fahrettin Altun, zëdhënësi i Presidencës, İbrahim Kalın, zëdhënësi i AK Partisë, Ömer Çelik dhe ndihmësi i kreut të AK Partisë, Efkan Ala.
Gjatë takimit zyrtar mes tyre është konfirmuar një donacion prej 30 mijë vaksinash kineze nga Turqia për Maqedoninë e Veriut e cila për momentin ka mungesë vaksinash për të vazhduar imunizimin masiv.
Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe njoftoi se Turqia do të na dhurojë 30 mijë vaksina Sinovac.
Këtë informacion ministri Filipçe e njoftoi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, gjatë vizitës së djeshme në Republikën e Turqisë.
“Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan na njoftoi se do të na dhurojnë 30 mijë vaksina nga prodhuesi Sinovac. Ky gjest i solidaritetit është edhe një tregues i miqësisë dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve. Falënderim të madh për popullin turk dhe presidentin Erdoğan”, tha Filipçe.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë vizitës së djeshme njëditore të punës në Turqi u takua me presidentin Erdoğan.
Siç njoftoi shërbimit për shtyp i qeverisë, në një darkë pune në Stamboll ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, kryeministri Zaev dhe presidenti Erdoğan u diskutua për marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin dinamik në shumë fusha./argumentum.al