Presidenti, Ilir Meta, priti sot në një takim vëllazëror kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, të cilin e uroi përzemërsisht për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes europiane.
Gjatë takimit Meta nënvizoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Për Metën, është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.
Meta theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë.
Nga ana tjetër Presidenti shqiptar i premtoi Kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovojë me kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës sonë të dashur, i bindur se edhe shumë qytetarë nga Kosova do ta kalojnë sezonin turistik në perlat e bregdetit dhe malet e jashtëzakonshme të Shqipërisë.