Kryeministri Rama në takimin e fundvitit me gazetarët bëri bilancin e një viti qeverisje duke renditur sukseset e kësaj qeverie brenda dhe jashtë Shqipërisë, si ne aspektin e zhvillimit ekonomik, integrimit europian por dhe për sfidat, sikundër është përballja e elementëve të partisë socialiste apo dhe të zyrtarëve të kësaj qeverie me drejtesinë.
Kryeministri Rama e konsideroi vitin 2024 vitin e sukseseve qeverisesë në 365 ditët që lamë pas. Lajmi më i rëndësishëm sipas Kryeministrit është sigurisht hapja e negociatave për 7 kapitujt.
Ecuria e procesit screening, vlerësimet befasuese – për mua personalisht – të Komisonit Europian, të qeverive që ishin tipikisht përfaqësuese të vendeve më skeptike të Bashkimit Europian për performancën e skuadrës sonë kombëtare”
Vlerësimin ndërkombëtar dhe Shqipërinë e cila shihet me një sy tjetër sot në botë Rama i lidhi me 2 prej samiteve më të rëndësishme, një prej të cilëve pritet të sjellë në Tiranë Donald Trump.
“Ardhja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është njëkohësisht dhe një mesazh shumë i qartë për të gjithë, lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicionin tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare”
Dixhitalizimin që Shqipëria edhe në vlerësime ndërkombëtare ka kaluar faza të rëndësishme, Rama e shikon edhe të lidhur ngushte me luftën kundër korrupsionit.
Lufta kundër korrupsionit është luftë e gjithë sistemit shtetëror. Shqipëria ka pasur tumorin gërryes ka qenë korrupsioni endemik në ccdo hap, në ccdo gjë, për ccdo dokument. Sot panorama është krejtësisht tjetër. Ka mbetur vetëm një gur për ta mbyllur përfundimti këtë epokë otomane, futja e kadastrës në këtë sistem të teknologjikë. Një pjesë e rëndësishme është, por ka një pjesë tjetër që duhet futur në sistem. Për këtë kemi angazhuar fonde dhe ekipe të veçanta”
Kalin e betejës së muajve të fundit, çështjen e pensioneve, Rama e lidhi trashëgiminë e qeverisjes Berisha, që sipas tij e trajtoi si skemë piramidale.
“Nëse qeveria i trajton pension si detyrim që financohet nga taksat, ajo që ka bërë Sudja, Xhaferi dhe saliu. Ajo që është bërë me pensionistët nga pikëpamja e pabesisë, dritëshkurtësisë është shume e ngjashme me atë që është bërë me piramidat por me efekt në kohë. Shkaktarët i dini, refuzojeni”
2024-n Rama e cilësoi edhe si vitin e përfundimit të punëve në infrastrukture, ndërsa hekurudhat i veçoi.
“Tiranë Durrës është në 80% të punimeve. Po diskutojmë për Shkodër- Gjakovë, pjesë e Durrës- Prishtinës. Hekurudha Rrogozhinë- Pogradec në projekt. Durrës rrogozhinë do të nisë në janar negocimi i kontratës”
Vitin e ardhshëm do ketë një Qendër Monitorimi të re të trafikut rrugor me kamera inteligjente që do filmojnë gjithçka, po kështu lajmëroi se nisin fluturimet në aeroportin e Vlorës.
Vendimi për mbylljen e TikTok për një vit.
Ka një presion të madh për të marrë më shumë masa, me siguri TikTok mund të jetë në kërkim të marrjes së masave të krijimit të garancive, ne s’kemi kohë për të pritur, është moment që duhet mbajtur qëndrim i fortë. Është vendim i mbështetur nga mbi 90% e prindërve të anketuar”, vijoi Rama.
Në konferencën e fundvitit Rama preku edhe reformën në drejtësi, i pyetur edhe për bashkëpunëtorët e tij që po preken nga hetimet e SPAK, ndërsa diferencë e drejtësisë së sotme me të kaluarën zgjodhi ta bënte kështu.
“Donte apo sfdonte zogu, donte apo sdonte tigri, dontë apo sdonte skifteri, që është bërë sorrë”
SPAK
Falë bashkëpunimit në SPAK e punës intensive të bërë sot jemi në një nivel tjetër në raport me forcën që ka fituar shteti dhe terrenin që ka humbur krimi I organizuar. Jemi komplet në një nivel tjetër sa i takon rezultateve të luftës kundër trafiqeve të drogës” tha Rama.
Rama u ndal dhe tek reforma e pensioneve duke akuzuar Berishën se në kohën e qeverisjes “krijoi një gropë të padukshme si e Sudes dhe e Vehbiut”
Prioritet është dhe lufta kundër informalitetit të pagave pjesë e reformës së pensioneve.
Samiti i Komunitetit Politik Europian ne 2025 dhe Samiti i NATO-s në vitin 2027.
Vitin e ardhshëm në 16 maj Shqipëria do të presë Samitin e Komunitetit Politik Europian dhe samitin e NATO-s në vitin 2027.
Në konferencën e fundvitit me gazetarë, Kryeministri Edi Rama u ndal tek organizimi në vendin tonë i një sërë samitesh të rëndësishme ndërkombëtare që, sipas tij, ishin të pamendueshme deri pak vite më parë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është sot një vend që respektohet dhe vlerësohet nga ndërkombëtarët dhe se ky fakt shikohet edhe pritjen në Tiranë të samitit të Komunitetit Politik Europian më 16 maj 2025 dhe samitin e NATO-s në vitin 2027.
“Janë organizuar në Shqipëri një sërë samitesh të pamendueshme disa vite më parë dhe vitin e ardhshëm më 16 maj do të presim samitin e Komunitetit Politik Europian ku do kemi udhëheqësit e Europës përtej kufijve të BE-së. Shqipëria është sot një vend ku të gjithë shohim me sytë e respektit dhe të gjithë kanë vlerësime që na bëjnë krenar dhe motivim për të vazhduar më tutje”, theksoi ai.
Kreu i Ekzekutivit nënvizoi se “akoma më e pakëndueshme është mikpritja në Tiranë e samitit të NATO-s në 2027-ën” gjë për të cilën tha ai, kanë nisur punën së bashku me Aleancën.
Kryeministri Rama deklaroi sot se në Samitin e NATO-së në kryeqytetin shqiptar do të jetë i pranishëm edhe presidenti i SHBA-ve, Donlald Trump.
Rama theksoi se “kemi filluar punën me NATO-n, një mision inspektimi i logjistikës ka ardhur në Tiranë, ka bërë vlerësime që do të ishin të pamenduara në Tiranë përpara sesa qeveria në aleancë me Bashkinë e Tiranës të ndërtonte gjithçka ka ndërtuar në këtë dekadë”.
“Ardhja e Presidentit të SHBA dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është një mesazh i qartë për të gjithë lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicion tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare. Ne jemi një vend i vogël. Kemi një peshe modeste, por sot trajtohemi si të barabartë dhe me një respekt që asnjëherë nuk e kemi pasur në historinë tonë”, deklaroi Rama.
Po ashtu, Rama u ndal edhe tek një zhvillim lidhur me arsimin në nivel ndërkombëtar duke theksuar se në një garë me disa vende, Shqipëria fitoi mundësinë shumë domethënëse të hapjes së Kolegjit të Europës në Tiranë.
“Është filiali i dytë i Kolegjit të Europës i cili historikisht e ka qendrën e vet në Bruzh, të Belgjikës, pas filialit të parë që u hap në Natalinë të Polonisë dhe hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë dhe vlerësim domethënës”, u shpreh ai.
Rama e cilësoi sinjal kuptimplotë për pozicion sot krejt të ri të Shqipërisë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me BE-në.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Faleminderit shumë! Sot është dita e konferencës tradicionale të fundvitit që për natyrë është më e gjatë sesa zakonisht dhe po e nis me faktin sipas meje më domethënës të vitit që po lëmë pas, çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian dhe praktikisht të dy grup-kapitujve shumë të rëndësishëm duke nisur nga “Themeloret” që janë grupi i grupeve dhe pastaj “Marrëdhëniet me jashtë”, por është me rëndësi të theksoj këtu diçka që e keni dëgjuar me siguri dhe më parë që ky proces i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës, intensiteti dhe cilësia do të ishte i pamundur nëse një skuadër e madhe kombëtare e Shqipërisë me qindra e qindra e qindra punonjës të administratës sonë publike, negociatorë, drejtues grupesh, anëtarë grupesh nuk do të kishin bërë më parë punën e shkëlqyer me procesin screening, e thënë ndryshe me diagnozën e gjithë sistemit të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fushat.
Për hir të vërtetës, ecuria e procesit screening, vlerësimet befasuese – për mua personalisht – të Komisonit Europian, të qeverive që ishin tipikisht përfaqësuese të vendeve më skeptike të Bashkimit Europian për performancën e skuadrës sonë kombëtare, janë shtysë, janë një motivim, janë një fakt shumë domethënës për çfarë është bërë në gjithë këto vite dhe për cila është në të vërtetë administrata publike e Republikës së Shqipërisë, një administratë e cila padiskutim nuk as nuk përfaqësohet, as nuk interpretohet dhe as nuk shpjegohet me rastet e atyre punonjësve të administratës që për një arsye apo për një tjetër nuk e nderojnë administratën tonë, nuk e nderojnë shtetin tonë, nuk e nderojnë flamurin tonë dhe bëhet, me të drejtë, objekt qoftë i ekspozimeve të sjelljeve apo të veprimeve të tyre të padenja nga mediat, qoftë edhe i drejtësisë.
Por, nëse shohim të dyja anët e kësaj medaljeje, ana e dukshme për shkak të këtyre ekspozimeve për publikun është në fakt, një pjesë shumë e vogël dhe jo domethënëse për të kuptuar funksionimin e administratës sonë publike dhe për të kuptuar nivelin e drejtimit, nivelin e administrimit të punëve të administratës, gjë që u pa qartë, e përsëris, edhe për mua personalisht ishte një befasi, por një nga ato befasi që janë të mirëpritura në procesin e ballafaqimit me skuadrën e teknokratëve të Komisionit Europian.
Këtë vit, edhe ky është një fakt tejet domethënës për ku jemi sot, edhe pse mesa më rezulton, megjithëse unë nuk jam një ndjekës i rregullt i lajmeve, nuk ka bërë bujën e duhur, Shqipëria ka dalë pas 29 vjetësh nga faza e monitorimit të plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nuk jemi më një vend nën monitorim të plotë, por jemi njësoj si të gjitha ato vendet me të cilat duam dhe do të bashkohemi në familjen europiane brenda kësaj dekade.
Së treti, Shqipëria është bërë nxitësi dhe ia ka dalë të shtyjë dhe të bëjë të mundur, duke u futur në bashkëpunim edhe me vendet e tjera të rajonit, jo vetëm një dialog të pa ndodhur më parë mes Komisionit Europian, vendeve anëtare dhe vendeve kandidate nga ku doli si rezultat konkret plani i ri i rritjes të Bashkimit Europian në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E them këtë me shumë krenari, ka qenë një proces jo i lehtë, ka qenë një këmbëngulje e vazhdueshme në të gjithë kontaktet, takimet, shkëmbimet e dokumenteve me zyrën e Ppresidentes së Komisionit Europian me disa nga kancelaritë kryesore të Bashkimit Europian për të arritur që në procesin tradicional të integrimit të hyjë një element i ri, i cili tanimë ka hyrë edhe në fjalorin e bisedimeve si “anëtarësimi gradual” që do të thotë, ndryshe nga çka ndodhur më parë me vendet e tjera, tanimë ne dhe vendet e rajonit kemi në dispozicion një instrument të ri financiar në Planin e ri të Rritjes, ku në periudhën nga sot deri në vitin 2027 do të thithim rreth 1 miliardë euro plus dhe kemi njëkohësisht edhe dritën jeshile për t’u bashkuar në familjen europiane në disa segmente të funksionimit të Europës së bashkuar dhe fakti konkret është se falë këtij Plani të ri të Rritjes, qysh nga 21 nëntori, shqiptarët në të gjithë botën që bëjnë transferta parash nga zona e Bashkimit Europian drejt Shqipërisë nuk do të kenë më asnjë komision extra për transfertat e tyre sepse Shqipëria është zyrtarisht anëtare e zyrës së pagesave unike europiane, çka e përkthyer në shifra, kursen miliona e miliona euro nga xhepat e dërguesve nga jashtë- brenda dhe brenda-jashtë, brenda perimetrit të Bashkimit Europian.
Ne një garë me disa vende, Shqipëria ka fituar mundësinë shumë domethënës të hapjes së Kolegjit te Europes në Tiranë.
Është filiali i dytë i kolegjit të Europës që historikisht e ka qendrën në Bruzh të Belgjikës pas filialit të parë që u hap përpara hyrjes së Polonisë dhe të atyre vendeve që bashkë me Poloninë hynë në BE në Natalin të Polonisë dhe hapet në Tiranë si një sinjal kuptimplotë, por dhe si një vlerësim domethënës për pozicionin sot krejt të ri të Shqipërisë në hartën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në vet marrëdhëniet me BE.
Janë organizuar në Shqipëri një sërë samitesh të pa mendueshme deri disa vite më parë. Dhe vitin e ardhshëm, në 16 maj ne do të mirëpresim Samitin e Komunitetit politik europian, ku do të kemi në Tiranë udhëheqësit e 700 milionë banorëve të Europës përtej kufijve të BE, nga Londra në Baku dhe në Yerevan nga Stokholmi dhe Oslo në Ankara, nga Lisbona në Kiev.
Dhe arsyeja pse Shqipëria e mori këtë mundësi është shumë e thjeshtë. Sepse Shqipëria sot është një vend ku të gjithë shohin me sytë e respektit, edhe të gjithë kanë vlerësime që personalisht mua më bëjnë shumë krenar, por më e rëndësishëm sesa krenaria në këtë rast është frymëzimi dhe motivimi për të vazhduar më tutje. Por akoma më e pamendushme deri disa vite më parë, është mikpritja në Tiranë e Samitit të NATO-s në vitin 2027, gjë për të cilën ne kemi filluar punën së bashku më NATO-n. Një mision inspektimi të kushteve të infrastrukturës dhe logjistikes ka ardhur në Tiranë dhe ka bërë vlerësime, që do të ishin të pamundura në Tiranën e përpara sesa qeveria në aleancë me Bashkinë e Tiranës, të ndërtonte gjithçka ka ndërtuar në këtë dekadë.
Ardhja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë udhëheqësve të NATO-s në Tiranë është njëkohësisht dhe një mesazh shumë i qartë për të gjithë, lidhur me Shqipërinë, lidhur me pozicionin tonë të ri politik në arenën ndërkombëtare.
Ne jemi një vend i vogël. Ne kemi një peshë modeste, por ama ne sot trajtohemi si të barabartë dhe trajtohemi, jo vetëm si të barabartë në aspektin formal, por me një respekt që asnjëherë më parë nuk e kemi pasur në historinë tonë
Tani kjo është një panoramë e Shqipërisë në sytë e Europës dhe të botës, e cila nuk është një fasadë por është një rezultat i jashtëzakonshëm, i një pune të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet.
Në vazhdim, dua të rikthehem tek administrata dhe në këtë rast jo tek administrata thjeshtë i administratë publike në institucionet qendrore, por tek gjithë administrata shtetërore ku përfshihen të gjithë punonjësit në sektorin publik. Siç u deklarua nga INSTAT ne kemi shkuar përtej objektivit të vendosur që në qershorin e vitit që po lëmë pas, pagat të arrinin në nivelin mesatar 900 euro. Jemi në 968 euro dhe tavani i pamendueshëm i deri përpara disa viteve i 1000 eurove është një shtrirje krahu larg. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes domethënëse dhe ekonomisë, i rritjes domethënëse të mundësive. Sepse një gjë që është të duash të rritsh pagat dhe pensionet, një gjë tjetër është të mundesh të rritesh pagat dhe pensionet. Një gjë është t’i rrisësh pagat dhe pensionet duke vazhduar të rrisësh ekonominë dhe duke mos vënë në rrezik balancat dhe parametrat makro ekonomikë. Një gjë tjetër është ta bësh këtë siç ka ndodhur të bëhet në ndonjë rast në të shkuarës dhe faktikisht ta çosh pastaj shtetin në drejtim të paditur, duke lënë pas gropa dhe nga ato shumë të mëdha apo më pak të mëdhatë që ne gjetëm kur morëm detyrën. Një vend i zhytur në borxhe, një vend i zhytur në pluhur dhe një vend ku faktikisht vetëm larja e borxheve dhe vetëm ri kapja e ritmit të financimit të gjithë atyre rrugëve të lëna rrugëve, të cilat ishin propaganduar si rrugë të mbaruara, por në fakt ishin vetëm tendera dhe kontrata të lidhura pa pasur paratë, na morën siç e dini dhe ju një kohë goxha të madhe.
Por, sot jemi në kushte të tjera dhe jemi në kushte të tjera dhe në një aspekt tjetër.
Ne nuk kemi pasur një administratë që kishte motivimin, por dhe mundësitë të shërbente me dinjitet. Sot e kemi falë një transformimi epokal që kemi bërë përmes kalimit të shërbimeve për të cilat deri dje duheshin mbajtura radha në shi dhe në diell dhe i binte që të paguaje një bakshish edhe për të marrë një certifikatë në gjendje civile në xhepin tonë, aty ku kemi telefonin celular. Dhe në fillim të vitit të ri do të kemi një tjetër zhvillim domethënës që e kam paralajmëruar më parë. Asistenti virtual, i cili është futur tanimë në sistemin e shërbimeve të platformën E- Albania dhe që i është përgjigjur mbi një milionë pyetjeve gjatë vitit 2024, do të kalojë nga një asistent me shkrim në një asistent që do të flasë me këdo që do të kërkojë një shërbim dhe jo vetëm që do të flasë, por do t’i bëjë dhe shërbimin.
Kjo falë punës që po bëjmë qysh kur e kam deklaruar këtë risi, ngushtësisht me ekipin e inovacioneve me Mikrosoftin dhe falë punës së shkëlqyer të AKSHI-t dhe drejtueses së AKSHI-t që faktikisht ka bërë të mundur që ne të jemi një nga vendet avangardë në drejtim të shërbimeve online dhe jemi një nga vendet avangardë për një arsye shumë të thjeshtë; se që të bëhesh avangardë në fusha të tjera kur je në një klub me anëtarë aq të fortë, aq të rritur, aq të zhvilluar është e pamundur, por që të bëhesh avangardë në fushën e teknologjisë, kjo është jo vetëm e mundur, por është bekimi i kohës për vendet në zhvillim sepse për Gjermaninë që të kthejë anijen e madhe të një administrate shtetërore që ka qenë në kohën e zhvillimit linear një model për gjithë botën dhe të fusë në këtë anije teknologjinë digjitale, është më e vështirë sesa për vende si i yni që e kemi nisur këtë punë me një varkë dhe kjo është arsyeja pse, nëse shikoni listën e vendeve që kanë bërë përparimet më të mëdha në aspektin e futjes së teknologjisë në funksion të reformimit dhe të transformimit të administratës në shërbime, do të gjeni vende që nuk hyjnë tek vendet më të mëdha tek gjërat e tjera.
Kjo është arsyeja pse Estonia e cila e nisi rrugën e vet pas rënies së Bashkimit Sovietik njësoj si Letonia dhe Lituania, u bë një avangardë sepse vuri një vëmendje të veçantë tek teknologjia. E bëj këtë shpjegim për të mos krijuar asnjë keqkuptim kur them që në këtë shërbim të platformës e-Albania ne jemi sot që flasim, një nga vendet avangardë dhe me futjen e Asistentit Virtual me zë dhe me figurë dhe jo vetëm në përgjigje të pyetjeve, por edhe në dhënien e shërbimit, do të kalojmë në një nivel të ri.
Kemi pasur faktikisht këtë vit një rritje të numrit të përdoruesve të platformës e -Albania që ka arritur në afro 3 milionë e 250 mijë përdorues.
Pse e nënvizoj këtë? Sepse 14 milionë shërbimet e ofruara nga e-Albania dhe 9.9 milionë dokumentet me vulë elektronike të gjeneruara për t’iu dhënë të gjithë përdoruesve shërbimin ishin radha, ishin ryshfete, ishin kohë e humbur, ishin shpenzime karburanti e shpenzime energjish fizike për të marrë atë që sot e marrin duke klikuar në platformë dhe që iu vjen falas.
E kur flasim për korrupsion, e kur flasim për luftë kundër korrupsionit, e kur flasim për transformim të marrëdhënieve të shtetit me qytetarin në funksion të qytetarit, ky element jo vetëm nuk mund të harrohet, por është një pasqyrë shumë kuptimplotë për këdo që do të shikojë të gjithë peisazhin e funksionimit të shtetit, natyrisht jo për ata që duan të fokusohen vetëm tek një pjesë e vogël, shumë e vogël e këtij peizazhi, sado domethënëse dhe sado kuptimplotë dhe sado e domosdoshme për t’u fokusuar dhe tek ajo, patjetër, por ama, lufta kundër korrupsionit është luftë për modernizimin e shtetit.
Lufta kundër korrupsionit nuk është luftë e një segmenti apo një segmenti tjetër, por është luftë e gjithë sistemit shtetërore dhe ajo çka Shqipëria ka pasur problemin e vet më të madh dhe ‘’tumorin” e vet më gërryes ka qenë korrupsioni endemik në çdo hap, për çdo gjë, për çdo dokument. Sot panorama është krejt tjetër dhe ka mbetur vetëm një gur i fundit i këtij mozaiku për ta mbyllur plotësisht epokën otomane të kulturës transaksionale të qytetarit me shtetin që është përfundimi i projektit të futjes së Kadastrës në këtë sistem të teknologjisë. Përfundimi sepse një pjesë e rëndësishme e Kadastrës është në sistemin e teknologjisë përderisa sot aplikimet mund t’i bësh online, por ka një pjesë tjetër që duhet futur në sistem dhe për këtë ne kemi angazhuar fonde të veçanta dhe kemi angazhuar ekipe të veçanta sepse është një punë tejet komplekse dhe që kërkon shumë njerëz në territor që të vihen në dispozicion.
Nga ana tjetër dua t’ju tërheq vëmendjen që në aspektin e shërbimeve publike, vlerësimi është gjerësisht ndërkombëtar, nuk është thjesht një vlerësim i imi apo i yni, por është një vlerësim gjerësisht ndërkombëtar dhe në të gjitha klasifikimet për rritjen e kapaciteteve të shërbimeve në këtë drejtim, do ta gjeni Shqipërinë në pjesët e sipërme të tabelave të klasifikimit dhe për kuriozitetin tuaj dhe të atyre që na ndjekin, nga viti 2023 ku Shqipëria cilësohej në raportin e shërbimeve digjitale, Shqipëria cilësohej me ecuri pozitive të moderuar.
Sot, kemi një ndryshim dhe një rritje të stadit që thuhet “të mirë” dhe kur merr këtë stad, faktikisht në atë fushë t’i je në BE dhe një gjë tjetër është që Shqipëria zuri vendin e parë në një konkurrim global për ekspertizën në lidhje me fushën e kibernetikës mes 108 shteteve pjesëmarrëse dhe nga ana tjetër ajo që dua të bëj me dije është se gjithë ky volum pune i bërë për të sotmen shoqërohet nga një volum punë që po bëhet për të ardhmen.
Në këtë vit kemi përfunduar jetësimin e 216 laboratorëve smart në 200 shkolla të vendit, ku faktikisht qysh nga klasa e parë nxënësit tanë fillojnë e hyjnë në botën e teknologjisë me kurrikulat dhe me metodat më të përparuara.
Nga ana tjetër kemi objektivin që këtë numër të çojmë 654 për 615 shkolla që është numri i cili na çon drejt përfundimit të projektit në një fazë të tretë ku do të kemi 970 laboratorë smart dhe ku nuk do të ketë më asnjë nxënës në Republikën e Shqipërisë që do të hyjë në shkollë apo që do të bëjë hapat në arsimin parauiniversitar, të cilit apo të cilës ti mungojë kjo mundësi për tu përgatitur për botën e re digjitale.
Po ashtu e kam thënë në mënyrë të përsëritur, e keni dëgjuar kemi bërë hapa të rëndësishëm përsa i përket inteligjencës artificiale. Kemi finalizuar strategjinë e parë kombëtare të inteligjencës artificiale dhe aktualisht që flasim jemi në kushtet kur me inteligjencën artificiale ne po punojmë, tanimë është pjesë e punës për transferimin e gjithë të ashtuquajturit “Acquis communautaire” ose të themi trupi ligjor i Bashkimit Europian në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë që do të thotë faktikisht dhe teknikisht kryerje e gjithë procesit të integrimit në aspektin legjislativ për të cilin vende të tjera më parë dhe po marr Kroacinë që ishte e fundit që ka hyrë në Bashkimin Europian, kanë angazhuar armata të tëra përkthyesish dhe armata të tëra draftuesish. Ndërkohë që ne këtë punë e bëjmë 90 % me inteligjencën artificiale.
Nga ana tjetër jemi në fazën që po vazhdojmë të përgatisim modelin e prokurimeve me inteligjencë artificiale që do të jetë një tjetër inovacion dhe që edhe në këtë do të jemi avangardë për arsyet që thashë pak më parë. Pasi ky është një problem që ne e kemi pasur historikisht, tradicionalisht dhe pasi angazhimi i mijëra, i mijëra, i mijëra punonjësve të administratës nëpër komisione prokurimesh është nga njëra anë një mund i madh, një shpenzim i madh energjish dhe një konsum disproporcional i burimeve njerëzore, por nga ana tjetër nuk është garanci për një standard plotësisht Europian në kuptimin e Bashkimit Europian të prokurimeve publike sepse çështja e prokurimeve është një çështje që duket shumë e lehtë kur e merr një procedurë edhe e komenton në televizor apo në gazetë, por është një çështje shumë teknike për të cilën njerëzit që marrin pjesë dhe që e ekzekutojnë duhet të kenë jo vetëm integritetin, por duhet të kenë edhe përgatitjen e nevojshme juridike, etj etj.
Dhe bekimi i teknologjisë na jep mundësinë që atë që vendet tjera që ne i shohim me zili e kanë bërë duke ndërtuar traditë jo dhjetëra, po qindra vjeçare të administratës të kapërcejë kohën dhe duke shfrytëzuar kapacitetin e zhvillimit eksponencial që ka sot në thelbin e vet teknologjia të vendosim teknologjinë digjitale si një armë për të përmirësuar procese më të thella sesa thjeshtë dhënia e shërbimeve që tanimë e kemi bërë. Dhe besoj që hapin e parë transformues që hodhëm me krijimin e një institucioni të ri të prokurimeve të një operatori që bën prokurimet për të gjitha ministritë, për të gjitha institucionet shtetërore sepse lajmi nuk ka dal më rezulton ashtu siç mund dhe duhet të dilte, po kjo nuk është puna ime. Unë jap lajmet e mia, ju jepni lajmet tuaja është që nuk bëhen më tendera nga ministritë dhe operatori që është krijuar këtë vit dhe që është futur në funksion do të vazhdojë të marrë në dy vitet e ardhshme të gjithë volumin e prokurimeve të Republikës së Shqipërisë. Dhe kështu do shpëtojmë nga të gjitha spekulimet dhe nga të gjitha interpretimet dhe nga të gjitha lojërat që bëhen me dokumentet që kalojnë nga portali në portal, nga kanali në kanal, nga puseta në pusetë sepse nuk do të jetë më objektivisht e mundur që të merren e të bëhen copë rrugëve njerëz duke iu tundur letra për të cilat për shumë kënd janë arabisht nuk janë shqip, në kuptimin e procedurave.
Duhet të ndaloj pak te mbështetja që i është dhënë të gjithë sistemit të administratës falë mundësive që na janë krijuar thashë dhe e përsëris nga rritja e ekonomisë. Sot ne kemi arritur të kemi paga konkurruese në administratë me pagat e larta të sektorit privat. Dhe jo më kot edhe në vlerësimet e Komisionit Europian që nuk është gazetë gjermane, nuk është as portal, po është një trup e dedikuar për të qëmtuar me lupë, me një lupë shumë zmadhuese sesa lupa e të gjithëve ju këtu, por ama pa syrin e shtrembër, çdo gjë që ndodh në organizimin e një shteti, në 4 dhe ky për mua është një lajm shumë i mirë, po natyrisht shqiptarët nuk kanë pasur nga ta mësojnë, megjithëse ne e kemi përsëritur disa herë, nuk është me interes, në 4 nga 5 fushat e vlerësimit të administratës publike Shqipëria është në vendin e parë në rajon.
Pra jemi mbi vende që kanë vite që negociojnë me Bashkimin Europian dhe mbi vende që duan të negociojnë me Bashkimin Europian. Në 4 nga 5 fusha e vlerësimit të administratës publike, si kundër për çudinë e shumëkujt nga ju, jam i bindur jemi në vendin e parë, por me diferencë për prokurime publike në rajon.
Pra Shqipëria ka 80 pikë nga 100 të mundshme në vlerësimin analitik me fakte të proceseve të prokurimeve publike, ndërkohë që vendi i dytë është te diku 71, 72 të tjerët janë nën 70 pikë është domethënëse besoj. Dhe për këtë arsye mbështetja e vazhdueshme e administratës është kyçe, por këtu tani kam parasysh siç thashë administratën përtej zyrave kam parasysh mësuesit, kam parasysh mjekët dhe infermierët, kam parasysh punonjësit e policisë, kam parasysh ushtarakët, kam parasysh zjarrfikësit, kam parasysh edhe punonjësit e burgjeve për të cilët një vendim i ri do të dalë, mos gabohem, sot në mbledhjen e qeverisë, e kështu me radhë, dhe rritjet e pagave në të gjithë sistemin, kanë çuar në rritjen e pagës mesatare në 968 euro.
Duke ardhur tek ekonomia në tërësi, dua të them që jemi në kushtet, kur për shkak të rritjes, kemi vendosur një volum financimi të pensionistëve për fundvitin që do të ishte totalisht i pa mendueshëm vetëm disa vite më parë. Diskutimi “është shumë, është pak”, është një diskutim tjetër. Nuk është asnjëherë shumë për askënd që hyn në kategoritë për të cilat flasim, por për pensionistët jo e jo, ama 100 milionë euro, bonus i fundvitit është një shumë që sot e kemi mundësi, duke u lehtësuar sadopak nga një barrë e madhe e viteve të rritjes ekonomike që pensionistët nuk i kemi përfshirë dot në këtë rritje.
Kjo është shenjë e pikërisht kësaj dhe nga ana tjetër, fakti që kemi mundësinë të vendosim dhe një bonus të pranverës, të cilin do ta mbajnë në të gjitha vitet si një pasqyrë që të reflektojë çdo rritje mbi parashikimin, është përsëri shumë domethënës, por përtej kësaj, jemi në një proces pune me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë, së bashku edhe për një reformë siç e kam premtuar, të re të pensioneve, sepse jemi në kushtet kur kemi faktikisht sot, dhe kushdo më pyeste, lëri të gjitha dhe gjej vetëm një pasqyrë, një, ku të shoh ç’ ka qenë, ç’ është dhe ç’mund të bëhet me qeverisjen e Shqipërisë, – një – do të jepja pensionistët dhe do të jepja jo një e dy e tre e katër e pesë, por do të jepja një grup për vite më të madh pensionistësh, të cilët dalin në pension, pas vitit të reformës sonë në 2014-tën dhe grupin e pensionistëve që kanë dalë përpara 2014-tës dhe do t’i tregoja pensionin për të njëjtën punë dhe për të njëjtat vite pune. Mjekë me 40 vjet punë, i dalë në pension para 2014-tës dhe mjek me 40 vjet punë i dalë në pension pas 2014-tës, dy pensione të ndryshme, i pari një pension afër të ulëtit, i dyti një pension afër 600 mijë lekëshit, 600 euro, pension. Pse?
Sepse kush e ka qeverisur Shqipërinë më parë e shkatërroi me themel të gjithë sistemin demokratik të pensioneve, nuk e ngriti fare më saktë, por shkatërroi të ardhmen, jo duke mos e ngritur, por duke e trajtuar pensionin si lëmoshë dhe duke, faktikisht, sabotuar të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore me një pension tavan 240 mijë lekë që të hidheshe përpjetë gjithë jetën, nuk ngjiteshe mbi atë tavan dhe me një numër pensionistësh të nxjerrë në pension që 40 vjeç e 45 vjeç, kur u shkatërrua komplet struktura e vjetër, – që normalisht do të shkatërrohej – e sistemit të kaluar, e nuk u bë asgjë në aspektin e pensionistëve për të krijuar një sistem të ri dhe sot i kërkohet me të drejtë se nuk ke kujt ia kërkon tjetër sepse ka një disbalancë midis pensioneve të të njëjtës kategori, për të njëjtat vite pune, ndërkohë që përgjigjja është shumë e thjeshtë, e rëndë shumë, por e thjeshtë, që nëse qeveria do t trajtojë pensionet si një detyrim që financohet nga taksat, ajo që ka bërë Sudja, Xhaferri dhe Saliu, nuk do jetë më e rënda që shqiptarët kanë parë.
Ndërkohë që, nga ana tjetër dy gjëra ka: e para ata që vuajnë atë shëmti politike në kurrizin e tyre dhe që shikojnë kolegë të tyre që vetëm pse kanë dalë në pension mbas 2014-tës e kanë pensionin më të lartë për të njëjtat vite pune, duhet të mos ia falin, minimumi, mos ia falin kurrë shkaktarëve e nëse duan adresën e shkaktarëve jam i gatshëm tua jap, por besoj se e dini.
Nga ana tjetër, reforma që ne po bëjmë, që po konceptojmë do të duhet sidoqoftë të zbusë këtë padrejtësi historike. Ajo që është bërë me pensionistët nga pikëpamja e padrejtësisë, nga pikëpamja e pabesisë, nga pikëpamja e brutalitetit të drejtshkurtësisë, është shumë e ngjashme me atë që është bërë me piramidat, por me efekt në kohë dhe në formën e stresit me të gjithë ata që janë viktimë e asaj dhe të thuash që shiko, po mirë, ju keni një dekadë, a 11 vjet, a 12 vjet e akoma do thoni ata, patjetër do themi ata, sepse sistemet e pensioneve ngrihen me shekuj dhe sistemet e pensioneve të ngritura së prapthi në çerek shekulli, nuk mund të korrigjohen dhe të kthehen së mbari plotësisht për të gjithë në një dekadë. Është teorikisht e pamundur. Prandaj, bonuset janë një mundësi që pa prishur skemën dhe pa i hyrë në hak fëmijëve dhe i hapur të gjithë shqiptarëve një gropë të padukshme, si ajo e Sudes dhe e Vehbiut, të mund t’i kompensojmë pensionistët.
Sot jemi në një stad të ri, edhe ky i pa mendueshëm, mendoj deri para disa vite përpara, ku në aeroportin e Rinasit, në nëntor mbyllet bilanci me 10 milionë pasagjerë. Besoj që për këdo që nuk i vjen inat pse Shqipëria ecën kështu si po ecën për shkak se ka problem mënyrën si qeveris unë dhe si qeverisim ne, më vjen shumë keq, por sot për të dytin vit kemi Aeroportin më të madh të rajonit dhe jemi mbi Beogradin, mbi Beogradin që ka qenë kryeqendra e këtij rajoni denbabaden dhe që e ka pasur aeroportin kryesor në këtë rajon, kur ne kishim një kotec pulash fluturuese në Rinas, ku pulat numëroheshin në mëngjes kur dilnin nga koteci dhe numëroheshin në darkë kur vinin në kotec. Kështu ka qenë e vërteta. Ju nuk e keni parë Rinasin në atë kohë, unë e kam parë sepse më është dashur të fluturoj, kam qenë një nga pulat, kur kemi shkuar në aktivitetet ndërkombëtare të basketbollit.
Përfytyroni një kafene me tavolina druri dhe me mbulesa me katrore tekstil, ku nuk ka njeri dhe një banakier dhe një kamarier. Terminali po flas, ai terminali ku shkoni ju kaq ka qenë.
Përfytyroni ju tani të niseni jashtë, të shkoni atje, bosh kafeneja, uuu zhurmë ju, ikni ju, bosh kafeneja.
Ky është Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës sot dhe nuk e solli koha, por e solli gjithë kjo punë kolosale që është bërë me vite.
Për ekonominë dhe për turizmin, njësoj si për atë që thashë më parë përsa i përket botës së teknologjisë, ne nuk po shohim çfarë ndodh sot.
Ne përpiqemi të shikojmë çfarë vjen nesër dhe po përgatisim përditë e më shumë të rinj në shkolla profesionale, duke rritur çdo ditë e më shumë kapacitetet e shkollave profesionale.
Një lajm shumë i bukur ishte që shkolla e turizmit të Lozanës, njëshi, – njësoj si të vijë këtu edhe të hapi Franca shkollën e administratës së vet publike, – erdhi në Shqipëri dhe sot fëmijët tanë, kur të mbarojnë atë shkollë, shkollën e hoteleri-turizmit tek “pallati me shigjeta” mbrapa, do të kenë diplomën e Lozanës dhe do të jenë gjenerata e re e shërbimit të mikpritjes që është një histori e gjitha më vete në këtë, se detin e kemi pasur ne edhe më përpara, edhe diellin e kemi pasur, edhe malet i kemi pasur, edhe kodrat i kemi pasur, por nuk kemi pasur turistë.
Sot kemi turistë por nuk kemi akoma shërbimet që do ta ngrenë më shumë turizmin tonë si makinë prodhimi të ardhurash për njerëzit këtu.
Dëgjoj disa që thonë “Ç’na duhen neve turistët, ne nuk kemi bukë”. Bukë nuk kanë, Facebook kanë por në fakt, çdo turist që vjen dhe prandaj turizmi konsiderohet eksport, çdo turist që vjen shpenzon në të gjithë zinxhirin e prodhimit edhe të shërbimeve dhe nga ato para që vijnë këtu nga turizmi, janë shqiptarët që i përfitojnë, nuk janë turistët. Turistët përfitojnë shërbimet dhe në drejtim të shkollave profesionale kemi 10 shkolla profesionale dhe 2 qendra të formimit profesional që janë në proces për t’u ndërtuar nga e para, por ajo që është më e rëndësishme është që po rinovohen dhe po përmirësohen të gjitha metodat e punës në arsimin profesional.
E dhëna inkurajuese është që ka një rritje të interesit për shkollën profesionale dhe ka një rritje të interesit të punëkërkuesve për trajnimet profesionale.
Së shpejti, besoj në muajin e parë të vitit të ardhshëm, ne do të publikojmë edhe një faqe të re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit, duke filluar nga Greqia dhe Italia, ku do të kenë të gjitha ofertat e punës në Shqipëri në sektorët e turizmit dhe të ndërtimit. Janë dy sektorë ku unë e them këtu me plot gojën dhe mund të bëj debat me këdo me fakte dhe shifra, jo me fjalë, që kush punon në ndërtim në Greqi dhe vjen të punojë në ndërtim këtu, në fund të muajit do të ketë më shumë të ardhura sesa në Greqi, pak por e sigurt.
Kjo faqe do të jetë një faqe në dispozicion të të gjithë operatorëve të turizmit, të të gjithë kompanive të ndërtimit, qoftë atyre të infrastrukturës publike, qoftë atyre të infrastrukturës të gjithë ndërtimeve private, me vende pune, me kontrata pune, me pagat, me sigurimet e me të gjitha.
Nuk do lodheni sot sepse është shumë e gjatë sot, shumë e gjatë sot. (pyetjet do të vijnë pas një parashtrimi shumë të gjatë nga ana ime sepse është një mundësi për t’ju dhënë njerëzve në këtë fund viti shumë nga gjërat që juve nuk ia keni dhënë gjatë gjithë vitit. Nga do t’i mësojnë, nga do t’i dëgjojnë?)
Në vitin që po lëmë pas, Shqipëria është ngritur në vlerësimin e Agjencisë Globale të Vlerësimit Standard & Poors në BB pozitive që është një stad i ri i vendit, sipas notave të vlerësimit dhe po ashtu edhe nga agjencia tjetër Moody-s, Shqipëria u ngrit në BA3 e qëndrueshme që është një stad tjetër. Këto janë institucione ndërkombëtare, të cilat kanë një profesionalizëm dhe një përgjegjësi globale dhe këto çuditërisht nuk e reflektojnë frymën dhe tonin e shumë raportimeve që ekonomia dhe situata këtu është për revolucion, nuk shihet asgjëkund ndonjë shkak për revolucion, përkundrazi shihet kudo evolucion.
Po ashtu, tek të ardhurat nga tatimet dhe doganat që janë të ardhura që reflektojnë rritjen e ekonomisë, se ndryshe nuk rriten të ardhurat në një vend që nuk rrit taksat.
E kemi filluar qeverisjen në mandatin e parë me një zotim shumë të thjeshtë. Kush fiton më shumë do paguajë më shumë, kush fiton më pak, do paguajë më pak.
Kemi rritur taksën për kompanitë e mëdha nga 10 në 15% dhe kemi zeruar taksën për biznesin e vogël, që nuk e ka asnjë vend i rajonit se me Europën nuk po diskutoj fare. Zero taksë, zero TVSh deri në 100 mijë euro xhiro dhe zero taksë deri në 140 mijë euro xhiro. Atëherë si rriten të ardhurat nëse nuk rriten taksat? Rriten të ardhurat sepse rritet ekonomia, sepse rritet numri i bizneseve, sepse rritet numri i punonjësve, sepse rritet volumi i punës, prandaj rriten të ardhurat. Sepse rritet tregtia etj. Dhe faktikisht jemi në kushte kur te ardhurat janë rritur përtej planit, të cilin kur ne e vumë, qe një diskutim shumë intensiv dhe FMN sepse ishte shumë ambicioz.
Dhe faktikisht jemi 9.7 miliardë lekë mbi planin fillestar, që është një shumë e konsiderueshme për buxhetin e Republikës së Shqipërisë.
Dhe në krahasim me vetëm vitin e mëparshëm jemi 31.6 miliard rritje, mbi planin. 316 milionë euro!
Patjetër që këtu hyjnë edhe rritja e performancws, tatimeve, doganave, ulja e informalitetit e të gjitha me radhë, nuk diskutohet që të jemi të qartë.
Por, lajmi i mirë vjen nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat falë edhe asaj që ne u përpoqëm të bëjmë në takime me pensionistët, kur nuk diskutohet që edhe pensionistët – se mirë ne – u bënë mish për topat e shumëkujt që ishte një show, në fakt në atë show ne përsëritëm që kompanitë duhet të rishikojnë nivelin e pagave se do kenë pasoja.
Në atë show ne përsëritëm që sigurimet shoqërore janë të paprekshme dhe si rezultat falë impaktit të ri në deklarimin e pagave se ai show nuk u bë rastësisht, para deklarimit të pagave.
Falë impaktit dhe falë shikimit të deklarimeve të shumë kompanive që iu kthye mbrapsht deklarimi dhe iu tha shikoje dhe një herë se nuk e ke të justifikuar, se përndryshe do kesh pasoja. Jemi në një tejkalim të planit fillestar të sigurimeve me 38 milionë euro dhe krahasim me vitin e kaluar 15, që do të thotë që, duke e forcuar sistemin e sigurimeve, ne do të kemi më shumë për pensionet. Se nga do t’i nxjerrim? Pensionet kompensohen, mund të kompensosh dhe është një kompensim, i cili pastaj vjen si pasojë tek rritja ekonomike, vjen si pasojë tek investimet se do ia heqësh shkollave, do ia heqësh kopshteve, do ia heqësh çerdheve, do ia heqësh spitaleve, do ia heqësh të gjithë investimeve të tjera që të kompensosh. Mund të kompensohet deri në njëfarë mase, por nuk mund të ndërtosh një sistem me një rritje të pensioneve, duke u bazuar tek kjo filozofi, sepse ndryshe thashë Sudja, Vehbiu – përmenda një emër tjetër gabimisht se kisha shumë vite pa e përmendur dhe nuk e di se nga më erdhi, – do duken jo më të vetmit. Do jenë në një shoqëri shumë komplementare me shtetin e dekadës së tretë, të mileniumit, të dytë!
Ndërkohë që unë jam i bindur që ju mendoni që po shkojmë drejt mbylljes. Këtu jemi në fillim sepse po kaloj, po kaloj për të mos ju lënë sot pa darkë. Po kaloj një pjesë, por jemi tek energjia dhe infrastruktura dhe ju e kuptoni vetë që këtu do duhet një trajtim i gjatë për njerëzit, se nga do i marrin vesh është pyetja. Një pjesë të madhe të këtyre nuk më rezulton, sepse kam marrë një pasqyrë të të gjithë lajmeve që njerëzit kanë marrë gjatë vitit dhe nuk më rezulton që i kanë marrë ca lajme nga këto, fare. Nuk e dinë që kanë ndodhur në Republikën e Shqipërisë.
Për shembull, tek humbjet në rrjet. Humbjet në rrjet, të cilat ne i kemi gjetur në nivele katastrofike janë faktikisht në një reduktim të vazhdueshëm dhe nga ana tjetër, jemi me një rritje këtë vit 15.3 % të kapacitetit energjetik të vendit.
Pra, falë rritjes së investimeve në energji, kemi një rritje me 15.3% të kapacitetit prodhues të vendit dhe kemi një rritje me pesëfish të prodhimit të gjelbër nga fotovoltaikët, kryesisht nga vendosja në eficensë e impiantit fotovoltaik të Karavastasë. Tani po doli njëri këtu të thotë që e ka dhënë lajmin, që kapacitetet dhe prodhimi energjetik të vendit tonë janë rritur me 15 % dhe kapaciteti prodhues i energjisë së gjelbër këtë vit që po lëmë është rritur me 5 herë, atëherë unë do i kërkoj ndjesë, nuk rezulton, edhe pse është thënë, nga ne.
Numri i udhëtarëve. Folëm për aeroportin, por kemi një numër udhëtarësh në vitin që po lëmë pas të rritur me 41%. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë ekonomi, do të thotë rritje e të ardhurave nga qarkullimi më i madh i njerëzve dhe qarkullimi më i madh i parasë, për të gjithë ata që mendojnë që Shqipëria është vendi, ku vetëm pastrohen para të pista dhe të krahasosh volumin e gjithë kësaj ekonomie me çfarë mund të vijë nga paratë e pista, është njësoj si të krahasosh një elefant me një mi. Me shifra flas unë, me fakte, jo me sy të shtrembër.
Kemi një rritje të numrit të mjeteve motorike që kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë dhe janë regjistruar si pronë 16% plus nga ç ‘kishim një vit më parë. Ndërkohë që këtë vit për infrastrukturën kanë qenë zhvillime domethënëse sepse shumë nga punët e nisura kanë përfunduar dhe po rikujtoj Tunelin e Llogarasë, po kujtoj Thumanë- Kasharin që ka shkurtuar me rreth 30 minuta udhëtimin nga veriu dhe verilindja; unazën e madhe të Tiranës, jeni të ftuar të gjithë sot për ta shijuar komplet, nëse dëshironi natyrisht, e cila impakton një të tretën e popullsisë që banon në kryeqytet, përveçse lehtëson në mënyrë shumë të ndjeshme ata që e përshkojnë kryeqytetin; kemi lotin e parë të Elbasan-Qafëthanës; kemi segmentin Orikum-Dukat; kemi segmentin Korçë –Ersekë që siç mund ta keni vënë re nga larg, por po të shkoni ta shikoni nga afër, mund të shijoni jashtëzakonisht shumë një peizazh të mrekullueshëm; përfundoi dhe e gjithë ajo histeri që u ngrit për një shembje në një segment të caktuar, u tret gjithçka, është paguar brenda garancisë nga kompania, nuk ka kushtuar asnjë qindarkë për shqiptarët, taksapaguesit shqiptarë, e para dhe e dyta; nuk ishte ende e përfunduar, gjëra të tilla ndodhin në veprat publike, por ajo që ka rëndësi është që ndryshe nga në të shkuarën, nuk ka më, nuk ndodh më fenomeni që po t’i shikoni letrat, një vepër publike jepet me një çmim X dhe kur mbaron, çmimin e ka Y më të lartë sesa ofertuesi me çmimin më të lartë që ka ardhur kur ka fituar ai me çmimin më të ulët. E gjitha një lojë e madhe, po marr një pikë kyçe ku na ka goditur keq, Tunelin e Murrizit, domethënë gjeologjia. Aty po bëhet një punë kolosale për te përballuar një gjeologji e cila solli faktikisht surpriza që ndodhin, por surprizë, në këtë rast, e hidhur dhe gjithë ajo punë kolosale po bëhet pa asnjë qindarkë shtesë nga buxheti i shtetit. Pse? Për një arsye të thjeshtë, që thuhet me 3 germa; PPP. Kjo është PPP-ja. Kur PPP-të janë siç duhet, atëherë barra ndahet dhe në këtë rast, atë surprizën gjeologjike e përballon kompania, nuk e përballon buxheti dhe puna po ecën.
Shpresojmë shumë që në pranverë, po s’dua të flas më për atë tunel, se aty na kanë parë sytë vërtetë vështirësi të mëdha, të hapet dhe ai.
Është shpallur fituesit për segmentin e ri Milot-Thumanë, është shpallur fituesi për segmentin e ri Kashar-Lekaj; është shpallur fituesi për segmentin Lekaj-Fier. Të gjitha këto janë segmente të Korridorit Blu. Më kujtohet kur unë e kam prezantuar Korridorin Blu në fushatë shumë kohë më parë. Ne ishim në opozitë. Pati një të papërmbajtur gaz nga ata që rrugët i lanë rrugëve të gjitha. Ky është Korridori Blu dhe është shpallur procedura për segmentin Milot-Balldren, ndërkohë vijon zgjerimi i aksit Elbasan-Qafëthanë; vazhdon aksi Elbasan –Papër dhe aksi Papër-Ura e Grykshit, të gjitha këto akse të Korridorit të Tetë.
Ka filluar puna, e keni parë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës, me rehabilitimin më në fund të aksit Kombinat-Ndroq-Plepa që ishte një skandal. Do të donim ta kishim bërë më parë, por gjithmonë mundësitë, kur do të bësh më shumë, duhet të kesh më shumë mundësi, apo jo? Ju e dini shumë mirë dhe të gjithë e dimë shumë mirë në jetën tonë personale, por kur vjen puna tek punët e shtetit, shumëkush kujton se është thjesht çështje dëshire. Po të ishte thjesht çështje dëshire, do i kishim bërë të gjitha me kohë. Vazhdon rehabilitimi i rrugës Fier-Kthesa e Patosit-Frataj; ndërtimi i segmenteve Berat-Ballaban, një zotim i kahershëm, por një segment strategjik për zhvillimin e turizmit; Qafa e Buallit-Martanesh, ju kujtohet, nuk di kush nga ju se tani ka në kaluar vite po ndoshta ndonjërit nga ju i kujtohet, kur kemi qenë në Martanesh, që në mos gabohem e bëmë rrugën me një kohë më të gjatë sesa rruga Kiev-Londër. Sot po ndërtohet, po sistemohet dhe po asfaltohet Ura e Çerenecit në Peshkopi dhe ajo që është qershia mbi tortë, është Qendra e Monitorimit të Trafikut (QMT). QMT është nyja teknologjike e transportit, teknologjike në sensin digjital, jo në sensin e hekurave. QMT do te jetë e pajisur me sistemin më të avancuar në botë të monitorimit te trafikut, sistem për të cilin kemi punuar dhe jemi në prag të nënshkrimit të marrëveshjes konkrete me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, me të cilën do të bëjmë një implementim të shpejtë të një sistemi survejimi të trafikut me kamera, por kamerat do të jenë të pajisura me fjalën e fundit të IA dhe çdo makinë, çdo person, çdo lloj gjallese tjetër që do të kryqëzojë apo do të kapërcejë rrugën, do të jetë në kohë reale i monitoruar dhe këto shpejtësitë, aksidentet, por njëkohësisht edhe për të gjitha makinat do të mund të identifikohet nga qendra e trafikut se kush e ka bërë sigurimin, kush se ka bërë sigurimin, kush e ka targën e duhur, e kështu me radhe. Ky hyn patjetër edhe një element shumë i rëndësishëm në forcimin e rendit publik dhe ligjor dhe në luftën kundër kriminalitetit nuk diskutohet.
Jemi në kushtet kur kemi filluar të ndërtojmë hekurudhat në Shqipëri.
Keni dhënë diku një lajm për këtë, por jo ndonjë gjë të madhe. Hekurudha Tiranë- Durrës – Rinas është në masën 80 % të punimeve. Kemi dorëzuar projektin paraprak në atë WBIF është qendra që financon, shqyrton projektet financon projektet për llogari të Bashkimit Europian, projektin e përzgjedhjes së gjurmës së hekurudhore Shkodër – Gjakovë, pra hekurudha Durrës- Prishtinë. Hekurudha Vorë – Hani Hotit është firmosur kontrata midis hekurudhës shqiptare dhe Bankës Europiane për rindërtim dhe zhvillim. Hekurudha Rrogozhinë – Pogradec është dorëzuar projekti final dhe pritet granti i asistencës teknike nga WBIF. Hekurudha Durrës – Rrogozhinë është mbyllur faza e dytë e prokurimit dhe në janar do të vijohet me negocimin e kontratës. Ashtu si kundër është dorëzuar dhe drafti paraprak për projektimin dhe gjithë elektrifikimin e Korridorit të 8 në funksion të hekurudhës.
Aeroporti i Vlorës e dini, ambicia është që sezonin e ardhshëm të fillojë fluturimet e para. Porti i ri i Durrësit është ri shpallur gara ndërkombëtare, pasi në shpallen e parë si rezultat edhe i një supervizimi shumë të fortë që ne kemi vendosur me Royal Haskoning u gjetën pasaktësira dhe bëhej fjalë për një numër të madh kompanish të mëdha ndërkombëtare dhe u rikthye për të saktësuar çdo gjë, sepse do të jetë i parë, faktikisht pas shumë e shumë vitesh një port i ri që nis nga e para dhe jo si zgjerim ose adaptim në Europë, se të gjitha portet e tjera janë porte që janë ndërtuar në shumë kohë. Ky do të jetë një port që do të nis nga e para dhe për këtë arsye e gjithë eksperienca, të gjitha nevojat e adresuara e bëjnë një vepër arti në fushën e infrastrukturës publike. Jemi në terma shumë pozitive edhe me NATO-n. Kërkesa jonë ka kaluar procesin e vlerësimit teknik. Ka marrë vlerësimin më pozitiv dhe tani është në tryezën e vlerësimit strategjik, sepse kështu janë stadet e vlerësimit.
Një punë shumë e madhe është bërë edhe këtë vit në programin e furnizimit të mëtejshëm me ujë dhe përmirësimit të kanalizimeve dhe janë 40 projekte të cilat janë shtrirë në 29 bashki ku përfshihen edhe 9 projekte specifike në zonat turistike. Behet fjalë për çerek milion banorë zona më të brendshme të vendit dhe në ndërkohë kanë filluar aktivitetin si shoqëri rajonale të konsoliduara 14 shoqëri, e dini reformën që kemi bërë, domethënë e dini, mund dhe të keni dëgjuar dhe kjo ka sjell që të kemi rritje të ndjeshme të arkëtimeve në sektorin e ujit dhe një ulje të arsyeshme të humbjeve, që janë një nga problemet kryesore në këtë sektor.
Nuk dua të përsëris atë që thashë përsa i përket laboratorëve smart duke folur për arsimin, por dua të them që në këtë vit janë ndërtuar dhe rindërtuar me themeli 100 shkolla të reja dhe kopshte dhe këtë vit është rritur numri i fëmijëve të angazhuar me skuadrat sportive në programin e përbashkët me Komitetin Olimpik Shqiptar. Kemi pasur një vit të rëndësishëm si viti i gjuhës shqipe. Kemi realizuar edhe një Kuvend të Gjuhës, po ajo që është më e rëndësishmja, kemi parë një rezultat të shumë pritur me dekada falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe punës së bërë me Akademinë e Shkencave në draftin e parë të fjalorit të ri të gjuhës shqipe. Se kur është bërë fjalori i mëparshëm besoj e dini, ma ha mendja se shumë kush nga ju nuk kishte lindur akoma.
Ndryshimi i politikës me ekselencën në funksion të studentëve që vendosin të studiojnë në Shqipëri duke mos financuar më studimet jashtë ku absolutisht programi i ngritur nga qeveritë e mëparshme ishte qëllim mirë, por faktikisht pjesa dërrmuese për të mos thënë të gjithë ata që merrnin para nga taksat e shqiptarëve për të studiuar në shkolla jashtë vazhdonin rrinin jashtë. Kjo nuk bënte më sens dhe po shikojmë tani një ndryshim të rëndësishëm me studentët që i marrin këto bursa, natyrisht jo aq të mëdha sa ç’merrnin ata që shkonin jashtë, por marrin bursa të konsiderueshme dhe që angazhohen të qëndrojnë në Shqipëri për një periudhe të konsiderueshme.
Shumë e rëndësishme është kthesa që po merr edhe falë një përmirësimi dhe një rritje të vetëdijes në universitet kërkimi shkencor ku tanimë po shihen zhvillime të mëtejshme në thithjen e fondeve nga jashtë nga Bashkimi Europian apo nga bashkëpunime me universitete të tjera gjë që vjen edhe si rezultat i përpjekjes së madhe që në bëmë dhe ia dolëm dhe ka qenë një nga rezultate e samitit me Bashkimin Europain këtu në Tiranë, të futjes së universiteteve tona në aleancën europiane të universiteteve, gjë që deri atëherë ishte vetëm për universitetet e Bashkimit Europain. Dhe shifra 130 projekte të infrastrukturës dhe kërkimit shkencor është goxha domethënëse edhe pse domethënëse në raport me ecurinë nga ku e kemi nisur, por do të duhet të bëhet më shumë pa diskutim.
Kemi një situatë që ju e njihni lidhur me Tik-Tokun. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6 deri në 8 javë sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë. Kam një problem me fletët e shumta dhe do t’i rikthehem arsimit kur të shfaqet, ndërkohë që po përqendrohem për një moment te shëndetësia, pasi shumë nga gjërat pozitive, që kanë ndodhur në fushën e shëndetësisë, nuk bëjnë lajm, kuptohet. Dhe duke mos bërë lajm, nuk i merr vesh njeri. Për shembull: nuk e di njeri, ne e themi, por kuptohet që janë më interesante përgjimet – për t’i nxjerrë përditë e përditë e përditë e për t’i rikujtuar e për ‘iu rikthyer e për të bërë emisione, debate çfarë i tha ky, çfarë i tha ai, normale është më interesante kjo, – po autonomia spitalore ka vazhduar të implementimet.
Sot, krahas Spitalit Memorial të Fierit ku u pilotua autonomia spitalore, janë pesë spitale të tjera që kanë marrë autonominë dhe kjo do të thotë që ka ndryshuar sistemi nga brenda, në raportet midis trupës menaxheriale, trupës së profesionistëve të shëndetit publik dhe financave.
Kjo është shumë e rëndësishme dhe autonomia spitalore i jep mundësi për të pasur fleksibilitet edhe në pagat e mjekëve në bazë të një sërë kriteresh të përcaktuara. Kemi një sërë zhvillimesh pozitive në rritjen e performancës dhe të gamës së shërbimeve në sistemin tonë të shërbimit publik shëndetësor, kemi vazhduar të shtojmë programet e zhvillimit për fëmijët, duke filluar nga shërbimi dentar që është një risi e rikthyer në jetën e shkollës, në ndihmë të prindërve dhe të fëmijëve, kryesisht për parandalimin. Kemi rreth 55 mijë përfitues këtë vit të rimbursimit të fishave të diabetit, ashtu sikundër kemi një vijim të programit të bonusit të bebes, i cili ka arritur këtë vit në 227 mijë në total, që kur ka filluar kuptohet, përfitues dhe të mbështetjes së nënave të papuna me tre fëmijë, ku kemi rreth 9200 nëna që mbështeten drejtpërdrejt nga shteti për shkak se janë të papuna dhe ndërkohë kanë tre fëmijë për të rritur.
Shumë e rëndësishme është që në aspektin e burimeve njerëzore kemi qëndrueshmëri.
Janë punësuar nëpërmjet portalit “Mjekë për Shqipërinë” këtë vit 344 mjekë të rinj dhe 1123 infermierë, përfshirë dhe teknikët e shkencave mjekësore, 65 specialistë të rinj kanë përfunduar specializimet dhe ka filluar dhe një program i kredive të buta për shtëpi, për mjekë, infermierë, mësues dhe punonjës të Policisë së Shtetit dhe të forcave të armatosura.
Ajo që është besoj unë një lajm për mua i bukur, për ju nuk e di, është që kemi filluar një proces bashkëpunimi për të arritur në një marrëveshje binjakëzimi, por jo binjakëzim simbolik, po binjakëzim i plotë me ndërveprim të plotë me spitalin “Shiba” të Izraelit, që është i rankuar spitali i 9 në botë përsa i përket kapaciteteve, shërbimeve dhe cilësisë së performancës dhe në fillim të vitit të ardhshëm, Onkologjiku do të jetë pika e parë e bashkëpunimit në terren dhe gjithë programi i punës së Onkologjikut do të jetë një program që, jo vetëm po ndërtohet aktualisht që po flasim në bashkëpunim me ekspertët e Onkologjikut të spitalit “Shiba”, por që do të ndiqet, do të menaxhohet dhe njëkohësisht do të zbatohet në jetën e përditshme të spitalit bashkërisht, duke shfrytëzuar kapacitetet e mjekëve izraelitë, por duke shfrytëzuar edhe mundësitë e mëdha që jep teknologjia përmes Telemjekësisë dhe ne besojmë shumë që ky është një hap i parë, por ndryshimi do të jetë i jashtëzakonshëm, jo thjesht në aspektin e të sotmes, por dhe në aspektin e rritjes së kapaciteteve dhe të transformimit të atij shërbimi, që është shërbimi më i vështirë në të gjithë planetin, kjo dihet pse dhe nga ana tjetër, hap pas hapi ky bashkëpunim do të shtrihet në të gjithë qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, që synojmë me mbështetjen e miqve izraelitë, ta kthejmë në një qendër ekselence në gjithë rajonin përsa i përket shërbimit shëndetësor publik.
Kemi përfunduar rehabilitimin e pediatrisë së specialiteteve. Një program i ri për të cilin kemi punuar dhe që do të hyjë në funksion vitin e ardhshëm është dhe mundësia e fëmijëve që marrin shërbim në spitalin pediatrik për të ndjekur shkollën, brenda në spital, kuptohet me programe specifike. Ky është një program i mirënjohur që zhvillohet në disa spitale nga më të mirat e botës dhe atë eksperiencë, falë një partneriteti që kemi mundësuar në Shtetet e Bashkuara, do ta sjellim dhe në Spitalin Pediatrik në Tiranë. Është ndërtuar spitali i ri ditor, me 60 shtretër ku ka përfitim për 65 mijë pacientë në vit, që e shfrytëzojnë këtë strukturë vetëm brenda një dite dhe që nuk mbingarkojnë pjesën tjetër të sistemit.
Janë rehabilituar 3 poliklinika specialitetesh dhe që nga viti 2018, deri tani në vitin që po mbyllim, kemi 400 qendra të reja shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Kishim 400 kotece të braktisura ku rrinte vetëm një infermiere dhe ku doktori shfaqej sipas rastit, sot kemi sot kemi 400 qendra të reja shëndetësore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” është në fazën e fundit të përfundimit të punimeve të rindërtimit bashkë me zgjerimin e kapaciteteve, rehabilitimi i plotë i Spitalit Rajonal të Kukësit edhe me një sërë pajisjesh të fjalës së fundit është në proces dhe kemi këto kantieret që kemi hapur këtë vit; spitalin e Lezhës, spitalin e Krujës, e thashë maternitetin, godinën e re të laboratorëve të Institutit të Shëndetit Publik, rikonstruksioni i plotë në mjediset e spitalit psikiatrik në Vlorë, Spitali Rajonal i Gjirokastrës godina qendrore dhe së shpejti dhe Spitali Rajonal i Dibrës sepse kontrata është lidhur.
Tek mbrojtja sociale ka vazhduar të rritet në radhë të parë asistenca nga afër e personave në nevojë për asistencë dhe janë faktikisht, futur tanimë në këtë proces edhe organet e pushtetit vendor.
Është folur shumë në këtë periudhë për bujqësinë, por janë disa shifra që janë fakte dhe që janë të lexueshme nga shifrat e doganës, nuk ka nevojë që t’i diskutojmë, që eksportet bujqësore janë rritur dhe janë rritur me afro 20% në 11 mujorin e vitit. Shifrat e dhjetorit, me mirëkuptimin tuaj, nuk i kemi dhe jemi në 435 mijë ton eksporte bujqësore. Po ashtu, kemi pasur disa të dhëna inkurajuese për ata që quhen “Komponentë të prodhimit të qëndrueshëm” dhe për sa i përket investimeve, kanë vazhduar investimet në argjinaturën, kanë vazhduar investimet në kullim dhe në hidrovore, ka vazhduar puna, tanimë është kthyer në një punë rutinë por edhe segmente të reja kanalesh kryesore kulluese dhe është rehabilituar infrastruktura kryesore e ujitjes për rreth 8 mijë hektarë të tjerë.
Me rëndësi është që sistemi i informacionit mbi tokën bujqësore po vazhdon me hapa inkurajues të hyjë në fazën e digjitalizimit përfundimtar dhe praktikisht kemi krijuar një sistem informacioni për 460 541 hektarë që nuk ka ekzistuar as për një hektar të vetëm më parë dhe po vazhdon digjitalizimi i regjistrave të tokës bujqësore.
Një tjetër komponent i rëndësishëm i punës janë tregjet sepse tregjet janë edhe një nga pikat e dobëta që kur vjen puna tek anëtarësimi në Bashkimin Europian janë “hotspot” dhe kanë qenë “hotspot” për të gjitha vendet që e kanë bërë këtë proces. Ne natyrisht kemi arsye të krenohemi sepse e kemi nisur nga thertorja e rrugës “Kthesa e Kamzës- Milot” ku, siç mund t’ju kujtohet rruga ishte e mbushur me sensacione gjaku dhe me trupa bagëtish të ndryshme që vareshin nga këmbët, gjysmë të zhveshur nga lëkura dhe gjysma tjetër në zhveshje e sipër nga kasapë me llërët e përveshura në diell edhe besoj që kur keni shkuar të raportoni në këtë segment, keni marrë me vete edhe gjak lope ose viçi nëpër rrotat e makinave tuaja të shpejta.
Kjo tani është një fazë e kaluar. Duket sikur po flas për një film të Mesjetës, por është në fakt realiteti që na u trashëgua nga ata që janë punësuar si revolucionarë imagjinarë. Megjithatë, problemi i tregjeve është një problem që duhet adresuar më tutje dhe janë 9 tregje të produkteve bujqësore dhe të gjësë së gjallë që janë bërë të reja funksionale në këtë periudhë dhe kanë përfunduar këtë vit.
Në mbyllje të pjesës së parë, dua të flas pak për punët e brendshme dhe për mbrojtjen sepse janë një sërë gjërash, besoj, të rëndësishme duke filluar nga shifrat, ka një të keqe të madhe që… ka një risi në jetën mediatike dhe politike të vendit për sa i përket punëve të brendshme. Risia është që duke qenë se vrasjet rrallohen vit pas viti, bie numri, dhe sot që flasim mbyllim vitin me numrin më të ulët të vrasjeve dhe këtë fjali e keni dëgjuar çdo fund viti, apo jo? Ju kujtohet? Sepse kështu ka ndodhur. Po të shikoni grafikun e vrasjeve, e kemi nisur mesatarisht 1 vrasje në 3 ditë si trashëgimi kur morëm detyrën dhe kemi ardhur duke e ulur. Mirëpo, jeta mediatike dhe politike ka nevojë për të vrarë dhe ka nevojë për të plagosur e ka nevojë për spektakël dhe këtë vit ka pasur 2 spektakle që për nga intensiteti dhe nga manipulimi i publikut kanë qenë për tu lavdëruar, nëse manipulimi i publikut është qëllimi.
Nuk diskutohet që në aspektin e audiencës, like, share, me siguri që kanë qenë spektakle që ia kanë vlejtur por në raport me të vërtetën kanë qenë dy pasqyra sesi mund të manipulohet dhe mund të gënjehet publiku. Spektakli i pas vrasjes në Pogradec, i cili u karakterizua nga gënjeshtra pas gënjeshtrash, sajesash pas sajesash dhe skandale pas skandalesh në aspektin e integritetit të shërbimit ndaj publikut duke filluar natyrisht nga politikanët dhe pastaj “O burra kush flet më shumë në drejtim të gabuar”.
Spektakli tjetër, edhe më i shëmtuar në këtë aspekt që flas unë ka qenë ai që u bë me 14 vjeçarin dhe me tragjedinë e asaj familjeje sepse aty u krijuan edhe vrasës të tjerë, u sajuan dhe thika të tjera, u treguan versione kriminale në aspektin e detyrimeve ndaj publikut, kuptohet sepse unë e quaj kriminale që në kushtet e atyre emocioneve shumë të natyrshme, për humbjen e një jete aq të re ti të furnizosh publikun me helm a thua se nuk mjafton helmimi i shpirtit nga ndodhia. Dhe ti thuash publikut që policia ka fshehur një vrasës tjetër; ti thuash publikut që vrasësi tjetër është djali i një hetuesi të Byrosë kombëtare të hetimit dhe për këtë arsye e kanë fshehur; t’i thuash publikut këto është krim, sipas meje. Kuptohet, moral. Dhe kështu ka ndodhur. Është mbajtur publiku për një kohë të gjatë, qoftë pas vrasjes së Pogradecit, qoftë pas vrasjes së 14 vjeçarit, në ajër me një mashtrim kolektiv të të gjithë atyre që u përfshinë, kuptohet. S’po them gjithë kolektivi mediatik, por ata që u përfshinë. Se unë mund t’i kuptoj politikanët që atë armë kanë zgjedhur, fabrikimin për të ngritur akuza, akuza për të krijuar lajm, lajm për të krijuar fakt, fakt për të krijuar analiza, analiza për të krijuar pyetje, pyetje për të kërkuar llogari. Ky është cikël. Po unë nuk kuptoj dot ose më saktë e kuptoj dhe këtë, por e ndaj me ju se kanë qenë dy momente të vitit që po lëmë pas që kanë qenë dy momente tragjike, të dhimbshme për dy jetë të humbura, por të neveritshme për dy të vdekur që u rivranë disa herë, duke vrarë të vërteten e tyre.
Ana tjetër e medaljes është që nuk ka më çdo tre ditë, prandaj dhe kur ndodh një o burra të nxjerrim sa më shumë gjak nga shpirti i këtij mileti sepse duhet rrezuar regjimi.
Megjithatë ajo që nuk diskutohet është që shkaqet e tensionit që ka midis fëmijëve, prindërve, mësuesve shkollës janë shkaqe komplekse dhe që duhen adresuar me aq sa kemi mundësi. Kur them me aq sa kemi mundësi, jo ne, por gjithë qeveritë sot. Që do të thotë që së pari, do mbyllim tik-tok -un për një vit. Pse për një vit? Sepse do të shikojmë si do evoluojnë gjërat. Ka një presion të madh mbi rrjetet sociale për të marrë më shumë masa. Me siguri dhe Tik-Tok mund të jetë në kërkim të marrjes së masave dhe krijimit të garancive, por ne nuk kemi kohë për të pritur sepse është një moment që duhet mbajtur një qëndrim i fortë dhe ky është një vendim i mbështetur nga mbi 90 % e prindërve që janë pyetur dhe janë anketuar.
E dyta. Do të rrisim shumë sigurinë në shkolla, jo sepse ka ndodhur kjo, por se në projektimin e monitorimit me kamera, Ne kemi përfshirë faktikisht dhe shkollat dhe faktikisht gjithë procesit i jetës në shkollë do jetë një proces transparent dhe i monitorueshëm nga cilido qoftë që do dojë të dijë, jo Big Brother. Nga cilidoqoftë që do të dijë. Do dojë të dijë një prind se çfarë ndodhi, do dojë të dijë opinioni publik në rast se ka qoftë larg një ngjarje të rënde, do dojë të dijë drejtuesi i shkollës për ecurinë e mësimit. Të gjitha do jenë të dokumentuara dhe transparente. Ashtu sikundër, dhe vetë hyrja në shkollë do të jetë e një niveli shumë të lartë sigurie. Do jetë e pamundur për të penetruar çfarëdo qoftë nëpër xhepa. Dhe kjo do rrisë shumë nivelin e sigurisë. Është një projekt për të cilin kemi rreth një vit e kusur që punojmë. Ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm atje ku është implementuar dhe ka shënuar rënie të të gjitha llojeve të problematikave, bullizmi, mungesat, rrëmuja, mos përqendrimi në mësim, celularët etj. Dhe do të jetë një nga krenaritë e mandatit tonë të katërt.
Për sa i përket organizmit, e dini që ka pasur një rinovim të thellë të gjithë lidershipit të policisë së shtetit si rezultat i një ligji të ri, si rezultat i një procesi komplet ndryshe në përzgjedhjen e drejtueseve të policisë së shtetit dhe është një proces që ka përfshirë të gjithë piramidën nga drejtuesi më i lartë tek drejtuesit e qarqeve, tek shefat e komisariateve. Dhe sot kemi faktikisht një lidership të policisë së shtetit më të ri në moshë, më të motivuar besojmë edhe për shkak se janë të gjithë të promovuar në karrierë në pozicione që nuk i kanë pasur më parë. Dhe të shikojmë si do performojnë, por unë kam bindjen dhe ne kemi bindjen që Policia e Shtetit do të çojë në një shkallë tjetër performancën e vet që ka ardhur në rritje në krahasim gjithmonë relativ, por që tanimë është detyrimisht e matshme me standardet e BE dhe kjo është arsyeja që duhet bërë ende më shumë.
S’po hyj në të dhënat e shumta këtu, por një gjë dua ta nënvizoj në fund për këtë pjesë, që falë dhe bashkëpunimit me Prokurorinë e posaçme dhe falë punës intensive të bërë, sot jemi në një nivel krejt tjetër dhe unë flas për fakte dhe fals për shifra, nuk flas për perceptime, në raport me forcën që ka fituar shteti dhe terrenin që ka humbur krimi i organizuar. Ashtu sikundër, jemi komplet në një nivel tjetër dhe për sa i përket rezultateve të luftës kundër trafiqeve dhe kundër drogës. Më lejoni një sugjerim jo si kryeministër, për ju si bashkëqytetarë të këtij vendi. Mos ua u bëni Shqipërisë atë që të tjerë, qofshin shqiptarë, qofshi të huaj ia bëjnë me kollajllëkun më të madh duke e pikturuar si vend krimi dhe droge, se nuk është.
Është shumë e thjeshtë. Nëse do të ishte, nuk do të ishte negociuar anëtarësimin në BE. Nëse do te ishte, nuk do të kisha unë në tryezën time dhe të gjithë negociatorët në tryezën e tyre, planin e miratuar bashkërisht në Komisionin Evropian në fund të vitit 2027. Nuk do të ndodhte, thjesht nuk do të ndodhte. Unë kam qenë këtu në këtë tryezë kur ne kërkonim statusin e kandidatit në vitin 2013 kur thuhej që; aq tre ligje, tre ligje. Jo që nuk ishin tre ligje, por ishte një qëndrim që të bënte të ndiheshe keq për pasaportën që kishe.
Kam qenë këtu edhe në 2014, edhe në 2015 kur filluam një luftë të madhe kundër krimit dhe kanabisit etj, dhe jo vetëm që nuk mjaftonte, kështu që sot është krejt diçka tjetër. E nëse sot prokurorët specialë të Republikës së Shqipërisë thirren, kërkohen në vende të Evropës dhe në vendet e Amerikës Latine; thirren dhe kërkohen si aleatë të besueshëm, nuk thirren dhe kërkohen si turistë. Nëse sot Eurojust dhe gjithë strukturat e tjera bëjnë të tjera komplet raporte për Republikën e Shqipërisë, atje ku dikur ato lloj raportesh të pengonin të shikoje se ku ndahej diplomacia nga çfarë fshihej prapa, kjo nuk vjen se unë vesh atlete të bardha që duhen dhe ato patjetër, siç dhe e keni parë se duhen, por ama vjen sepse janë faktet dhe shifrat qe flasin. Kështu që, nëse mund t’ia bëni këtë këtij vendi, dijeni se nuk po ia bëni vendit siç mund të keni lexuar në libra për dëshmorët e luftës, por po ia bëni familjes tuaj dhe po ia bëni fëmijëve që do keni nesër ose që keni sot sepse një gjë është debati, lufta po të doni, e brendshme për pushtet apo ç’të doni ju, por është komplet gjë tjetër dëmi që teksa ti kujton se po lufton dhe po çon në shtëpi të mirat materiale nga ajo luftë, je duke e bërë në bashkëpunim me të tjerët për ata që ke në shtëpi. Dhe nuk është retorikë fare kjo, kjo është shumë e thjeshtë por nuk është momenti për ta shtjelluar më shumë. Është momenti për ta mbyllur me pjesën e mbrojtjes, ku kemi një transformim te madh përsa i përket Forcave tona të Armatosura, një transformim, i cili lexohet në një fakt të vetëm; që për 70 kuota ne Akademinë e FA kemi pasur 1114 aplikime nga maturantë në garë. Këtë shifër, disa vite më parë as nuk mund ta imagjinonte njeri dhe ndërkohë nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e logjistikës, nga pikëpamja e kushteve, Forcat tona të Armatosura tani janë në standardet e NATO-s, por ne vazhdojmë të besojmë që edhe pse i kemi rritur në mënyrë shumë të ndjeshme pagat e tyre, duke e bërë praktikisht ushtrinë e dytë më të paguar të rajonit ( 2.05.20), duhet të vazhdojmë t’i rrisim për ta çuar siç jemi zotuar në mesataren, jo të rajonit, por të NATO-s dhe do ta bëjmë këtë gjë.
Nuk diskutohet që do ta bëjmë këtë gjë. Pastaj, sot kemi një flotë helikopterësh të shtuar luftarakë; sot kemi dronët Bajraktarë; kemi një bazë ajrore taktike të NATO-s që është funksionale tanimë; po rikthehet në funksion baza ajrore e Gjadrit për vendosjen dhe stërvitjen e helikopterëve Black-Hawk; kemi një strukturë komplet të re dhe inovative të mbrojtjes së vetë ushtrisë përveç strukturës nacionale dhe një Qendër të re Ekselence për Teknologjinë dhe Inovacionin që është pranë strukturës së muzeut të Ushtrisë dhe kemi dhe një risi tjetër që me prototipin e makinës së re ushtarake shqiptare, Shota, që është prezantuar dhe në panairin e Parisit, do të kemi makinën ushtarake të prodhimit vendas, duke filluar nga fundi i vitit të ardhshëm besoj.
Ajo që ndryshon gjithashtu, është një qasje e Ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me asetet e ushtrisë duke i bashkuar faktikisht, shumë vendeve të tjera të NATO-s dhe duke pasur një departament të dedikuar për zhvillimin e aseteve, të cilin ne do ta vëmë në radhë ta parë në funksion të turizmit. Dhe duke pasur ministrinë e Mbrojtjes, jo në rolin e strukturës që lëshon asete, por në rolin e strukturës që merr pjesë në zhvillimin e tyre. Tipikisht pastaj në raste të veçanta, varet se si. Këto janë pak a shumë ato që unë doja të thoja.
/Argumentum.al