Liderët politikë pajtohen që fushata zgjedhore të zhvillohet në përputhje me masat e rekomanduara nga institucionet për parandalimin e Coronavirusit. Nuk do të ketë tubime publike, ndërsa aktivitetet do të transmetohen në media dhe rrjete sociale. Këto masa vlejnë deri më 24 mars. Kryeministri teknik, Oliver Spasovski thotë se partitë politike e kanë për detyrë të mbajë përgjegjësi për shëndetin e qytetarëve.
Është shumë me rëndësi që të gjitha partitë politike të tregojnë përgjegjësi për shëndetin e qytetarëve dhe aktivitetet e tyre t’i bëjnë në përputhje me rekomandimet e institucioneve. Një konstatim të përbashkët që e morëm në takim është që MPB-ja t’i monitorojë mediat në rrjetet sociale të mos shpërndajnë lajme të rreme për virusin”-tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik.
Liderët nuk shohin arsye për anulimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuar për 12 prill.
Jo nuk është folur për zgjedhje. Ajo që mund të them tani është se do të ishte jo serioze të shpejtojmë pa i pasur të gjitha informacionet nëse pas 30 ditëve do të shtyhen zgjedhjet ose jo. Masat vlejnë deri më 24 mars, pra dy ditët e para të fushatës. Pas 3 ditëve do të ketë informacione të reja, pas 7 ditëve tjera informacione etj. Por ne të gjithë jemi këtu dhe nëse duhet të ndërmerret diçka jemi në gjendje të veprojmë”-pohoi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
Nuk do të ketë mitingje të mëdha. Partitë politike do të gjejnë mënyrën së si do të punojnë dhe veprojnë. Sot mediat janë tepër të zhvilluara dhe bota elektronike është në nivel të lartë”-tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.
Kemi mënyrë alternative për fushatë përmes mediave, masmediave, takimi derë më derë, pra fushatë tjetër nga ajo e zakonshmja”-pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Njerëzit duhet të jenë solidar. T’i respektojnë rekomandimet e qeverisë dhe aspak nuk ka nevojë për panik. Është një situatë që do të kalojë aq më tepër kur po punohet të gjendet vaksina për këtë virus”-tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Sigurisht ne do t’i respektojmë të gjitha masat dhe do të jemi në komunikim me shtabin e krizës me qëllim që të mos ndikojmë në zgjerimin e virusit dhe problemit që është paraqitur në masa globale”-theksoi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.
Në takim ishte i ftuar edhe kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi i cili kishte deleguar nënkryetarin e partisë Azem Sadiku, ndërsa Afrim Gashi i Alternativës kishte deleguar Skender Rexhepin. Liderët ranë dakord që në rast nevojë takimet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Adrian Kerimi