Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Shkup është takuar me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ndërsa në një konferencë të përbashkët për media, ka theksuar se vendi i tij ka perspektivë të qartë të eurointegrimeve, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi zyrtar nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski ka thënë se Shkupi zyrtar ka vendosmëri të vërtetë dhe po punon për zbatimin e standardeve dhe vlerave evropiane. Tregues për këtë, siç është shprehur Kovaçevski, është procesi i skriningut, dhe raporti për skriningun do të jetë një udhërrëfyes me të cilin vendi do të forcojë fokusin në reformën e administratës publike, mekanizmat për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe nxitja e ekonomisë së tregut në vend.
“Procesi i skriningut u zhvillua me ritmet e pritura, ne e ruajtëm vrullin gjatë gjithë procesit dhe presim që të përfundojë javën e ardhshme. Ne si qeveri nuk lejuam që mosmarrëveshjet e brendshme politike të mënjanojnë reformat e nevojshme për përafrimin e standardeve dhe ligjeve të BE-së, as të komplikojnë apo pengojnë procesin e skriningut që u drejtua me sukses nga zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, së bashku me kolegët e tij dhe të gjithë ministritë e tjera të përfshira, si dhe dhomat e tregtisë që morën pjesë në skriningun që u zhvillua gjatë periudhës së kaluar në Bruksel”, ka thënë Kovaçevski.
Ai ka theksuar se ai dhe mysafiri i tij Borrell janë pajtuar se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me procesin e integrimit në BE. Progresi evropian i vendit është i rëndësishëm për një të ardhme më të mirë për qytetarët, një standard më të mirë jetese, si dhe për të ardhmen e gjeneratave të reja që meritojnë të jetojnë në një shtet anëtar të BE-së, është shprehur ai.
“Qytetarët tanë nuk e meritojnë dhe nuk duan status quo dhe qytetarët tanë nuk e meritojnë izolimin që kemi parë për 11 vjet përsëri. Anëtarësimi në BE është synimi ynë dhe nuk kemi alternativë tjetër. A do të jemi atje së shpejti varet vetëm nga ne, pra nga të gjithë aktorët politikë në këtë vend, të cilët kanë përgjegjësi para popullit për të dhënë rezultate në rrugën drejt BE-së pa justifikime”, ka deklaruar Kovaçevski.
Ndërkaq, Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëherësh nënpresident i Komisionit Evropian, ka thënë se BE-ja mbështet Ukrainën sepse Ukraina po lufton për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e saj, por edhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
“Kur them stabilitet dhe paqe në Evropë, përfshij edhe Ballkanin Perëndimor, dhe në këtë drejtim dua të respektoj pozicionin e Maqedonisë së Veriut, përputhshmërinë tuaj totale të pagabueshme me politikën e jashtme të BE-së”, ka thënë Borrell.
“Ju keni vazhduar me përpjekjet tuaja për reforma pikërisht në këtë rrugë evropiane për vendin tuaj dhe veçanërisht ju, kryeministër personalisht, përkushtimi juaj, përkushtimi juaj i fortë për ta futur Maqedoninë e Veriut në BE, përpjekjet tuaja për reforma, janë diçka që ne në Bruksel i vlerësojmë vërtet”, ka shtuar ai.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së ka theksuar se procesi i skriningut do të përfundojë së shpejti dhe ka përgëzuar nëpunësit civilë, administratën e Maqedonisë së Veriut, zyrtarët të cilët, siç ka thënë ai, punojnë me përkushtim për të mundësuar këtë proces.
Ai ka shtuar se ecja në rrugën evropiane duhet të jetë mbi mosmarrëveshjet partiake dhe një përpjekje e përbashkët.
Kovaçevski dhe Borrell kanë folur edhe për Planin Zhvillimor të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, për të cilin kryeministri i Maqedonisë së Veriut ka thënë se do të jetë një nxitje e re e fortë për procesin e integrimit evropian.
Kryediplomati evropian, duke folur për rëndësinë e planit, ka deklaruar:
“Ju keni mundësinë të keni qasje në pjesë të rëndësishme të tregut të përbashkët evropian, që është vlera më e rëndësishme për t’u anëtarësuar, dhe do të keni mundësi të kenë qasje edhe para se të bëheni anëtar. Kjo është një mundësi që duhet ta shfrytëzoni. Dhe për këtë ju keni mbështetjen tonë të plotë. Unë do të mbetem në anën tuaj, në anën e Maqedonisë së Veriut, qeverisë e saj, do t’i përmbahem rrugës së progresit, drejt qëllimit përfundimtar, që është anëtarësimi në BE. Maqedonia e Veriut i përket BE-së, ajo është një bashkës vlerash, jo vetëm bashkësi interesash”.
Borrell do të marrë pjesë në Këshillin Ministerial të 30-të të OSBE-së që do të mbahet nën presidencën e vendit më 30 nëntor-1 dhjetor në kryeqytetin Shkup.