Ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, tha të premten se vendet kryesore perëndimore dhe NATO-ja, nuk i mbështesin synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet dy komunave të Mitrovicës, asaj të veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut të banuar me shumicë shqiptare.
Ambasadori Hovenier i bëri këto komente pas një takimi të diplomatëve perëndimorë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në këshillim me NATO-n, nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë“, tha ambasadori Hovenier.
Ura e cila kontrollohet nga forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, është e hapur vetëm për lëvizjen e këmbësorëve por jo edhe të makinave, ndonëse sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, ajo është dashur të hapet.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, u ka paraqitur atyre planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër, shkruan RTK
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, takoi sot Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, Ambasadorin e Francës, Olivier Guérot, Ambasadorin e Italisë, Antonello De Riu, Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, zëvendësambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Paul O’Connor dhe zëvendësambasadorin e Gjermanisë, Matthias Conrad.
“Diskutuan rreth zhvillimeve në vend dhe temave aktuale. Kryeministri i njoftoi me rezultatet e masave dhe politikave të punësimit dhe mirëqenies në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, konkretisht me masën “Qeveria për Familjet”, në kuadër të së cilës deri më tani është ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimi i 231 personave në këto komuna. Ndërkohë që interesimi i qytetarëve nga radhët e komunitetit joshumicë serb për t’u pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje në tremujorin e fundit të vitit të kaluar e sidomos në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, si dëshmi e vullnetit dhe interesimit të tyre për integrim të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Sipas qeverisë, ky takim sot u zhvillua pikërisht 8 vjet pas diskutimeve që ishin mbajtur me 2 gusht 2016 në Bruksel në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes për Urën e Mitrovicës në kuadër të dialogut në Bruksel, e që u pasua pastaj me Planin e Bashkimit Evropian për hapjen e urës së Mitrovicës për këmbësorë dhe automjete në dy drejtime.
“Kryeministri Kurti paraqiti para përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të QUINT-it dhe BE-së planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër. Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës. Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim””, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Sipas qeverisë, ura duhet të hapet. “Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi. Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë. Qeveria është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.
Por, mundësia e hapjes së urës është kundërshtuar nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi.
Bashkimi Evropian ka ritheksuar në disa raste se çështja e urës duhet të zgjidhet në kuadër të bisedimeve në Bruksel.
Të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, tërësisë tokësore dhe kushtetutshmërisë së vendit.
“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë (veçanërisht me NATO-n) në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës për çdo qarkullim, që ka parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve tanë”, shkroi presidentja Osmani.
Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.
Kjo është kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi të enjten se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.
Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.
Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.
Këtë komunë në veri të Kosovës e udhëheq Erden Atiq nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Ura kryesore mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.
Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.
Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet.
/Mbështetur nga VOA, REL,RTK