Kryeministri Edi Rama u prit të mërkurën në një takim në Turqi nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
Kështu bëri të ditur kryeministri Rama, i cili tha se përballja e dy sfidave të kohës – garantimi i energjisë dhe ushqimeve bazë, ishin në fokus të takimit.
“Takimi si gjithmonë vëllazëror me Presidentin Erdogan dhe projekte konkrete për të përballuar dy sfidat e mëdha të kohës, garantimin e energjisë dhe ushqimeve bazë”, tha kryeministri Rama në postimin e tij në rrjetet sociale të mërkurën.
Rama mbërriti të martën në Konya të Turqisë me ftesë të presidentit turk Erdogan për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku merr pjesë edhe ekipi olimpik shqiptar. Lojërat filluan të martën dhe në to marrin pjesë 4500 atletë nga dhjetëra vende.
Kryeministri informoi se pjesë e agjendës së kësaj vizite ishte edhe një takim i rëndësishëm pune në Ankara për ecurinë e projekteve të bashkëpunimit dypalësh.
/Argumentum.al