Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj si dhe ministrja e Jashtme Olta Xhaçka kanë zhvilluar një takim në ‘Vilën 30’ me ambasadorët e huaj në vendin tonë, ku ndër to po marrin pjesë ambasadorja e BE-së, Christine Hohmann, ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alastair King-Smith. Mësohet se në fokus të bisedës ishte projektligji i qeverisë për amnistinë fiskale.
Në një deklaratë pas takimeve që zhvilluan sot me përfaqësues të qeverisë shqiptare, ata thanë se BE-ja të vazhdojë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion.
“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion“, thuhet në reagim.
Pavarësisht se Bashkimi Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë kundër amnistië fiskale, Rama dje tha prerazi se ajo do të bëhet sepse sipas tij e kërkon shumica e shqiptarëve.
“Ne nuk jemi tërhequr por po vazhdojmë të diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar të gjitha keqkuptimet, moskuptimet, apo edhe për të ekspozuar mos dëshirën për të kuptuar. Amnistia fiskale do të bëhet sepse e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Ne kemi një parti të tërë politike që ka pretenduar të vijë në qeveri dhe është financuar nga një vend armik dhe agresor i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Nëse në atë parti kemi ‘de facto’ në krye një person të shpallur ‘non grata’ për të gjitha të zezat nga Shtetet e bashkuara, kush jemi ne të paragjykojmë 99% të shqiptarëve për shkak të 1% të atyre që merren me krim e droge. Ne nuk jemi askushi t’i penalizojmë shqiptarët që të legalizojnë të ardhurat e tyre, dhe t’ua bëjmë jetën ferr. Dhe kush janë ata që na thonë që jo kjo nuk mund të bëhet se Shqipëria është me kriminelë. Ne këtë ia kemi bërë vetë vetes”, tha Rama.
/Argumentum.al