I pari i LDK-së, Isa Mustafa po e çon përpara paralajmërimin për mocionin për rrëzim të Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Pasi që ftoi në takime dy liderët e Vetëvendosjes e PSD-së, ai ka mbledhur sot deputetët e LDK-së. Gazeta Express nga burime brenda takimit ka marrë vesh se është diskutuar për mocionin për rrëzim të Qeverisë. Ky burim ka theksuar se një gjë e tillë pritet të ndodhë më së largu në fund të kësaj jave, pas takimit të Mustafës me kreun e PSD-së, shkruan Express.
Në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kreu i LDK-së, Isa Mustafa së bashku me deputetët e kësaj partie tashmë kanë përfunduar mbledhjen ku u diskutua për mocionin që kanë paralajmëruar për rrëzim të Qeverisë aktuale.
Burime të Gazetës Express brenda takimit kanë bërë të ditur se në takim është biseduar për mocionin që sipas LDK-së mund të fillojë mbledhja e nënshkrimeve më së largu deri në fund të javës.
“Ka mbetur që brenda dy ditësh të takohet kryetari i LDK-së, me kryetarin e PSD-së”, thotë ky burim.
Tutje është e ditur se Avdullah Hoti, e Glauk Konjufca, shefat e grupeve parlamentarë të LDK-së e VV-së kanë filluar përgatitjen e një ceremonie që do të organizohet në Kuvend.
“Sipas këtij burimi shefat e dy grupeve parlamentare të LDK-së, e VV-së, kanë filluar për organizimin e një ceremonie që do të mbahet në kuvend”, tha tutje ky burim.
Është bërë e ditur se nuk kanë biseduar me Listën Serbe, por, ata janë të mirëpritur që të japin nënshkrimet. Takimi u mbajt me dyer të mbyllura.
Me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tashmë kanë filluar takimet në mes të krerëve të opozitës për mundësinë e një mocioni që mund të qojë në shtëpi qeverinë aktuale. Mustafa është takuar me Albin Kurtin, kreun e VV-së, e brenda javës pritet që të takohet edhe me Shpend Ahmetin, kreun e PSD -së.